Djegiet e Voskopojës
Kushdo që ka patur rastin të shkojë në Voskopojë prezantohen me një tabelë, të vendosur në qendër, ku shkruhet: “Fshati turistik Voskopoja. Qytet i banuar që nga viti 1330. Kulmi i lulëzimit, viti 1764. Popullsia 30 mijë banorë, me 24 kisha, akademi, bibliotekë, shtypshkronjë. Shkatërrimi i parë në 1769-ën, i dyti në 1789-ën, i treti në 1916-ën. Sot ruan vlera të mëdha të Artit Mesjetar”. Këtu merr fund sqarimi. Sigurisht që një prezantim i tillë, në mënyrën më të natyrshme, të çon para 7 shekujve, atëherë kur zë fill historia e Voskopojës, por befas e ndjen se disa gjëra nuk shkojnë në atë tabelë të shkruar me gërma Kapitale...
Themelimi
Gjashtëmbëdhjetë familje barinjsh nga fshati Voskop i rrethit të Korçës u vendosën për herë të parë në Voskopojë. Si rrjedhojë e origjinës së këtyre 16 familjeve u krijua dhe emri Voskopojë. Për më tepër, në analizën e studiuesit Nedai Thëllimi gjejmë se si emri Voskop u shndërrua në Voskopojë. Viti 1330 njihet si viti i themelimit të Voskopojës. Kjo datë është nxjerrë nga kodikët e vjetër që gjendeshin në Manasirin e Shën Prodhomit. Në këtë përfundim ka arritur edhe studiuesi Joakim Martinjani i lindur në Voskopjë në vitin 1875, i cili në librin e tij “Moskopolis 1330-1930” përmend si datë themelimi të Voskopojës vitin 1330. Vendosja e familjeve nga Voskopi dhe disi më vonë edhe nga fshati Bec, bëri që të krijohej toponimi Voskop e Bec që në të folmen e përditshme do të dilte Voskopec e nga këtej Voskopojë. Kisha e parë e ngritur në këtë vend do të ishte Shën Dionisi dhe më pas Kisha e Shën e Premtes, që do të ndiqeshin nga kisha të tjera më të mëdha e më solide. Numri i kishave gjithsej do të shkonte në 36. Që Voskopoja kishte 36 kisha, ky është një fakt i padiskutueshëm, i cituar edhe nga Martinjani, por edhe nga studiuesi Thëllimi në librin e tij “Mbi qytetin mesjetar të Voskopojës”. Çuditërisht, në tabelën prezantuese të Voskopojës shënohet se ky ish-qytet kishte 24 kisha! Është e vështirë të kuptohet, përse Voskopojës i kanë hequr nga lavdia e saj 12 kisha. Sot, numri i kishave të mbetura është vetëm gjashtë. Ashtu siç thuhet edhe në tabelën prezantuese, Voskopoja njohu lulëzimin më të madh në vitin 1764. Në atë periudhë kishte akademinë e saj, shtypshkronjën dhe bibliotekën, por jo vetëm kaq, Voskopoja në të njëjtën kohë kishte spitalin, konviktin e studentëve, jetimoren, çka flet për një qytetërim të thellë. Për të arritur deri këtu, që nga dita e themelimit të saj në vitin 1330 dhe deri në shkatërrimin e parë në 24 qershor 1769, Voskopojës iu deshën 439 vjet ose më shumë se katër shekuj.
Djegia e parë
Shkatërimi i parë zuri fill në 24 qershor të vitit 1769. Këto fakte gjenden në kodikët e Manastirit të Shën Prodhomit të mbajtura nga Mihail Gora, i njohur si njeriu i letrave të asaj kohe. Gora e përshkruan kështu ditën e 24 qershorit të vitit 1769: “U plaçkit gjithë qyteti... U dogjën shumë shtëpi... Të gjithë njerëzit u shpërndanë në të gjitha anët... Nuk mbeti më asnjë qen.” Në datën 24 qershor të çdo viti, pranë Kishës së Shën Prodhomit, organizohej panairi tregtar, traditë kjo që vazhon edhe në ditët e sotme. Pra djegia e Voskopojës ndodhi në një nga ditët e panairit. Në vitin 1769, lulëzimi i Voskopojës ishte jo vetëm i dukshëm, por edhe mjaft i rëndësishëm. Sipas fakteve historike, në Voskopojë ekzistonin 14 grupime esnafësh. Më të njohur ishin ata të barxhinjve dhe të argjendarëve, por pa mbetur pas esnafët e tabakëve, të bakajve, kazanxhinjëve etj. Prodhimet e voskopojarëve njiheshin dhe kërkoheshin deri në tregjet e Grqisë, Italisë, Serbisë, Austrisë e më gjerë. “Zhvillimi dhe pasurimi i tregtarëve voskopojarë nisi të mos shihej me sy të mirë nga rrethet feudale, të cilat e shihnin si konkurrencë të fuqishme Voskopojën, por edhe si falimentim për ta”,- sqaron Mihail Gora. Për këtë arsye, në një nga ditët e panairit në dt. 24 qershor të vitit 1769, Voskopojës iu vu zjarri dhe sipas Gorrës, “nuk mbeti asnjë qen”. Vetëm nga shprehja e fundit kuptohet së në ç’masë kishte shkuar shkatërrimi i Voskopojës. Ky shkatërrim nuk u ndal as nga mbrojtja që i kishte shpallur Voskopojës nëna e Sulltanit, Valideja. Pas këtij shkatërrimi nuk ekziston më shtypshkronja, e cila kishte qenë në punë për 38 vjet më radhë që nga viti 1731. Të njëjtin fat pëson dhe akademia, anekse të saj u dogjën krejtësisht. Pas vitit 1802, nuk flitet më për të, ndërsa rrënojat do të qëndronin si dëshmi deri në vitin 1850. Shkatërrimi i parë merr me vete edhe bibliotekën, ato pak libra që mbeten i kaluan Mitropolisë së Korçës. Tregtarët e mëdhenj të asaj kohe do të shpërnguleshin drejt Korçës, Beratit, Elbasanit, Tiranës, Manastirit, Krushovës, Shkupit Rodopevës e gjetkë. Voskopoja njeh braktisjen e madhe. Shumë prej kishave ishin djegur. Viti 1769 shënon rënien e Voskopojës. Para shkatërrimit mendohet se Voskopoja ka patur 60 mijë banorë. Kjo shifër është përmendur në letrën e priftit voskopojar Jorgji Semioni, drejtuar autoriteteve hungareze, ku shkruan: “Voskopoja kishte patur dikur 60 mijë banorë”. Sipas studiuesve, kjo shifër është e ekzagjeruar nga prifti për t’i dhënë rëndësi vetes. Studiuesi Nedai Thëllimi arrin në përfundimin se Voskopoja mund të ketë patur në atë kohë jo më shumë se 25 mijë banorë, pasi në atë periudhë Stambolli kishte 80 mijë banorë, kurse Selaniku 8-9 mijë banorë, ndërsa Parisi kishte 100 mijë banorë. Kjo është çështje e studiuesve dhe historianëve...
Djegia e dytë
Kur kishin kaluar vetëm katër vjet, në shtator të vitit 1773, Voskopoja digjet përsëri. Këtë fakt e gjejmë në faqet 10 dhe 125 të librit “Mbi qytetin Mesjetar të Voskopojës” të studiuesit Nedai Thëllimi, por edhe në kodikun e vjetër të Manastirit të Shën Prodhomit nga Mihail Gorra. Ndërkohë është nënvizuar si fakt dhe nga shumë historianë të tjerë. Gjithsesi, Mihail Gorra e parqet me vërtetësi këtë ngjarje, pasi ai edhe pse lindi në Shipskë e kaloi gjithë jetën e tij në Voskopojë. Gorra është shkruesi i kodikut për periudhën nga viti 1765 deri në vitin 1783. Djegia e dytë e Voskopojës ishte një goditje e rëndë për voskopojarët, pasi përveç shkatërrimit që solli, për të gjithë ata që ishin shpërngulur nga Voskopja, fill pas shkatërrimit të parë mendimi për t’u kthyer sërish në vendlindje u godit keqas. Në këto rrethana, Voskopoja e pati të vështirë rimëkëmbjen. Goditja e parë kishte qenë fatale për të. Megjithatë, nuk mund të thuhet se ajo u braktis krejtësisht. Shpirti i voskopojarëve mbajti gjallë shpresën për një Voskopojë që do të merrte veten edhe pse ishte goditur për të dytën herë radhazi.
Djegia e tretë
Kur nuk kishin kaluar veçse 16 vjet nga djegia e dytë e Voskopojës, ky qytet u dogj për herë të tretë. Shkak u bënë luftimet mes forcave të Ali Pashë Tepelenës dhe atyre të Ibrahim Pashës së Beratit. Pas këtij shkatërrimi ndodhi braktisja e radhës e Voskopojës. Brenda harkut kohor të 20 vjetëve (1769-1789) Voskopoja ishte djegur tri herë, duke goditur rëndë qytetërimin e saj. Plejada e tregtarve të asaj kohe nuk pati mundësi të rigjeneronte forcat e veta. Kështu kishte ndodhur edhe me Vidhkuqin një qytet i zhvilluar i asaj kohe me 12 kisha. Edhe ky qytet do të digjej radhazi në vitet 1781, 1823 dhe në 1828. Të njëjtin fat do të pësonte edhe Shipska e njohur si qendër e zhvilluar, por edhe Nikolica, ku kësaj të fundit do t’i mbeteshin si dëshmi vetëm rrënojat, të cilat janë të dukshme edhe sot e kësaj dite. Fatkeqësisht, këto qytetërime nuk do ta rimerrnin përsëri veten. Në fillim të shekullit të XIX, ato do të ktheheshin në qendra të zakonshme pa asnjë ritëm zhvillimi dhe kështu do të vazhdonin gjatë.
Djegia e katërt, pas 127 vjetësh
Pas 127 vjetësh, pikërisht në vitin 1916, kur Voskopoja nuk kishte ndonjë ndryshim të madh nga ajo që është sot, përsa u përket ndërtimeve klasike ndodhi që të digjej sërish. Shkak për djegien e një vendi që ishte djegur edhe tri herë të tjera më parë u bënë andartët grekë, të cilët gjendeshin në Voskopojë dhe nuk lejonin në asnjë mënyrë dhe me asnjë lloj kushti që forcat patriotike të kalonin përmes Voskopojës. Edhe pse u negociua në shumë mënyra nuk u arrit asnjë lloj mirëkuptimi. Në këtë intolerancë dhe kryeneçësi të andartëve grekë, nisi lufta dhe Voskopoja u dogj sërish. Megjithatë, asnjëra prej djegieve nuk ka të njëjtën rëndësi në historinë e Voskopojës, secila prej tyre mban peshën e vet dhe masën e shkatërrimit që sollën. Por, për asnjë historian nuk do të ishte e ndershme që të zhvendoste renditjen e djegeve, sepse edhe djegia e tretë e Voskopojës në vitin 1789 nuk mund të krahasohet me djegien e parë të vitit 1769, por as me djegien e dytë të vitit 1773, sepse dy të parat ishin nga më shkatërrueset për qytetin mesjetar të Voskopojës. Në këtë analizë, djegia e katërt, pas 127 vjetësh, në vitin 1916 nuk do të kishte asnjë ngjashmëri as me djegien e tretë atë të vitit 1789, sepse Voskopoja kishte humbur gjithçka që kishte. Nga 36 kisha kishin mbetur vetëm 6, ndërsa për akademinë, shtypshkronjën, bibliotekën, konviktin studentor, jetimoren, spitalin as që mund të bëhej fjalë. Kishin më shumë se 127 vjet që ishin kthyer në rrënoja. Çuditërsht, një ngatërresë të tillë historike e gjen në mes të Voskopjës në një tabelë prezantimi, ku thuhet se Voskopja është djegur tri herë dhe si djegie të tretë numëron atë të vitit 1916, e cila është vetëm një incident banal i luftës dhe i kryeneçësisë së andartëve. Sidoqë të jetë, historia ka për detyrë t’i thotë faktet ashtu siç janë dhe jo siç mund të dëshirojë një bojaxhi që merr mundimin të bëjë histori tabelash. Fakti që na kishte tërhequr vëmendjen kjo tabelë sa herë na binte rasti të shkonim në Voskopojë, menduam të sillnim ndihmesën tonë për t’u bërë një retushim i vogël në atë tabelë, sepse nuk do të nderonte as Voskopojën, qytetin me akademi.
Seldi Hasanasi