Requiem për Moikom Zeqon

Kamelia

Moderator/e
Regjistruar
Jun 18, 2020
Mesazhe
173
Pëlqime
18
Pikë
1
Location
Birmingham
NERITAN CEKA

Një tingëllimë telefoni, një bisedë me Moikomin, krejt e ndryshme nga disa dhjetëra të tjera të shkëmbyera në muajt e karantinës, një zë i dobësuar, sikur vinte nga një horizont i largët i jetës, ky është kujtimi i fundit i një miqësie mbi dyzetvjeçare. Pastaj mesazhi i Lidës që niste me fjalët “E pabesueshme!”. Dhe vërtet duket sikur nuk ka ngjarë, sikur Moikomi është aty prej ditësh, në përpjekje për të thënë ende diçka shumë të rëndësishme, për të shkruar edhe disa faqe në librin e tij të radhës me titull “Libri i jetës”. Ndoshta është atje siç shkruan në poezinë e tij, “i mashtruar për të pritur përjetësinë”. Është bardi i eposit shqiptar në misionin e Mujit për t’u strehuar në shpellën e përjetësisë, në pritje të rikthimit të kohës së heronjve. E kemi biseduar bashkë këtë motiv, se si cikli homerik i Mujit dhe Halilit mbyllet me një prozë. Një tregim i thjeshtë për Mujin, që takohet me një të përkequn, që mbante një pushkë në dorë dhe që e bind se mund ta vriste kreshnikun që nga larg me një të shtënë të vetme. Atëbotë, Muji e kuptoi se koha e heronjve që ndesheshin ballë për ballë, me topuzë e shpata, kishte mbaruar dhe u mbyll në një shpellë, ku gjendet ende sot.

Moikomi është Muji dhe i përkequni është Turi. Turi në formën e ministrit demokrat të Kulturës, që shkarkon kolegun e tij të dikurshëm dhe e lë të papunë për vite të tëra. Turi në formën e ministrit socialist, që nuk e thërret themeluesin e partisë së tij në vendin e nderit, që i takonte në çdo institucion kulture. Dhjetëra Tura të tjerë në universitete, ku gëlojnë një mori qeniesh që pështirosin çdo ditë ëndrrat dhe pasionet e studentëve. Mund të them se janë ata që e plagosën kujtesën e Moikomit, me helmin që shpërndan zilia e Turëve pushtetarë, e mbështjellë me aureolën e arrogancës dhe indiferencës. Njerëzit e vegjël, siç i quan Tarifa, që mendojnë se nuk rriten dot për shkak të hijes që lëshojnë poetët. Që nuk ia falin Moikomit reflektimin e tij brilant në skenën e Teatrit Kombëtar, shfaqjen e fundit dhe më të paharruarën e qindra shfaqjeve me aktorët më të famshëm. Përballimin e guximit intelektual të poetit të sëmurë në ditët e para e të frikshme të COVID-it. Refuzimin e tij qytetar ndaj çdo oferte që pushteti do të ishte gati t’i bënte për shëndetin e tij, ashtu si i bëri varganit të Turëve për leje ndërtimi e favore punësimi fëmijësh. Të vrasësve të ngadaltë, që qëllojnë nga çdo dritare e zyrave të tyre, kudo që lëviz në liri shëmbëlltyra e Moikomit, Dritëroit, Maksit dhe që kërcejnë nga gëzimi kur thërrasin: “Ja dhe një më pak”!

Ja që gabohen, sepse Moikomi është atje në pragun e përjetësisë, ashtu siç thotë në vargjet e tij: “Ngrihem në qiej/Ndërmjet hardhisë/Së mbirë në varrin tim”. Është në librat e tij, që janë dialogë të hapur, fraza biblike të një parathënie të librit të tij të jetës. Ndoshta kam njohur më shumë Moikomin arkeolog, shokun tim të ekspeditave nënujore në Karaburun apo të konferencave ndërkombëtare në Gjermani, por kam adhuruar poetin e jashtëzakonshëm, koshient për unikumin e tij. Dishepull i Migjenit, i poetit pa paraardhës, siç e quante, ishte edhe ai një tjetër poet i një rruge vetmitare. Një poet që lexohet dhe rilexohet, duke zbuluar madhështinë dhe njëkohësisht thellësinë e çdo vargu. Një poet që të kujton edhe Uitmanin, por edhe Lorkën, edhe Seferis. Një poet që Shqipëria i hap plagë nga dhimbja për atë që nuk mund të bëhet për shkak të Turëve, për shkak të njerëzve të vegjël. Zot, ruaje Moikomin nga vjedhja prej tyre, përmes kurorave hipokrite, nderimeve pas vdekjes, shpalljes muze të bibliotekës së tij, vendosjes së ndonjë pllake në shtëpinë që nuk e vizituan kurrë.

Madhështorja shikohet në largësi, shkruante Esenini. Që sot largohemi nga Moikomi me ngushëllimin se do të dallojmë një poet të papërsëritshëm në fuqinë e mendimit të tij, në hapësirën që e pushton vetëm me pak vargje, që duket sikur rrjedhin nga librat e shenjtë. Do ta kujtoj me librin e tij më të dashur, “Plagosje e Kujtesës”, që qëndron gjithmonë nën abazhurin tim, bashkë me Dritëroin, Kavafis, Elitis, por edhe nga një foto e përbashkët në Bylis, bashkë me etërit e arkeologjisë shqiptare, Hasan Cekën, Selim Islamin dhe Frano Prendin.

Sit tibi terra levis!
 
Top