Turi, promovues turesh turistike

Kamelia

Moderator/e
Regjistruar
Jun 18, 2020
Mesazhe
174
Pëlqime
18
Pikë
1
Location
Birmingham
ARTAN FUGA

Pyetja 18-të e testit në Gjuhë dhe Letërsi është e ndërtuar edhe ajo krejt gabim nga pikëpamja shkencore dhe logjike.Jepet një tekst marketingu për qytetin e Sarandës, që do ta lexoni më poshtë. Dhe pyetet në fund se çfarë i duhet shtuar këtij teksti si fjali e fundit për të rritur interesimin e turistëve për Sarandën.

Ja teksti:

Saranda, mes 6 vendeve që duhet të vizitohet tani para se të gjithë ta bëjnë

[1] Qyteti bregdetar i Sarandës me ujërat e tij të kristalta, plazhet mahnitëse dhe monumentet e shumta kulturore dhe arkeologjike, janë renditur ndër 6 vendet që duhet të vizitohet tani para se të gjithë ta bëjnë, sipas ekspertes së udhëtimeve, Patricia Schultz,- shkruan “Business Insider”. [2] Duke reflektuar për mënyrat e shumta, në të cilat udhëtimi ka ndryshuar në mbi 30 vjet, Schultz vë në dukje se mediat sociale kanë nxjerrë në dritë shumë vende më pak të njohura. [3] “Unë e di se bota po bëhet më e arritshme. Vende që do të ishin lista jonë e dëshirave, tani janë”, tha ajo, duke shpjeguar se ndihet që Europa, për shembull, është bërë një lloj destinacioni “kur jam në pension”, duke e krahasuar atë me “pizhame të rehatshme”. [4] E dini ku po shkojnë njerëzit? [5] Apo, edhe më mirë, ku duhet të shkojnë njerëzit? [6] Vazhdoni të lëvizni për të parë gjashtë vendet që parashikon Schultz, të cilat do të jenë pikat e nxehta të radhës, ku bën pjesë edhe qyteti i Sarandës. [7] “Ka një vijë të bukur bregdetare dhe shumë turistë të rinj që shkojnë atje”, – shprehet Schultz. [8] Ajo shton se Saranda është gjithashtu një vend shumë i lirë dhe i shkëlqyer për të punuar nga distanca. [9] “Është e ngjashme me Gjeorgjinë (kjo e fundit është më e njohur); ka të njëjtën natyrë të stinës së verës, si edhe ushqim të mirë”, – shkruan Schultz.

———————

Dhe pyetja është: Për të rritur interesin e lexuesve ndaj qytetit të Sarandës, duhet të shtohet edhe një fjali në fund të tekstit.

Cila nga fjalitë e mëposhtme e kryen më mirë këtë funksion?

A) Pra, Saranda nuk është e vetmja që duhet vizituar.

B) Besojmë se ka ardhur koha për një vizitë në qytetin e Sarandës.

C) Mrekullitë e Sarandës kapërcejnë çdo përfytyrim tuajin mbi qytetin.

D) Si përfundim, a ju pëlqeu Saranda?


—————————————————

Nuk po ndalemi te fakti që në këtë pyetje mbetet e dyshimtë nëse kemi një pyetje që ka lidhje me letërsinë, gjuhën apo me marketingun. Dihet që gjuha e letërsisë dhe gjuha e marketingut u nënshtrohen stileve dhe logjikave të ndryshme. Po e kalojmë këtë problem. Po e kalojmë edhe problemin që në test pyetet se çfarë fjalie duhet shtuar në fund për të rritur interesin e lexuesve për të vizituar Sarandën. Interesin apo interesimin? Sepse nuk janë e njëjta gjë. Por, po e kalojmë edhe këtë. Po kalojmë edhe përdorimin e foljes “duhet”. Sepse ajo folje merr kuptimin e një domosdoshmërie, ndërkaq nuk duket si një shtesë e domosdoshme.

Qëndrojmë te përgjigjet që testi u ofron maturantëve për të zgjedhur të saktën.

Sipas testit, përgjigje e saktë është fjalia ‘B’: “Besojmë që ka ardhur koha për një vizitë në qytetin e Sarandës”.

Turi tani na shfaqet si agjent marketingu për qytetin e Sarandës. Nuk ka asgjë të keqe. Mirëpo, duke mos njohur rregullat e marketingut, propozon të shtohet pikërisht fjalia e gabuar në tekst. Shikoni se çfarë gabimesh amatoreske bën! “Besojmë” – shprehet!!! Problemi nuk është të besojë ai që bën reklamën, por që të besojnë lexuesit, pra, turistët e ardhshëm. Gabim trashanik edhe sepse teksti fton për të kaluar pushimet në Sarandë, madje për t’u vendosur për të jetuar atje, (revista e bën shumë mirë punën e saj), por Tur injoranti prish çdo gjë. Në fund të atij teksti, ai fton lexuesit vetëm për një vizitë në Sarandë!!! Pra, nuk e rrit interesimin e tyre, por e zvogëlon! Vetëm madje një vizitë, jo as shumë vizita.

Turi nuk merr vesh fare nga marketingu. Nuk ka faj, ai ka ardhur të bëjë testin e letërsisë, ndërkohë që Ministria e Arsimit i kërkon të bëjë provim marketingu.

Turi gabon sepse pikërisht duke shtuar fjalinë ‘B’ në fund të tekstit, ai jo vetëm nuk e shton interesimin (jo interesin) e lexuesve për Sarandën, por e shkatërron krejt atë. Pse? Sepse lexuesi, duke parë atë fjali të fundit, humb besimin te teksti pararendës. Ai e kupton që autori i tekstit, duke i ftuar të shkojnë në Sarandë, ka një interes për këtë. Fjalia e fundit pikërisht nis të ngjallë dyshime. Mos autori i tekstit përfiton duke marrë komisione nga operatorët turistikë, prandaj ato që ai thotë për Sarandën nuk janë reale?!

Nuk ka tekst marketingu që nuk e çkëshillon pikërisht këtë. Pra, që këshillon për të mos bërë pikërisht atë që propozon testi i maturës shqiptare, pra, të mos bëjë thirrje direkte për të blerë shërbimin. Kjo kudo duhet evituar, të bëhet në mënyrë aq të trashtë, por mbi të gjitha ta zëmë në rrjetet sociale nuk është absolutisht e këshillueshme.

Imagjinoni sikur pas një reklame për dhallën “LUFRA”, marketuesi të bëjë thirrjen idiote: “Besojmë se ka ardhur koha t’ia fusim një dhalle LUFRA me fund!”.

Nuk po ndalem te fakti që operatorët turistikë në Vlorë, Durrës, Shëngjin, etj., të hedhin në gjyq testin e maturës sepse bën reklamë të fshehur për Sarandën në dokumente shkollore zyrtare.

Pra, testi konsideron si përgjigje të saktë, pikërisht një qëndrim, për të cilin së paku kudo në shkencat aktuale të marketingut debatohet nëse duhet mbajtur apo më mirë të lihet i nënkuptuar.

Aq më shumë që fjalia “B” nuk shton interesimin (jo interesin) sepse ajo fjali nuk është bindëse, por në stilin gjuhësor të marketingut quhet “Call to action!” – Thirrje për veprim! Pra, fton për veprim, nuk rrit interesin. Edhe gjuhësisht është një përgjigje krejt e gabuar!

Pyes: Pse testi zgjedh përgjigjen ‘B’ si të saktë dhe jo ta zëmë përgjigjen ‘C’, e cila shton se mrekullitë e Sarandës tejkalojnë çdo përfytyrim. Pse fjalia ‘B’ ngjall më shumë interesim (jo interes) sesa fjalia ‘C’? Pse një maturanti që përgjigjet me ‘C’ i hiqet pika dhe i prishet jeta?

Pra, përgjigjja që quhet e saktë, është më shumë e saktë sesa e gabuar dhe përgjigjja e gabuar ‘C’ është po aq e vlefshme nga pikëpamja e marketingut sa edhe fjalia e saktë.

Tur Karamelja dhe shokët dhe shoqet e tij kanë abuzuar me maturantët. Ministrja e Arsimit ose duhet të bëjë një spastrim të haureve atje ku bëhen këto teste mizerabël, ose po vazhdoi t’i mbrojë mëkatarët, sa injorantë, aq kapadainj, dhe po aq parazitë, mirë është të pranojë dështimin e saj të plotë dhe të gjejë një vend tjetër pune ku mund të kontribuojë për veten dhe shoqërinë!
 
Top