Publikohet historia e panjohur të Aleksandër Kondos

Uarda

Besimi yt dhe i imi gjykohen çdo ditë.
Staff member
Moderator/e
Regjistruar
Jun 23, 2020
Mesazhe
1,896
Pëlqime
822
Pikë
113
Location
Bornholm Danimarke
Dashnor Kaloçi

Pjesa e pesëmbëdhjetë

Publikohet historia e panjohur të Aleksandër Kondos, legjendës së peshëngritjes shqiptare që humbi jetën në moshën 27 vjeçare në rrethana tragjike dhe ende të pazbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Queens New York të SHBA-ve, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Peshëngritjes që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni. Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit në ngarkim të Aleksandër Kondos, e deklasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arkivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.

Në Tiranën e fillim viteve ’80-të, jo vetëm për sportdashësit e shumtë por edhe më gjerë tek të rinjtë e kryeqytetit shqiptar, ra në sy dhe spikati një djalosh i ri, asokohe në moshën 20 vjeçare, si për portretin e fizikun e tij, ashtu dhe për pamjen e jashtme, me veshjet e modës së huaj, i cili në krahaqafë mbante çantën e sportit që s’e hiqte kurrë nga supi dhe në krahun tjetër, një radio-magnetofon të madh, që ai i sillte nga jashtë shtetit kur dilte me ekipin kombëtar të peshëngritjes në aktivitet ndërkombëtare. Ai ishte Aleksandër Kondo, pjesëtar i ekipit të peshëngritjes “Dinamo” të Ministrisë së Punëve të Brendshme (ku asokohe shërbente si ushtaraku i lartë në Gardën e Republikës, edhe i ati i tij), dhe gjithashtu i ekipit kombëtar, i cili në ato kohë, falë edhe vlerësimit dhe trajtimit të diferencuar që i bënte regjimi komunist në fuqi disa sporteve të rënda, kishte arritur rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare.

Emri i Aleksandër Kondos si sportist filloi të bëhej gjithnjë dhe më i njohur, sidomos pas rezultateve të tij të larta të arritura në vitin 1984, në Pallatin e Sportit “Partizani” të kryeqytetit, kur ai fiksoi shifrat 200 kg. (në stilin e shtytjes) duke elektrizuar mijra sportdashës, (atë ditë më shumë spektatorë ishin jashtë pallatit të sportit se sa brenda tij), të cilët nën duartrokitjet e shumta, nuk largoheshin nga sheshi para pallatit, pa e parë nga afër atë djalosh, që i kishte mahnitur me rezultatet dhe performancën e tij. Që nga ajo ditë, Sandër Kondo, pothuaj u kthye në një mit në Tiranë dhe Shqipërinë e asaj kohe, pasi rezultatet e tij erdhën gjithnjë e në ngritje, jo vetëm në kampionatet kombëtare, por edhe në arenën ndërkombëtare ku ai vazhdimisht kishte rezultate të larta.

Por shumë e shumë më tepër nga kjo periudhë kohe kur Sandër Kondo, ishte në kulmin e karrierës, emri i tij u bë edhe më i njohur dhe filloi të diskutohej në mbarë vendin, në fundin e majit të vitit 1985, kur gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në kuadrin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes që zhvillohej në Varshavë të Polonisë, (ku ai ngriti 210 kg.), Kondo nuk u kthye më në Shqipëri, por së bashku me shokun e tij të ekipit, shkodranin Xhelal Sukniqin, nga Mali Zi shkuan në Beograd, në pritje për të fituar azilin politik për në SHBA-ve.

Ngjarja e arratisjes së dy sportistëve shqiptarë bëri bujë të madhe jo vetëm për shkak të emrit dhe famës së madhe që kishte Aleksandër Kondo asokohe, por edhe për shkak se ajo ngjarje u bë objekt “sherri” në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, pasi Tirana zyrtare asokohe akuzoi hapur publikisht (në gazetën “Zëri i Popullit”), autoritetet jugosllave, duke thënë se dy sportistët shqiptarë ishin rrëmbyer prej shërbimeve sekrete jugosllave (UDB-së) dhe kërkoi kthimin e tyre në atdhe.

Por ai pretendim i Tiranës zyrtare, nuk kishte asgjë të vërtetë, pasi Kondo dhe Sukniqi e përgënjeshtruan atë gjë në takimin që u bë në Beograd, në mes përfaqësuesve të ambasadës shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj, e palës jugosllave, ku Sandër Kondo, pasi shau mbarë e prapë regjimin komunist të Enver Hoxhës, tentoi të godiste me tavëll duhani edhe diplomatin shqiptar, që ngulte këmbë se ai duhej të kthehej në Shqipëri, ku e priste familja dhe gjithë shoqëria.

Pas kësaj, Sandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi fituan azilin politik për në SHBA-ve, ku Sukniqi ndodhet akoma, ndërsa Kondo, humbi jetën në një aksident automobilistik, më 1 maj të vitit 1987, (gjithnjë sipas versionit zyrtar të regjimit komunist të asaj kohe), dhe eshtrat e tij u kthyen në Shqipëri në vitin 2003.

Të gjitha këto tashmë janë të njohura prej vitesh, pasi për Aleksandër Kondon si legjenda e peshëngritjes shqiptare është shkruar shumë dhe babai i tij, Vangjel Kondo, ka dhënë disa intervista si në median e shkruar dhe vizive, madje janë bërë dhe disa dokumentarë televizivë, për të gjithë jetën dhe historinë e tij, deri ditën që u nda nga kjo jetë. Por përsëri, “Çështja Aleksanër Kondo”, ende nuk është zbardhur plotësisht, sidomos ajo pjesë që ka të bëjë me vdekjen e tij tragjike e cila vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, si dhe survejimin që i është bërë atij nga ana e Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe segmenteve të tij që në vitin 1981, gjë e cila u bë publike për herë të parë nga ana e Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, e drejtuar nga znj. Gentjana Mara Sula, e cila në vitin 2018, i dorëzoi dosjen familjes Kondo, apo më saktë babait të tij, Vangjel Kondo.

Në atë dosje që z. Vangjel Kondo i’a ka besuar ekskluzivisht për botim Memorie.al, hidhet dritë dhe bëhet e ditur, vlerësimi, trajtimi dhe i gjithë survejimi e përndjekja, që i është bërë asokohe nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një prej sportistëve më në zë të Shqipërisë, siç ishte Aleksandër Kondo, i cili ishte mjaft i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Nisur edhe nga ky fakt, Memorie.al do e publikoj të plotë dosjen në fjalë (me faksimilet përkatëse), në disa numra të rubrikës dossier.



Relacionet e Punëtorit Operativ për lëvizjet, takimet dhe bisedat e Kondos e Sukniqit me emigracionin shqiptar në SHBA-ve, pjesëmarrjen e tyre në Kongresin e Legalitetit, si dhe tentativën për ta vrarë Kondon me aksident automobilistik në autostradë ku ai u plagos rëndë!

Sekret

Ekzemplar i vetëm

Tiranë më 22.5.1987

Marrë P.op. B.S.

Dhënë burimi “6131”

Datë 17.11.1986

 

Uarda

Besimi yt dhe i imi gjykohen çdo ditë.
Staff member
Moderator/e
Regjistruar
Jun 23, 2020
Mesazhe
1,896
Pëlqime
822
Pikë
113
Location
Bornholm Danimarke
I N F O R M A T Ë

Duke biseduar në lidhje me Kongresin tonë, i arratisuri Aleksandër Kondo është shprehur se: “Unë për vete nuk pres asgjë nga ky Kongres. Pasi sikurse në çdo vend komunist, ashtu dhe në Shqipëri, kongreset e partive janë formale. Gjithçka vendoset e bëhet në një vend tjetër”. “Në Shqipëri’ – ka vazhduar Aleksandri – ‘jetojnë tre milion vetë nga të cilët një milion janë popull i thjeshtë, një milion janë kuadro e agjentë të sigurimit dhe një milion të tjerë, janë nëpër burgje e kampe që punojnë për këta të fundit”.

Punëtori Operativ

D. M. Sekret

Ekzemplar Nr 2

Tiranë më 22.5.1987

Marrë P.op. B.S.

Dhënë burimi “6131”

Datë 12.12.1986

I n f o r m a t ë

Javën e tretë të muajit nëntor, zhvilloi punimet e veta kongresi i Bllokut Indipendent. Në fakt tha burimi, ky nuk i ngjante aspak një kongresi partie apo organizate politike, por një mbledhjeje të degës së saj. Në të nuk morën pjesë më shumë se 30 veta dhe se edhe përfaqësuesit e partive të emigracionit, nuk ishin të gjitha. I gjithë kongresi apo mbledhja siç mund ta quajmë më mirë, theksoi burimi, nuk zgjati më shumë se 3 orë. Pavarësisht se…………………………………të cilët ishin pjesërisht në të, i dhanë jehonë në emisionet e radio-programeve të tyre.

Bllokistët tha më në fund burimi ynë, e bënë këtë kongres vetëm për t’u dukur, para të tjerëve se organizata e tyre, është në rregull dhe funksionon vazhdimisht, gjë që nuk është fare e vërtetë. Në kongresin e Bllokistëve, kishte qenë për një farë kohe dhe burimi i cili, kishte takuar të arratisurin Aleksandër Kondo. Ky i fundit kishte qëndruar 2 orë, ndërsa me Xhelal Sukniqin, ishte takuar në hyrje të lokalit ku bëhej mbledhja, sepse ai nuk ishte futur fare brenda.

Punëtori Operativ

D. M. Sekret

Ekzemplar Nr 2

Tiranë më 18.4.1987


Shoku M. Gj., me tel nr.449 datë 4.4.1987 njofton të dhënat e burimit “6110”.

  1. Sipas Aleksandër Kondos, më datën 20 mars një person i panjohur, i ka shkaktuar një aksident të rëndë, nga i cili shpëtoi mrekullisht nga vdekja. Theu disa brinjë dhe dëmtoi rëndë qafën, por në spital, qëndroi vetëm 3 ditë. Shprehu dyshimin se dikush, tentoi ta vriste në autostradë, duke e ndalur përpara tij makinën, papritmas me shpejtësi. Meqenëse ra pa ndjenja, nuk mësoi gjë për atentatorin dhe deri më sot nuk di asgjë rreth tij. Tha se për të, po kujdeset një vendase, të cilën ai e dashuron. Nuk ka përse të punojë dhe gjithë ditën sorollatet rreth qytetit. Flet kundër regjimit tonë, madje edhe kundër……………………………………që e ka spiunuar në organet, por nuk ka ekspozuar ndonjë veprim të dëmshëm kundër nesh.
  2. Sipas…………………………………jugosllavët, dy javët e fundit këtu kanë dërguar shumë njerëz të tyre, për të propaganduar e sqaruar opinionin kosovar dhe emigracionin politik shqiptar, për gjendjen e qetë në Kosovë dhe pamundësinë e ngjarjeve të reja në vend. I tillë është………………………………., profesor në Prishtinë, ardhur këtu me një ekip kulturor dhe që po shëtit dy javët e fundit në çdo qytet, ku ka emigrantë shqiptarë. Ai, ka folur mirë për gjendjen në Jugosllavi dhe akuzon Shqipërinë, për nxitjen e trazirave në Kosovë. Propagandon se kosovarët tashmë e kanë kuptuar politikën e Tiranës dhe nuk duan të gjakosen. Ka thënë se qeveria federative, po punon me të dy superfuqitë për ta nxjerrë vendin nga kriza e borxheve.
  3. Sipas……………………………., në kampin e Beogradit, gjenden sot 20 të arratisur shqiptarë dhe numri i tyre, po rritet dita ditës. Ndër ta, ndodhen dhe dy çifte dhe të gjithë pritet të stabilizohen këtu. Do të pyeten hollësisht dhe do t’i merren intervista, për t’i përdorur si propagandë për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Tha se disa, i dërgon Sigurimi Shqiptar dhe vendasit të bëjnë kujdes.
Duke kundërshtuar…………………………, theksoi se këta të arratisur, që janë rrugaçë e vagabondë dhe që këtu flasin mirë për gjendjen në Jugosllavi, nuk i dërgon Sigurimi Shqiptar, por UDB-ja për të kontrolluar emigracionin shqiptar, që lufton kundër tyre.

Punëtori Operativ

D. M. Sekret

Ekzemplar Nr 4

Tiranë më 27.4.1987

Marrë P.op. M.Gj.

Dhënë burimi “6110”

Datë 29.12.1986

I N F O R M A T Ë

Punëtori Operativ

D. M. Sekret

Ekzemplar Nr 4

Tiranë më 27.4.1987

Marrë P.op. M.Gj.

Dhënë burimi “6110”

Datë 29.12.1986

I N F O R M A T Ë


Të arratisurit e rinj,……………………………, Aleksandër Kondo,……………….etj., komentojnë ndër të arratisur se ata vetë dhe shumë të tjerë, janë arratisur nga Shqipëria, jo për bindje dhe armiqësi politike, por më tepër për vështirësitë ekonomike, dhe çensurën e kufizimet e shumta, ndaj rinisë në Shqipëri, për të bërë qejf. Thonë se sot gjendja ekonomike, është shumë më keq se dy vjet më parë dhe në Shqipëri shumë të rinj, shprehin mendime për t’u arratisur jashtë shtetit. Masa e emigracionit shqiptar këtu, e nxitur edhe nga liberalizimet e fundit të Gorbaçovit, propagandon që edhe Shqipëria, të ndjekë këtë rrugë dhe të përmirësohet jetesa e popullit atje.

Punëtori Operativ

D. M.

Njoftimi i Agjensisë Telegrafike Shqiptare e cila u referohet radiove të huaja, si “Zëri i Amerikës”, etj., mbi lajmin e vdekjes së Aleksandër Kondos në SHBA-ve dhe komentet e tyre lidhur me atë ngjarje

AGJENCIA TELEGRAFIKE SHQIPTARE

Buletini i radiove të huaja në gjuhën shqipe

Nr.100

3 maj 1987

Tiranë më 2 maj 1987

Radio “Zëri i Amerikës”

PESHËNGRITËSI SHQIPTAR, ALEKSANDËR KONDO, VDIQ SOT NË NJË AKSIDENT ME MAKINË


Sot në moshën 27 vjeçare, vdiq në një aksident automobilistik në qytetin e New York, peshëngritësi shqiptar, i ndjeri Aleksandër Kondo. I ndjeri Aleksandër Kondo, bashkë me një shokun e tij, duke u kthyer nga garat, që kishin zhvilluar në Poloni, në vitin 1985, u zhdukën në një rrugë të Titogradit. Më vonë Beogradi njoftoi se ata, kishin kërkuar strehim politik dhe më vonë, emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I ndjeri Kondo, do të varroset në varrezat e Kishës Ortodokse Shqiptare, të Shën Kollit në New York.

Misionit në New York, tel Nr.815, datë 4.5.1987

Ndër të tjera ai theksoi se për këtë problem, i kanë drejtuar një thirrje Presidentit të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Ministrisë së Jashtme të RPSSH-së, Presidencës dhe Sekretariatit të Jashtëm të Jugosllavisë, OKB-së. Ndërkohë vuri në dukje se “deri tani qeveria shqiptare, nuk ishte njohur për vepra terroriste jashtë atdheut……………………”

U mundua të shpifë se në këtë drejtim, ka një bashkëpunim të fshehtë shqiptaro-jugosllav. Më pas, emisionin e kishte mbushur me shpifje e denigrime kundër vendit tonë e politikës sonë, me citime të UPI në Athinë. Dokumente të emigracionit “Internationals” (emisionet, i disponojmë me shirit magnetofoni). Këto provokacione, mund të jenë një veprimtari e kurdisur dhe e kordinuar nga jugosllavët, në bashkëpunim me Zbulimin Amerikan, për të ushtruar presion mbi Misionin tonë dhe për të frenuar, punën tonë me emigracionin ekonomik shqiptar në SHBA.

Por këto janë edhe pasojë e frymës së vetë…………………….., i cili për këtë gjë, don të marri “peng” Misionin tonë. Mundësia e dytë mendohet se është më serioze, po të mendohet se mund të shfrytëzohet qëllimisht nga agjentura jugosllave, së cilës nuk do t’i dhimbte koka e një agjenti për të kurdisur një provokacion të poshtër, kundër vendit tonë, Misionit e personelit të tij. Nga ana e Misionit, do të rritet në maksimum, kujdesi e vigjilenca dhe do ta ndjekin çështjen me seriozitetin e duhur.

Nxori P.op.

J. P.

Relacionet e agjenturës shqiptare në SHBA-ve, për rrethanat e vdekjes së Aleksandër Kondos në New York, ceremoninë e varrimit, personin që e organizoi atë, si dhe akuzat ndaj Misionit, Zbulimit dhe Qeverisë Shqiptare, për vrasjen e tij

Datë 9.5.1987


Shoku M. Gj. me telin Nr.720, datë 5.5.1987 nga New York njofton:

Në emisionin e ditës së premte, pasi bëri një nekrologji të shkëlqyer për A. Kondon dhe e vendosi në altarin e ‘Dëshmorëve të Kombit’, Z.C., akuzoi hapur Sigurimin Shqiptar, për vrasjen e tij. Tha se haku i tij do të merret, demaskoi udhëheqjen tonë dhe në emisionet e ardhshme, do të ekspozojë materialet përkatëse, për këtë krim të kryer nga qeveria shqiptare.

Në fakt, nuk dha asgjë të tillë më vonë, por transmetoi një reportazh personal, siç duket i trembur, kur akuzoi përsëri titullarin tonë e shokët e tjerë, sikur po përgatisin planin për dënimin e tij me vdekje. Kërcënoi se po t’i ndodhte gjë atij ose lidhjeve të tij, do të hakmerret me çdo mjet.

Pas akuzave që bëri ndaj nesh, për vrasjen e A. Kondos, shumë shqiptarë e kosovarë pro nesh, shprehën indinjatë të thellë ndaj tij dhe siç duket, ndokush duhet ta ketë kërcënuar hapur ose tërthorazi, për veprimtarinë e tij të poshtër kundër nesh.

Kjo gjë, e ka trembur shumë atë dhe për të dalë përpara ndonjë veprimi që ai mendon se do të ndërmerret kundër tij, kërcënon i ekspozuar se ka marrë masat mbrojtëse. I ka dërguar ultimatum udhëheqësit tonë, udhëheqësit jugosllav, atij vendas, dhe po t’i ndodhi gjë do të ngarkohet me përgjegjësi, Misioni ynë.

Mundet që UDB-ja, ta ndjekë këtë situatë e të krijojë ndonjë provokacion, qoftë edhe duke vepruar ndaj tij, për të akuzuar organet tona, për veprimtari terroriste kundër nacionalistëve shqiptarë.

Shokët do të bëjnë kujdes të veçantë në punë dhe në kontaktet me emigracionin kosovar. Dy emisionet e fundit, janë regjistruar dhe do të dërgohen në rastin më të parë.

Teli është parë nga shoku Ministër por pa shënim.

Shoku R.L. shënon: Degës VI-të

Nxori p.op. J.P.

Datë 9.5.1987 Sekret

Ekzemplar Nr.3

Tiranë më 15.5.1987

Shoku M. Gj. nga New York me telin “Urgjent” Nr.735 datë 8.5.1987 njofton të dhënat e burimit “6131” marrë me telefon:

Komentet e……………………………, kundër Misionit tonë dhe titullarit, kanë ngjallur reagime negative e mos besim në emigracionin reaksionar. ………………………., e ka cilësuar atë si të çmendur dhe ka theksuar se ky është fillimi i fundit të tij. Sipas tij, ekspertizat vërtetuan se Aleksandër Kondo, u vra në një aksident dhe ka hedhur poshtë akuzat e pabaza të……………………, ndaj vendit tonë.

Ka theksuar se arsyet që e shtynë…………………………në këtë hap, është frika se mos jugosllavët e vrasin, për të akuzuar më pas Shqipërinë për eliminimin e tij. Këtë gjë, ai si njeri i zgjuar e ka kuptuar dhe përpiqet që të shpëtojë jetën e tij. Me këtë propagandë që bëri, i shtyrë nga nevoja për të mbrojtur veten, ai humbi çdo ndjenjë të mirë jo vetëm në radhët e emigracionit kosovar, por edhe të atij politik.

  • Sipas………………………, kur u aksidentua Aleksandër Kondo, ndodheshin ……………………………. dhe …………………………, të cilët nga padija, e kanë lëvizur pa kujdes të plagosurin dhe e kanë transportuar në një septal, mjaft larg nga vendngjarja, duke i shkaktuar tronditje dhe hemoragji, gjë që më pas i shkaktoi vdekjen në spital. Këta të dy, u tronditën pak se mos u mbeste ndonjë përgjegjësi, por ata të dy, bënë sa mundën e ç’dinin.
  • Në mbledhjen e kryesisë së OKLL të datës 3.5.1987, ku asistonin………………………….dhe…………………….., u bisedua përsëri për gjendjen në Kosovë e Jugosllavi. Dhe u konkludua se asgjë s’ka ndryshuar dhe rreziku jugosllav, për një provokacion e sulm ndaj Shqipërisë ekziston. U vendos që sa më parë, t’i dërgohet një ultimatum administratës amerikane, për të mos lejuar ndonjë hap të rrezikshëm të jugosllavëve dhe ndërkohë, një delegacion i kryesuar nga………………………, të shkojë në kryeqytet në këtë periudhë.
  • Më 2 maj,……………………., organizoi një mbledhje të zgjeruar për grumbullim të hollash në favor të Fakultetit të Gjuhës Shqipe. Nga 140 vetë që u thirrën, morën pjesë 14, gjë që solli dështimin e mbledhjes, pasi askush nuk dha kontribut.
Sipas A.N., as që duhet shpresuar më, për hapjen e tij, gjë që e pohoi dhe vetë……………………………., në fund të mbledhjes.

Telin e ka parë shoku Ministër pa shënime.

Punëtori Operativ

D.M.


Informata e Punëtorit Operativ lidhur me njoftimin dhe nekrologjinë e botuar nga gazeta “Atdheu” në New York, për vdekjen e Kondos

Sekret

Ekzemplar i vetëm

Tiranë më 9.11.1987

E K S T R A K T

“Në New York në një aksident automobilistik, humbi jetën Aleksandër Kondo. Një sportist me famë ndërkombëtare dhe bir i një gjenerali të hierarkisë komuniste. Për të qe ma e shtrenjtë liria, që i mungonte popullit shqiptar, sesa lluksi që ai kalonte në Tiranë, si bir i një familjeje komuniste dhe sportist me vlera ndërkombëtare. Si i tillë, ai braktisi atdheun gjatë një turneu sportiv, duke kërkue strehim në Jugosllavi, ma parë prej ku mandej erdhi në SHBA, ku dhe vdiq”.

U nxor nga gazeta “Atdheu” e organizatës reaksionare Legaliteti, numri korrik-gusht 1987

Punëtori Operativ

A. Th.

Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, për arkivimin e dosjes së ndjekjes së Aleksandër Kondos, pas vdekjes së tij

SEKRET

Ekzemplar i vetëm

Tiranë 1987

MIRATOHET

DREJTORI I DREJTORISË SË III

S.R.

VENDIM

PËR ARKIVIMIN E DOSJES FORMULARE TË TË ARRATISURIT ALEKSANDËR KONDO.


Unë punëtori operativ A. Th. efektiv i Degës së VI të Drejtorisë së III, pasi studiova materialet në ngarkim të Aleksandër Kondos në përpunim aktiv 2/A,

GJETA:

Është i biri i Vangjelit dhe i Antigonit, lindur në Fier, më 1960, me origjinë shoqërore shtresë e varfër, me arsim 8 vjecar, i pamartuar, i paorganizuar, i padënuar, ish – sportist (peshëngritës) në Klubin Sportiv “Dinamo” me punë polic, me banim në Tiranë, i arratisur në Jugosllavi në 28.5.1985, me kombësi e shtetësi shqiptare.

I përmenduri është arratisur në Jugosllavi në 28 maj 1985, së bashku me shokun e tij Xhelal Sukniqi, gjatë rrugës së kthimit për në atdhe, pas pjesëmarrjes në kampionatin europian të peshëngritjes të zhvilluar në Poloni. Të dy, emigruan në SHBA-ve dhe atje, kanë zhvilluar veprimtari të theksuar armiqësore kundër vendit tonë.

Veçanërisht Aleksandër Kondo dhe si i tillë, është ndjekur në përpunim aktiv 2/A derisa vdiq aksidentalisht (aksident automobilistik), në New York, ku banonte bashkë me Xhelal Sukniqin. Sipas buletinit të radios “Zëri i Amerikës” A. Kondo, ka vdekur në 2.5.1987, gjë që vërtetohet edhe nga burimet agjenturore.

Për sa më sipër

VENDOSA:

Që dosja formulare e Aleksandër Kondos, të arkivohet sipas rregullave të Evidencës Operative, me vlerë historike dhe përvojë pune, pranë sektorit përkatës të Kartotekës së Drejtorisë së III, duke kryer edhe veprimet përkatëse./
 
Top