Mark Dodani? Cfare vendi ze ?

Uarda

Besimi yt dhe i imi gjykohen çdo ditë.
Staff member
Moderator/e
Regjistruar
Jun 23, 2020
Mesazhe
1,896
Pëlqime
822
Pikë
113
Location
Bornholm Danimarke
Si e arrestoi Mark Dodani, Bedri Çokun....


06 shkurt 2009 22:59


Nga Mihal XHOMO*


Ishte ditë më shi, 9 Dhjetori i vitit 1968, kur ushtarit të popullit, djaloshit Bedri Çoku, i hodhën, mbi duart e papërlyera, hekurat famëkeq të modelit gjerman. E rrëmbyen si ujku delen nga moshatarët e vet, me të cilët kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në një repart pune, ose siç i quanin komunistët, Ndërmarrje Bujqësore Ushtarake (N.B.U.). Në këto ndërmarrje punonin si skllevër fëmijët e kundërshtarëve të komunizmit ... Një shpikje "allasoj", e ligësisë komuniste. Një lloj burgu dy vjeçar, me punë të detyruar për 18-19 vjetarët e paradënuar. Një e vërtetë absolute si drita e diellit. Sepse, vetëm uniformën e kishin në ngjyrën e rrobës ushtarake, të tjerat, të gjitha ishin struktura dhe metoda burgu. Stërvitje ushtarake s’bënin asnjëherë. Armë u jepnin vetëm natën, kur bënin roje përreth barakave, por pa fishekë. Punonin nga mëngjesi në darkë. I ushqenin si të burgosur; i rrihnin, i kërcënonin, i fusnin në biruca të errëta e të ftohta, kur nuk realizonin normat e larta... Po të përsëritej kjo gjë, konsiderohej faj dhe ushtarit të punës ia hiqnin liridaljen për një kohë të gjatë; ndërsa leja për në shtëpi anulohej përgjithmonë. Po të kundërshtonte, apo të shprehte lodhje e mërzi në punë, qoftë edhe për një pakënaqësi të vogël, ushtarin e N.B.U.- së e thërrisnin në komandë, e arrestonin në "Emër të Popullit", me akuzën e agjitacionit e të propagandës. Me dhjetëra e qindra të rinj të kësaj shtrese e kanë nisur “burgun” këtu, në repartet e punës, ushtarë, dhe e kanë përfunduar me vite të tëra në burgjet politike, famëkeqe të Shqipërisë...
Ndërsa rasti i Bedri Çokut ishte disi i veçantë. Arrestimi i tij u bë i kamufluar, një lloj "përlarje" , si në filmat e Xhejs Bondit, me marifet e pa u marrë vesh nga asnjeri. Gjoja, e transferuan në Korpusin e Jugut. Por kishte ditë që qarkullonin fjalë se, Bedriun do ta çonin në Korpus, falë aftësive të veçanta, si fizarmonicist, si sportist i kategorisë së parë. Cilësi që në të vërtetë i kishte, por mjerisht, këto cilësi e dallonin edhe nga moshatarët e tjerë, ushtarët-skllevër. Nam, mori edhe nga një Premierë artistike, të cilën e përgatiti me ushtarët e repartit, që u shfaq me sukses, jo vetëm në repartin e tij, por edhe në fshatrat përreth, në Labovë, në Hormovë, në Lekël. Komisari i Repartit, çuditërisht burrë i mirë e gazetar i talentuar, e donte Bedriun, madje e kurajonte për ta zgjeruar Premierën që ta shfaqnin edhe në Gërhot, ku ndodhej Korpusi i Jugut, mandej edhe në qytetin e Gjirokastrës... Shokët e përgëzonin, ... por ama, jo të gjithë i besonin këto thashetheme... Disa të tjerë, më të ngushtë, shprehnin edhe shqetësimin për mënyrën si po dilnin e zmadhoheshin këto muhabete. Sepse fakti që deri më sot asnjë nga ushtarët e N.B.U.- së nuk kishte kaluar në një repart special, rasti i Bedriut linte shumë për të dyshuar. Dhe ku? Për në Korpus!... "Kujdes, mund të jetë lojë e Sigurimit të Shtetit!", e kishte paralajmëruar Ali Merko nga Bilishti, një shok i ngushtë, ish- i burgosur politik. I gjatë, i kërrusur nga shtatëlartësia, Aliu, sapo kishte marrë maturën, tentoi të arratisej nga Shqipëria. E kapën në kufi, por meqë ishte i ri, e dënuan 5 vjet me heqje të lirisë.
Vuajti 3 vjet. Kishte përvojë nga të gjithë ushtarët, prandaj ishte i shqetësuar për Bedriun, sidomos nga lëvizjet e disa operativëve të Korpusit, që vinin e iknin tinëz në repartin e tyre. Ua vuri vulën dyshimeve të tij, kur së fundi, Besmirin e veçuan nga shokët e punës. E bashkuan me dy ushtarë, që i sollën kastile nga një repart special i Sarandës. Dhe e detyruan të punonte tani vetëm me ata, të lëvizte, të hante e të flinte në kapanon me ata. Njëri ishte goxha i gjatë, trupmadh e babaxhan. Ndoshta s' ishte emri i tij i vërtetë, por eprorët e repartit e thërrisnin, Ilir. Me origjinë, puro tironas. Tjetri vinte në trup i pakët, mesatar, i shkathët, brisk nga goja. Ishte i dyshimtë në biseda e veprime. Sytë i kishte të vegjël e të lëvizshëm, si një shqarth. Emrin e tij Bedriu s' e mësoi kurrë, as nuk u miqësua më të... Për hir të së vërtetës, vetëm me Ilirin shoqërohej. I dukej njeri i mirë. Pse ishte i tillë, ndaj një ditë ai e ftoi për shëtitje prapa kapanoneve, gjasme për të kërkuar një lloj bime medicionale, siç deklaronte se e kishte hobby mjekësinë popullore. Bedriu pranoi me kënaqësi. Por u çudit, kur e pa atë shumë të shqetësuar. Të tensionuar.
Deshi ta pyeste... Por ai i vinte gishtin para buzëve, duke shikuar anash i frikësuar. Vetëm kur u sigurua që s’kishte njeri aty rrotull, i tha shpejt e shpejt: - Dëgjo, o Bedri...hap sytë !...Kam një parandjenjë të keqe për ty.... Dhe iku i tronditur, gati duke qarë. Bedriu s'mundi të ftillohej në çast, madje s'pati as kohë të mendonte e të arsyetonte. Sepse për çudi, mu afër fytyrës, gati sa ta prekte me flatra, iu shfaq si me magji, një zog shumë i bukur që s' e kishte parë kurrë një sojesh në jetën e tij; që cicërinte dhe krahët i përplaste me rrapëllimë; që i dilte herë para, herë prapa, sikur donte ta pengonte që të mos kthehej më në repart... Ai zog i bukur u zhduk papritur, siç edhe u shfaq, sapo Bedriu u gjend në oborrin e repartit, në dritën verbuese të llambave, midis dy kapanoneve. Ishte ëndërr apo realitet? Megjithatë, shfaqja e papritur e tij, s'do t’i shqitej nga kujtesa tërë jetën... Natën s'fjeti si herët e tjera. E zuri gjumi vonë. I ndërgjegjshëm që kishte marrë tre sinjale paralajmëruese dhe nuk ishte në gjendje t'i kuptonte e t'i vlerësonte, ia angështonte shpirtin. Mirë, Aliu dhe Iliri ndoshta kanë pasur të drejtë ta shqetësonin, por ky, zogu i bukur pse iu shfaq i egërsuar e ulëritës për ta penguar që të kthehej tek shokët e tij? Ç’ kishte dashur të thoshte? ... Mos ishte ai engjëlli mbrojtës që e paralajmëronte? Dhe qante e ulërinte, ngaqë s'kishte mënyrë tjetër për ta ndihmuar.?!...O zot! U realizoftë dëshira dhe vullneti Yt mbi krijesat e Tua!
Dita e ogurit të zi, më në fund, mbërriti! Ndodhi tamam siç ishin hapur fjalët. Më 9 dhjetor, Bedri Çokun e thirrën në Komandë dhe i njoftuan transferimin për në Korpusin e Gërhotit... Me shokët u nda i përmallur e i përlotur. U çudit edhe vetë që, duke u ndarë, u tha të gjithëve "Lamtumirë !" në vend të “Mirupafshim!”.... Me këtë mëdyshje kapërceu edhe pasarelën mbi lumin Drinos, që lidhte repartin me xhadenë kombëtare. I mallëngjyer, ktheu kokën edhe një herë nga bashkëvuajtësit ushtarë dhe vuri re, hipur mbi një gur, në qoshe të kapanonit, Ilirin, i cili e vështronte i pikëlluar e i trishtuar...
... Por, çuditërisht në Korpus e pritën ftohtë. I thanë se ishte njoftuar gabimisht për aty, sepse transferimi i tij bënte fjalë për në një repart tjetër ushtarak, në Librazhd. I treguan rregullin, i cili thoshte se brenda tri ditëve duhet patjetër të paraqitej në repartin e ri, ndryshe, e priste burgu. Mirëpo, duke u larguar nga Korpusi, dikush e thirri. Njëri nga inspektorët e personelit i tha se, për fatin e tij të mirë, disa oficerë të Korpusit do të udhëtonin për në qytetin e Korçës. Ishte mundësia që ky rast të shfrytëzohej për t’i bërë nder ushtarit për të qenë korrekt me rregulloren. U tha, u bë!
Ishte e para herë në jetën e tij që hipte në një veturë... Në "Popjedë" gjeti një civil e një ushtarak, të cilët e pritën të kënaqur. Civili, që rrinte në sedijen përpara me shoferin, e mburri paraqitjen e hijshme të ushtarit. Ndërsa, ushtaraku në sedijen prapa foli si i nevrikosur: - Asnjëherë këta të Korpusit s'kanë ditur t’i zgjedhin ushtarët e mirë... I largojnë. Mbajnë ca gjytyrymë... - Kemi një të keqe ne shqiptarët, vazhdoi civili, që fajin e lemë jetim...Po ti, si ushtarak, pse s'ndërhyn të mos ndodhin kësi budallallëqesh? - S'është detyra ime. Është e Kuadrit.... Në fillim Bedriut iu duk debati i tyre i drejtë, pa ndonjë prapamendim... Por, ndërsa ata e zgjatën bisedën hidh e prit, vuri re se makina filloi të ecte me shpejtësi të madhe për të dalë sa më parë nga rrethinat e qytetit. Pas pak edhe biseda e tyre u ndërpre. Ndërkohë, civili, për t’u bërë i besueshëm i kërkoi ushtarakut të kontrollonte dokumentet ushtarit, ishin apo s’ishin të rregullta! Se mos, gabimisht, po merrnin me vetë një ikanak nga ushtria popullore! ...??
Kjo e shqetësoi Besmirin. Kontrolli i dokumenteve. Pse, a s’ishin oficerët e Korpusit ata që e hipën në këtë veturë? Instinktivisht i vajtën sytë tek pasqyra e shoferit. Një burrë i moshuar që kontrollonte hera - herës, i shqetësuar e me vëmendje, lëvizjet dhe fytyrat mbrapa. Kishte një vështrim të vrenjtur e në beftë. “Ndoshta e ka, ngaqë rri gjithmonë i vëmendshëm e i gatshëm”, mendoi një çast Bedriu... Megjithatë, iu drodh trupi kur duke dalë nga qytetit, shoferi pyeti civilin ç' duhet të bënte: Të ndalonte apo të ulte shpejtësinë e makinës? Përgjigjen nuk e dëgjoi, sepse u fol me zë të ulët. E kuptoi që ra shpejtësia e makinës, pak e nga pak. Çuditërisht, makina hyri në një vend ku degëzoheshin dy rrugë, e reja me të vjetrën, mu afër Hormovës, sapo kalon pasarelën, që e lidh rrugën me atë fshat. Makina ktheu djathtas dhe vazhdoi në rrugën e vjetër, deri sa u bindën që, rreth e rrotull, s'pipëtinte këmbë njeriu. Ndaluan. Bedriut iu duk sikur diçka i lëvizi në thellësi të trupit. "Mashtrim", mendoi një çast, duke pritur me ankth. Gjaku i lëvizi vrullshëm dhe i bllokoi grykën, qafën, kokën... Në bark, poshtë, iu krijua një ftohtësi prej akulli...edhe këmbët iu bënë akull. Makina që u fsheh tinëz, në “rrugën e vdekur”, i kalli tmerr... “Njerëzit e panjohur” e mashtruan dhe e sollën deri këtu....“Me siguri kanë qëllime të mbrapshta”, mendoi. Po cilët janë këta, vallë?”... Mos janë agjentë të huaj që kërkojnë sekrete ushtarake? Ç’ sekrete ruaj unë i ziu? Lopatat e kazmat e repartit?!... Apo duan të më zhdukin? Përse vallë?... Apo duan që t’u shërbej interesave të tyre?."
I erdhën këto mendime vetëtimthi, njëlloj siç ndodh nëpër filma... Ndërkohë, civili u përkul, mori diçka poshtë këmbëve dhe u kthye me fytyrë nga ai, me kobure në dorë e një palë pranga gjermane. -Në emër të popullit je i arrestuar! Mos lëviz!...- i tha, ndërkohë që ushtaraku pranë e pushtoi me të dy krahët - Jam përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, vazhdoi, quhem Agim, kurse ushtaraku pranë teje përfaqëson Ministrinë e Mbrojtjes, meqë ti je ushtar. E quajnë Sadik... Futi duart në hekura! Mos kundërshto! Është e kotë...të humbasim kohë.... Kemi rrugë të gjatë... Jepi! Mos ki frikë!...Jemi Shteti.... Besmirit i shkriu gjaku. Mendoi më të keqen. - S'kam frikë.... s’trembem. S'i kam bërë njeriut keq... as Shtetit! - ia ktheu preras e qortueshëm - Por s'e kuptoj: Jam ushtar që po transferohem.... S'ju njoh.... Pastaj.... Përse kështu...fshehurazi? - S'të japim llogari ty si duhet t’i arrestojmë njerëzit.... Ai që fliste gjithë kohën ishte një nga korifenjtë e Sigurimit të Shtetit, Mark Dodani, i cili edhe sot, në të ashtuquajturën demokraci, "këndon" ende si bilbil nëpër gazeta, duke treguar heroizmat e bashkëpunëtorëve e tij, si në kohën e Diktaturës, kur njerëzit e zinj të Sigurimit përshkruheshin si heronj me ngjyra të flakërimet (!)...Emrin e vërtetë Bedriu ia mësoi gjatë hetuesisë, ngaqë ai iu shfaq disa herë si "specialist", për t' ua lehtësuar punën hetuesve për të “zbërthyer” djaloshin-ushtar, ngaqë ky tregohej kokëfortë për të pranuar krimet e bëra për eliminimin dhe rrëzimin e Pushtetit Popullor.... Hiqej i sjellshëm, konfidencial me “ushtarin” e “vulosur” në birucën 47, në Burgut 313, të sigurisë së lartë, në Tiranë, të cilin, ndryshe nga të arrestuarit e tjerë, nuk e nxirrnin asnjë sekondë në ajrosje, as në dush për të larë trupin ( Ndërsa rrobat e ushtarit, nga zhuli dhe pocaqia ishin bërë si të ngrira, mushama), as tek berberi për ta rruar e qethur, ( tamam si Robinso Kruzo, me flokë e mjekër të gjatë)... E merrnin dhe e sillnin nga hetuesia të mbuluar me batanije, kokë e këmbë)... Mark Dodani, si mjeshtër që “thyente vetëm trimat", hera-herës e nxirrte "Robinso Kruzo" në tarracën e katit të dytë, ku ajroseshin gratë e arrestuara, pikërisht në orarin e daljes së dy prej tyre, të bukura e të kolme, dhe e provokonte: - Shiko djalosh, jeta për ty që sapo ka filluar është e bukur, tërheqëse... Mirëpo, të ardhmen e ke vetë ti, në dorë... Ne mund të të ndihmojmë që të ecësh në jetë si njeri normal, me nevojat e domosdoshme që ka njeriu i lirë ... Nuk ua bëjmë të gjithëve këtë ofertë...Ti përfiton nga mosha dhe inteligjenca që ke.... Ndryshe, me keqardhje ta them se të pret eliminimi!.... I kemi llogaritur më së miri të gjitha. Jashtë është hapur fjala, sikur Bedri Çoku është transferuar në një repart ushtarak në Librazhd, afër kufirit... E kupton lojën tonë? Dy rrugë të kanë mbetur: Po s’pranove të bashkëpunosh... ti tentove të arratiseshe dhe rojat në kufi...të vranë! Me këto shfaqje Besmiri qeshte, sepse i dinte lojërat mashtruese të Sigurimit të Shtetit, nga rrëfimet e babait që kishte qenë 11 vjet në burg.... Ndërsa emrin e ushtarakut, e lexoi në procesverbalin e mbajtur atë natë në burgun 313, pasi e dorëzuan tek rojat e brendshme. Aty ku firmosi Bedriu për sendet personale, kishte firmosur edhe Agron Çoba. Person me të cilin u takua përsëri disa vite më vonë, por jo në kushte të ngjashme, siç gjendej në pozicionin e kapos së Sigurimit të Ushtrisë, por si i burgosur dhe bashkëvuajtës në qelitë e burgut të Burrelit ...


I internuar politik, shkrimtar *

gazeta SOT
 

Uarda

Besimi yt dhe i imi gjykohen çdo ditë.
Staff member
Moderator/e
Regjistruar
Jun 23, 2020
Mesazhe
1,896
Pëlqime
822
Pikë
113
Location
Bornholm Danimarke
Kush ishte ne te vertete armiku i shqiptareve? Diktatura apo demokracia perendimore?
Sigurimi: Si lindi dhe u organizua Fronti i Rezistencës


Mark Dodan | 06/02/2009 |


Rrëfimi i Mark Dodanit për veprimtarinë e elementëve antikomunistë në fund të viteve '40.

Elementët antikomunistë që vepronin në Shqipëri pas instalimit të regjimit komunist, kërkonin të kthenin në fuqi "një qeveri të tipit të perëndimit, që do të shpallte menjëherë politikën e neutralitetit.


Qeveria e re duhej të kishte si parim kryesor lirinë e fjalës, shtypit, mbledhjes dhe organizimit. Por, një nga parimet kryesore të tyre ishte lufta për Shqipërinë etnike, ku do të përfshiheshin Kosova dhe Çamëria.


Ata luftonin për ruajtjen e pronës private dhe për kthimin e pasurisë klasave të prekura prej reformave të pushtetit". Ky është misioni i Frontit të Rezistencës, i përshkruar nga njëri prej emrave më të njohur të ish-Sigurimit të Shtetit, Mark Dodani, i cili e përshkruan këtë te shënimet me titull "Fronti i heshtun", në fund të viteve '60. Dodani ia kushton pjesën kryesore themelimit të Frontit..., mënyrës së rekrutimit të drejtuesve dhe anëtarëve, shumica të shpronësuar nga regjimi komunist. Në këtë pjesë përshkruhet puna për ngritjen e strukturave dhe organizimin e celulave nëpër rrethe nga ana e drejtuesit Hamdi Frashëri, në vitet 1948-1949.


Një nga eksponentët kryesorë të reaksionit të brendshëm, ishte Hamdi Frashëri, me origjinë nga katundet e Përmetit dhe që punonte në administratën e spitalit civil në Tiranë. Ishte nga një shtresë e pasur dhe kushëri me Mit'hat Frashërin (ky i fundit ishte Kryetar i Ballit Kombëtar në emigracion dhe më vonë i Komitetit Shqipëria e Lirë. I këshilluar nga anglezët, Hamdi Frashëri e përkrahu luftën Nacionalçlirimtare për një periudhë të shkurtër, por më vonë, nën influencën e Ballit Kombëtar, dezertoi. Ai u bë komandant ballist dhe veproi në zonat e Kolonjës dhe të Korçës. Në çlirim ishte arrestuar dhe më vonë ishte liruar nga burgu.



Ndër elementët kryesorë ku u mbështet Hamdi Frashëri, ishte edhe "Kaçiatori", me origjinë kosovare, rrobaqepës në Pazarin e Ri të Tiranës. Ky u njoh me Hamdi Frashërin gjatë okupacionit në Kosovë. Qysh nga marsi i vitit 1946, Hamdi Frashëri i kishte thënë "Kaçiatorit" se gjendja nuk ishte e qëndrueshme dhe se anglo-amerikanët nuk do të lejonin në asnjë mënyrë ekzistencën e një Shqipërie socialiste. Të dy kishin qenë të një mendimi se ndryshimi i gjendjes në Shqipëri, që duhej të bëhej me ndërhyrjen e anglo-amerikanëve, duhej të kishte si qëllim jo vetëm rivendosjen e rendit të vjetër çifligaro-borgjez, por edhe krijimin e Shqipërisë etnike, që të përfshinte Kosovën dhe Çamërinë. Parulla për krijimin e një "Shqipërie etnike" vazhdonte të ishte një nga parullat e organizatave reaksionare emigrante, që kishin për qëllim të mobilizonin për veprimtari kundër pushtetit, masa sa më të gjera.

Hamdi Frashëri mori iniciativën për të organizuar një lëvizje të re kundër pushtetit. Në tetor të vitit 1948, Hamdi Frashëri i shfaqi "Kaçiatorit" idenë e organizimit dhe mënyrën e aktivizimit të elementëve të predispozuar për të luftuar kundër pushtetit popullor. Hamdi Frashëri mendonte në atë kohë se lufta në Shqipëri nuk mund të fillohej po të mos kishte këto kushte: organizatë politike si bazë të brendshme, lidhjen me të arratisurit politikë dhe mbështetjen në një fuqi të jashtme.

Ai kishte përcaktuar edhe parimet themelore, mbi të cilat do të mbështetej lëvizja për përmbysjen e pushtetit popullor, që ishin: pushtetin popullor e konsideronin antikombëtar, terrorist dhe tradhtar, të shitur te interesat të huajve, kërkonin përmbysjen e tij për ta zëvendësuar me një qeveri të tipit të perëndimit, që do të shpallte menjëherë politikën e neutralitetit. Qeveria e re duhej të kishte si parim kryesor parullat demagogjike, në të cilat të flitej për liri fjale, shtypi, mbledhjesh dhe organizimi.

Por, një nga parimet kryesore të tyre, ishte lufta për Shqipërinë etnike, ku do të përfshiheshin Kosova dhe Çamëria. Ata thoshin se nuk duhej të kishte ushtri popullore, sepse, sipas tyre, ajo ishte një barrë e rëndë në kurriz të ekonomisë së vendit. Organizata e kryesuar nga Hamdi Frashëri duhej të luftonte për ruajtjen e pronës private dhe për kthimin e pasurisë klasave të prekura prej reformave të pushtetit popullor. Duke përcaktuar parimet organizative, Hamdi Frashëri theksonte se anëtarët e organizatës duhet të mos njiheshin ndërmjet tyre. Në këtë mënyrë, Hamdi Frashëri shtronte idenë e organizimit të sektorëve me kryetarë, nënkryetarë dhe anëtarë. Ai udhëzonte që kryetari të kishte lidhje jo më tepër se me tre nënkryetarë dhe nënkryetari me tre anëtarë. Kështu, kjo formë u quajt organizim mbi bazën e treshes. Nënkryetarët e sektorëve do të kishin lidhje direkte me kryetarin dhe me anëtarët e Komitetit Qendror.

Në nëntor të vitit 1948, Hamdi Frashëri bisedoi edhe me shokun e tij të vjetër, "Mentorin", i cili i tha se kishte një grup prej tre vetash në Korçë, të cilët ishin të gatshëm të bëheshin pjesë në çdo organizatë, mjafton që të luftohej kundër pushtetit.

"Mentori" kishte kulturë dhe aftësi organizative. Gjatë kohës së pushtimit fashist Italian, kishte qenë oficer i Kuesturës, prandaj e njihte artin e punës së fshehtë. Ideja e Hamdi Frashërit për t'u organizuar kundër pushtetit popullor gjeti mbështetje, përgjithësisht, te elementët e prekur dhe të pakënaqur nga reformat. Kjo inkurajoi atë që të mendojë konkretisht se si duhej bërë organizimi, me çfarë emri ta quante organizatën e tij dhe çfarë masash duhej të merrnin për t'u shpëtuar ndjekjeve të Sigurimit të Shtetit. Kështu, për herë të parë, në dhjetor 1948, Hamdi Frashëri, në bisedë me "Kaçiatorin" dhe M.Ç. si dhe në një dokument me shkrim, shprehu idenë që organizatën ta quante Fronti i Rezistencës shqiptare.


Organizimi i saj të fillohej mbi bazën e treshes. Në këtë mënyrë do të evitohej njohja e anëtarëve në mes tyre dhe zbulimi i njërit nuk do të rrezikonte të gjithë organizatën. Motoja kryesore e organizatës në periudhën e parë, sipas Hamdi Frashërit, duhej të ishte: "...Armiku të përgjon! Ruaju, puno dhe mos u tremb!"). Hamdi Frashëri punoi edhe një skicë organizative fillestare të organizatës.

Të orientuar nga ideja që jepet në skicë, organizatorët e Frontit të Rezistencës përpiqeshin qysh në fillim që t'i shpëtonin asgjësimit nga kundërshtarët e tyre. Për këtë arsye, këta mendonin ta ndërtonin punën, në mënyrë që secili të vepronte në konspiracionin më të madh. Hamdi Frashëri e hodhi idenë e formimit të organizatës së Frontit të Rezistencës, në fillim të janarit 1949, në ish-kafe Kursal të Tiranës, përpara "Mentorit", "Kaçiatorit" dhe XH.G. Ky XH.G. ishte me origjinë tregtari të pasur dhe, gjatë kohës së luftës, kishte bashkëpunuar me pushtuesit fashistë kundër lëvizjes Nacionalçlirimtare. Këtë e kishte rekomanduar "Mentori", i cili qysh në dhjetor të vitit 1948 kishte menduar ta caktonte si kryetar seksioni për Korçën. Si nënkryetarë, XH.G. propozoi të rekrutonte A.B. dhe K.P..


"Mentori" i kishte raportuar H. Frashërit se XH.G. me shokët e tij kishte dashur që të arratisej në Greqi, duke patur si qëllim të bashkoheshin me të arratisurit e tjerë shqiptarë dhe të ishin gati kur ta shihnin të nevojshme anglo-amerikanët, të sulmonin Shqipërinë. XH.G. kishte dashur të bashkëpunonte direkt me të arratisurin Selim Mborja nga Korça, i cili vepronte në shërbim të monarko-fashistëve grekë, kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Me Selimin e lidhte e kaluara dhe qëllimi i përbashkët armiqësor kundër pushtetit.


H. Frashëri ishte në dijeni, pra, për qëllimet e Xh.G. dhe të grupit të tij kur u takua me ta. Mbasi diskutoi për gjendjen e tyre, i porositi: "Nuk duhet të arratiseni. Më përpara duhet organizim. Ndryshe do të shkoni e do të ktheheni kot, si shumë të tjerë. Pa organizim lufta nuk kuptohet dot dhe as përkrahja nga jashtë nuk mund të sigurohet në asnjë mënyrë".

Hamdi Frashëri e kishte zakon të vepronte shpejt e shpejt, sepse kështu, siç thoshte vetë: "e kërkonte momenti politik", në të cilin po kalonte vendi ynë. Ai, pa e zgjatur, e caktoi Xh.G. Kryetar të sektorit të Korçës. Më vonë e quajti Komitet qarkor dhe e ngarkoi me detyrën e organizimit të sektorit të tij...


Në vazhdim të veprimtarisë së tyre për organizimin e Frontit të rezistencës, drejtuesit e kësaj organizate: Hamdi Frashëri dhe M.Ç., në shkurt të vitit 1949, në hotel Dajti të Tiranës, rekrutuan D.C. nga Peqini i Elbasanit. Ky kishte mbaruar shkollën normale në të kaluarën, kishte qenë eksponent i Ballit Kombëtar dhe kishte marrë pjesë në luftë kundër Luftës Nacionalçlirimtare. Mbas çlirimit të vendit ishte dënuar me 10 vjet burg si armik i popullit, por më vonë ishte liruar në bazë të një amnistie. Meqë D.C. ishte i njohur prej Hamdi Frashërit dhe M.Ç. si element i gatshëm për të luftuar në të gjitha format kundër pushtetit popullor, më 5 shkurt 1949, në hotel Dajti, u propozua hapur që të bëhej pjesëtar i organizatës Fronti i Rezistencës. Duke folur për strukturën organizative, H. Frashëri i tha që të ishte "...i sigurt se në bazë të kësaj forme nuk do të kishte kurrë ndonjë rrezik për t'u zbuluar".

D. C., si element që priste vetëm rastin për t'u aktivizuar në luftë kundër pushtetit, pranoi menjëherë dhe në këtë rast rekomandoi edhe elementë të tjerë. Pastaj shkuan në dyqanin e "Kaçiatorit" ku, mbasi u morën vesh përfundimisht për organizatën Fronti i Rezistencës, e ftuan D.C. që të betohej mbi një flamur kombëtar, që ruhej në dyqan. D.C. betohet për ruajtjen e sekretit të organizatës dhe për të shërbyer deri në vdekje kundër pushtetit popullor. Ai caktohet menjëherë Kryetar i sektorit të qarkut të Elbasanit. Me ndihmën e D.C., nga fundi i muajit shkurt 1949, u vendos për të rekrutuar në organizatë M.K., nga Peqini, ish-tregtar i pasur që, gjatë kohës së pushtimit, ishte spiun i Gestapos gjermane dhe i lidhur me shefin e Gestapos së Peqinit, që njihej me pseudonimin "Roku".


Si element i pasur dhe i prekur nga reformat e pushtetit, porsa e njoftuan për formimin e organizatës Fronti i Rezistencës dhe i bënë thirrjen për t'u bërë pjesëtar i saj, ky pranoi. Megjithatë, e ndjente frikën e goditjes nga ana e pushtetit, prandaj qysh në fillim interesohet për masat që ishin marrë në ruajtjen e sekretit. Që ta siguronin për këtë në dyqanin e "Kaçiatorit", i treguan se anëtarët e organizatës, sipas strukturës së saj, nuk do ta njihnin njëri-tjetrin dhe secili do të mbante pseudonim. Mbasi M.K. qetësohet sipas rregullit që kishin filluar të praktikonin, e ftojnë të betohet. Ai betohet dhe angazhohet se të gjithë jetën do t'ia kushtonte Frontit të Rezistencës.


M.K. caktohet nënkryetar i sektorit të Elbasanit. Më 18 mars 1949, H. Frashëri me M.Ç. rekrutuan R.F. nga rrethi i Durrësit, ish-pronar fabrike dhe i prekur rëndë nga reformat e pushtetit. Atë e rekomandoi D.C. për ta bërë pjesëtar të organizatës.


Bisedimet e para me këtë i zhvilloi vetë D.C., i cili i tha se ekzistonte një organizatë e madhe. Me mënyrën që vepronte Hamdi Frashëri me shokë, krijonte bindjen te njerëzit që caktonin t'i rekrutonin se organizata ishte krijuar dhe se gjoja ishte shtrirë në të gjithë krahinat. R.F., në bisedimet e tij të para me D.C., pranoi se nuk duhej të qëndronin indiferentë. Atë ditë, në Tiranë, në dyqanin e "Kaçiatorit", Hamdi Frashëri, "Mentori" dhe "Kaçiatori", e ngarkuan R.F. Kryetar të seksionit të Durrësit. Dhe njëlloj si të tjerët, R.F. u betua dhe mori përsipër të vendosë të gjitha forcat për forcimin e Frontit të Rezistencës, duke u angazhuar për organizimin sa më të mirë të sektorit të tij në Durrës. Nga fundi i marsit 1949, Hamdi Frashëri dhe "Kaçiatori", në dyqanin e këtij të fundit organizuan takimin me H.K., tiranasin e pasur dhe të prekur nga reformat. Në një kohë të shkurtër kishte qenë partizan i Luftës Nacionalçlirimtare, por më vonë kishte dezertuar, duke u bashkuar me forcat e Legalitetit.


Njihej personalisht dhe i qëndronte besnik Kryetarit të Legalitetit, Abaz Kupit. Edhe më përpara, "Kaçiatori" me H.K. kishin shkëmbyer bisedime kundër pushtetit popullor, por vetëm tani iu shfaqën hapur njëri-tjetrit. H.K., kur mori vesh se ishte krijuar "...organizatë e fortë kundër pushtetit popullor", u gëzua shumë dhe pa i nxjerrë ende flamurin e zakonshëm për ta ftuar që ta bënte betimin, ai filloi të flasë vetë se duhej të betoheshin "të gjithë shqiptarët e ndershëm, për të luftuar o sot, o kurrë, mbasi tani që u prishëm edhe me Jugosllavinë, komunistët shqiptarë nuk mund të rezistojnë më, edhe sikur të jenë të gjithë heronj". ..Me rekomandimin e M.Ç., Hamdi Frashëri vendosi të rekrutojë si kryetar sektori në Pogradec, C.Z. Ky ishte mësues dhe vinte nga një shtresë e pasur nga rrethi i Pogradecit. Ishte i prekur nga reformat e pushtetit dhe pasi u prishën marrëdhëniet e vendit tonë me Jugosllavinë, ishte inkurajuar për t'u hedhur në veprime më aktive kundër pushtetit...

Maji i vitit 1949 e gjeti Hamdi Frashërin me iniciatorët e tjerë të organizatës klandestine. Fronti i Rezistencës bën hapin e parë. Mbasi kishin rënë dakord me një pjesë të konsiderueshme elementësh kundërrevolucionarë, u morën vesh plotësisht për formimin dhe organizimin e Frontit të Rezistencës, si e vetmja mbështetje e brendshme për të drejtuar luftën kundërrevolucionare.


Me rekrutimin e këtyre elementëve në Frontin e rezistencës, u hodhën bazat organizative në rrethet, Tiranë, Durrës, Elbasan, Pogradec dhe Korçë. Mandej u vendos shtrirja e organizatës në Veri, sidomos në zonat Krujë, Mirditë, Burrel, Lezhë dhe Shkodër, ku kishte shumë të arratisur, prandaj sipas H. Frashërit, duhej të kishte elementë të mjaftueshëm për t'i rekrutuar.

Nga fundi i vitit 1948 dhe gjysma e parë e vitit 1949, filluan të inkurajohen dhe të organizohen të gjithë reaksionarët shqiptarë jashtë dhe brenda...Diversanti i kapur, Nikollë Nika, duke folur për interesimin e anglo-amerikanëve, deklaronte: "...komisioni hetimor, i përbërë nga anglezë, amerikanë, italianë dhe grekë, erdhi në kampin Llavros të Greqisë, në fillim të vitit 1949, kërkoi të provojë se cilët prej emigrantëve shqiptarë paraqiteshin më të vendosur, për t'u përgatitur për kurse të ndryshme spiunazhi, që më vonë të dërgoheshin si diversantë në Shqipëri".


Gjithashtu, diversanti Ramazan Doka, i kapur nga organet e Sigurimit të Shtetit, kur shpjegonte se anglo-amerikanët në Itali dhe në Greqi ishin si në shtëpitë e tyre dhe vepronin kundër Shqipërisë, deklaronte se: "..Në Greqi, në fillim të vitit 1949, mbetën krerët e Ballit, të Legalitetit e Bllokut independent dhe të Partisë Agrare, për t'u interesuar që të përgatiteshin emigrantët, të cilët me urdhër të anglo-amerikanëve, do të dërgoheshin në Shqipëri". Sipas këtij deviersanti, "më datën 28 mars 1949, në kampin e Llavros (Greqi) ka ardhur një anglez së bashku me korofillakët grekë, i cili bëri regjistrimin e 450 shqiptarëve në këtë kamp.

Ai vuri 25 ose 30 makina (kamionë) në dispozicion dhe organizoi nisjen e disa emigrantëve shqiptarë për në skelën e Piresë, në Greqi. Prej aty, sipas urdhrit të anglezit, i cili kishte përgatitur dhe dokumentet përkatëse, grekët i nisën me vapor ushtarak për në Bari të Italisë. Këtu arritën në 31 mars 1949 dhe pastaj italianët i dërguan në kampin e Santa Faros...
(Vijon)

shekulli
 

Uarda

Besimi yt dhe i imi gjykohen çdo ditë.
Staff member
Moderator/e
Regjistruar
Jun 23, 2020
Mesazhe
1,896
Pëlqime
822
Pikë
113
Location
Bornholm Danimarke
Infiltrimi i Sigurimit te Fronti i Rezistencës
Mark Dodani | 07/02/2009


Rrëfimi i ish-punonjësit të Sigurimit, Mark Dodani, për lojën e agjentëve të fshehtë

(Vijon nga numri i kaluar)

Ndërsa në pjesën e kaluar u njohët me rekrutimin e anëtarëve dhe drejtuesve dhe organizimin e organizatës Fronti i Rezistencës, në këtë pjesë flitet për infiltrimin e agjentit të Sigurimit të Shtetit në organizatë, për të mësuar nga brenga mënyrën e organizimit, shtrirjen dhe planet për të vepruar kundër regjimit komunist.

Njerëzit e Frontit të Rezistencës përpiqeshin që, duke punuar kundër pushtetit, të merrnin njëkohësisht të gjitha masat e sigurimit të tyre. Për këtë arsye "Kaçiatori" me të tjerë, sipas orientimit të Hamdi Frashërit, filloi punën për të rekrutuar persona me kredi, të cilët ishin oficerë të Sigurimit të Shtetit.

Këta, sipas planit të tyre, duhej t'i përdornin si kundërinformacion në organet e Sigurimit të Shtetit dhe njëkohësisht si ndërlidhës me sektorë të ndryshëm. Sigurimi i Shtetit, duke qenë në dijeni të plotë të qenies së të ashtuquajturës organizatë Fronti i Rezistencës, për qëllime të mëtejshme zbulimi, veç të tjerëve, përgatiti dhe e ofroi oficerin e Sigurimit "Tigrin".


Ai ishte komunist dhe kishte një rreth të gjerë shoqëror (jo vetëm me punonjësit e Sigurimit). Kështu, nga fundi i qershorit të vitit 1949, "Kaçiatori" filloi të përparonte në bisedimet e tij me "Tigrin".


Por, ky, si gjithë shokët e tij të Sigurimit, kishte si detyrë kryesore të zbulonte dhe të godiste pa mëshirë çdo armik të partisë. Mbasi vuri re se "Kaçiatori" e provokonte shpesh, "Tigri" nxori përfundimin se ai donte ta hidhte në kurth.


Për këtë, "Tigri" njoftoi pa vonesë shefin e tij, megjithëse kishte marrë udhëzimin e përgjithshëm se si duhej të vepronte, në qoftë se do të ndodhej në situata të jashtëzakonshme. Natyrisht, "Tigrit" nuk mund t'i jepeshin receta, por i dhanë orientim që të ruante gjakftohtësinë dhe të hynte sa më thellë në rrjetën e organizatës.

Kështu, armiku do të tërhiqej për një kohë sa më të gjatë dhe sa më thellë në kurthet që përgatiteshin nga Sigurimi. Dhe "Tigri" manovronte me "Kaçiatorin" si me "mikun" e tij, për ta çorientuar atë.


"Kaçiatori" kishte udhëzim që të punonte me takt. Në qoftë se "Tigri" gradualisht do të pranonte bisedimet për vështirësitë ekonomike, për gjendjen e për kushtet e "rënda" të vendit, atëherë "Kaçiatori" "do të hidhej në sulm". Kjo ndeshje midis "Tigrit" dhe "Kaçiatorit" vazhdoi për disa kohë.


Kur "Kaçiatori" mendonte se e kishte provuar që "Tigri" ishte i "lëkundur", së bashku me Hamdi Frashërin, vendosën ta shtinin në kurth. Dhe më datën 3 korrik 1949, e ftuan në dyqan. Atje organizuan një darkë dhe përgatitën rrethanat për të zhvilluar
bisedime "konspirative". Në bisedë e sipër, Hamdi Frashëri i tha hapur se: "..oficerët e Sigurimit kishin hije të rëndë, por ai dukej si i shtëpisë". "Tigri", si pa e kuptuar ende se ku donte të dilte me këto fjalë Hamdi Frashëri me "Kaçiatorin", e kaloi bisedën me të qeshur. Mandej biseduan për situatën e jashtme dhe të brendshme.

"Tigri" "pranoi" plotësisht pikëpamjet e Hamdi Frashërit, se Shqipëria e kishte shumë të vështirë në të gjitha fushat, qofshin këto ekonomike apo politike, dhe se ekonomia jone, sipas Hamdi Frashërit, "nuk mund të përballonte vështirësitë pa patur miq afër kufijve, aq më tepër pse Kosova dhe Çamëria janë jashtë kufijve të Shqipërisë.

"Tigri", për t'u treguar se ishte i një mendimi me pikëpamjet e Hamdi Frashërit, iu përgjigj se, "sikur ta derdhte gjakun për Kosovën, edhe varri do t'i dukej lule". Dhe të kënaqur nga bisedime të tilla, "miqtë" vendosën që ta rekrutonin "Tigrin". "Kaçiatori", i sinjalizuar nga Hamdi Frashëri, nxori flamurin kombëtar.

E hapi me kujdes dhe iu drejtua Hamdi Frashërit: "Tani mund ta merrni fjalën Hamdi". H. Frashëri, duke përqafuar "Tigrin", i tha: "Për ju e kemi...", dhe, ai, si pa gjë të keq, iu përgjigj: "Duket se ky flamur po na thërret për të çliruar Kosovën". Pas kësaj "ceremonie", "Tigri" priste fjalën e Hamdi Frashërit.

Ai i tha se kishin vendosur të bisedonin me të për një çështje me rëndësi jetike, për situatën që kalonte Shqipëria, prandaj, meqë e konsideronin si shok shumë të afërt, e ftuan të betohej, përpara bisedimeve mbi "flamurin" kombëtar.

"Tigri", si i habitur, u kërkoi të dinte se për çfarë betimi bëhej fjalë. Hamdi Frashëri e "sqaroi" se në Shqipëri vepronte organizata Fronti i Rezistencës. I tregoi qëllimet e kësaj organizate dhe për përkrahjen që kishte gjetur nga "të gjitha shtresat e popullit" dhe për lidhjet që kishte arritur t'i krijonte me vendet e Perëndimit. Më në fund i tha se së shpejti pritej ndryshimi i situatës.


"Tigri" u tregua se ishte dakord me propozimin e Hamdi Frashërit dhe, për t'i siguruar për "besnikërinë" e tij ndaj Frontit të Rezistencës, në fillim hezitoi dhe u la të kuptonin se besën shqiptare e respektonte dhe gjakun jepte për të, por më parë "duhej parë mirë puna"...Kur "Tigri" e ndjeu veten të "rekrutuar" nga krerët e Frontit të Rezistencës, u betua mbi flamurin që e kishin shtrirë mbi tavolinë.


Përpara Hamdi Frashërit dhe "Kaçiatorit" u paraqit plotësisht i vendosur për Frontin e Rezistencës dhe u angazhua se nuk do të kursente as jetën për çështjen e organizatës.
Detyra kryesore që iu dha "Tigrit" ishte të sinjalizonte sa më shpejt Hamdi Frashërin dhe "Kaçiatorin" për të dhënat që mund të merrte Sigurimi i Shtetit për organizatën. Me këtë rast, "Tigri" mësoi se organizata ishte e shtrirë në një pjesë të madhe të krahinave të Shqipërisë dhe se si drejtues kryesorë kishte një person me pseudonimin "Besniku", kurse ndër kryesorët ishte edhe Hamdi Frashëri (të cilit nuk ia dinte pseudonimin" me "Kaçiatorin".


Më datën 4.VII.1949, "Tigri" i raportoi shefit të tij në Sigurim se: "...Hamdi Frashëri me "Kaçiatorin", me datën 3.VII.1949, nga ora 21 deri në 24, më kanë treguar se kanë formuar një organizatë të fshehtë me emrin Fronti i Rezistencës shqiptare, që shtrihet si të thuash në të gjitha krahinat e Republikës dhe që në krye të së cilës, thonë se është një njeri me pseudonimin "Besniku".


Ata kërkojnë që unë të informoj nëse organet e Sigurimit të Shtetit bien në gjurmë të kësaj organizate, me qëllim që, po e panë keq, të arratisen, dhe veprimtarinë e tyre ta vazhdojnë në mal".

***

Hamdi Frashëri, qysh prej nisjes së Z.H. në Jugosllavi, nuk kishte marrë asnjë lajm, prandaj, më 5.VII.1949 u takua me "Surratin" dhe e ngarkoi me detyrën që të kalonte në Jugosllavi dhe në "Komitetin e Strugës (zyra e informacionit" të dorëzonte letrën që do t'i jepej nga ana e Frontit të Rezistencës". Kur mori letrën, "Surrati" u paraqit i frikësuar, prandaj, për t'i dhënë guxim, Hamdi Frashëri i tha: "Kështu "Surrat"! Mos ki frikë, se letra nuk do të diktohet, mbasi në një anë është lutje dhe nga ana tjetër është shkruar me bojë që nuk duket dhe nuk kuptohet, edhe po qe se të kontrollojnë".
Në arkivin e Ministrisë së Brendshme, dosja numër 302/F, faqe 68, jep pyetjet që oficerët e UDB-së i kishin bërë "Surratit" për Frontin e Rezistencës, si më poshtë: "Ku e njeh Hamdiun? Shtëpinë ku e ka? Sa vëllezër janë? A ka grua dhe fëmijë? Çfarë pune bën dhe çfarë burri është? Nga është?
Nga ana e tij, "Surrati" u përgjigj: "Jam njohur me të në Tiranë, nëpërmjet C.Z. Shtëpinë e ka te Rruga e "Dibrës". Nuk di sa njerëz ka në familje. Punon në spitalin Civil. Është njeri me kulturë".
"Surrati", i vendosur në rrugën e tij si agjent i UDB-së dhe tani në favor të Frontit të Rezistencës, merr letrën dhe niset nga Tirana për në katundin e tij, Rajcë. Më datën 9 korrik 1949, ai u largua nga shtëpia e tij në drejtim të kufirit (pasi u sigurua se nuk kishte ndonjë lëvizje të jashtëzakonshme).

(Vijon)

shekulli
 

Uarda

Besimi yt dhe i imi gjykohen çdo ditë.
Staff member
Moderator/e
Regjistruar
Jun 23, 2020
Mesazhe
1,896
Pëlqime
822
Pikë
113
Location
Bornholm Danimarke
Ish-agjenti i Sigurimit të Shtetit, Mark Dodani, rrëfen historinë e grave "agjente" gjatë viteve të pas Luftës së Dytë Botërore

Gratë që u vunë në shërbim të Sigurimit


Armand JONUZI

Një ndihmë të madhe Sigurimit të Shtetit në luftë kundër bandave diversante kanë dhënë edhe gratë. Madje shumë prej tyre kanë dhënë edhe jetën. Ish-agjenti i Shërbimit Sekret, Mark Dodani, rrëfen për "Tirana Observer", historinë e disa prej grave "agjente" që kanë ndihmuar Sigurimin në luftë kundër bandave diversante. Ai tregon edhe historinë e Pashke Prelës, një nga "agjentet" e para të sigurimit e cila u vra nga Komiteti i Maleve.

Perla të "Frontit të Heshtur".
Ka poetë që kanë vargëzuar, që guaskat boshe i gjen të shpërndara brigjeve të detrave, larë e pa larë "se perlat e vërteta, zemra dhe deti brenda i mbajnë". Këto perla nga fronti i heshtur, në këtë 8 mars të 2006-ës, na vinë para syve si një spektakël gjigand qëndismash kombëtare. Që këtej shquaj me sytë e mendjes figura shqiptarkash të qeshura, serioze, të dashura, të vendosura, gjithnjë përkushtuar mbrojtjes së Atdheut.
Këto zonja kanë qëndisur në kujtesën tonë emra, shumë emra që ruhen në imazhin e frontit të heshtur "si perlat, të cilat zemra dhe deti thellë i mbajnë".
Në këtë 8 mars, vështirë që ndërmendësive tona të kalohet pa kujtuar...Dëshmorja Pashke Prela, bijë e fshatit Miliska të shatë bajrakëve të Pukës, ka stërpikur me pika të kuqe këmesën e saj, me të cilën kishte prerë dru pylli, sa herë ia donte nevoja e ngrohjes së vatrës midis bjeshkëve të Aprripës së Gurit. Madje, Pashke Prela, bijë Miliskau dhe nuse Aprripe ngjante si "krajleshë" midis bjeshkëve të mbiquajtura të Shllumit, që i bëheshin Merkurit të Gurit, Nikajve, hija e të cilave shtrihej nga Bregdrini i rrëmbyeshëm, nëpër Kokdodë, Fierzë, Bugjon, Guri i Jeremnicës e deri në Iballë. Ama Aprripës së Gurit, ato hije bjeshkësh i hiqeshin vetëm ndonjë dyorësh. Ndaj shokë e shoqe të shërbimeve sekrete në frontin e heshtur sapo hynin nën strehëzat e aprripasve shikonin lahutë e çifteli, që në duar rapsodësh lëshonin këngë të përmallshme kushtuar Aprripës: "Moj Aprripë, Aprripë e ngratë/ Hana e dielli të binë në t'prapë/ Hahen cila kesh është darkë".
Vetë Pashke Prela nuk mungonte të ndjehej e përkëdhelur nga ata tinguj rapsodikë, se midis atyre bjeshkëve dielli e hëna nuk e shikonin mbi dy orë. Kryqëzonte sytë e ndritur me bijë e bija të Frontit të Heshtur. Në atë "Aprripë të ngratë", Pashka jetonte me dy djem në rritje e sipër, ende pa kapërcyer moshën e adoleshencës. Burri i saj, Pjetri, e kishte lënë vetëm, kishte ndërruar jetë.
Për ne ti ke mbetur "kraileshë në këto male", e pagëzoj me këtë pseudonim oficeri i Frontit të Heshtur, Lekë Berisha, i cili bashkë me nënën e tij, nënë Preça Ukaj, njohur nënë partizane, bujtën atë natë të viteve 1946-47 në shtëpinë e Pashke Prelës. Kjo kishte njoftuar Lekë Berishën se banda e "Komitetit të Maleve", njohur me nofkën "Keqanajt", kishte kërcënuar që Pashke Prela t'iu bindej domosdo urdhrave të tij, ndryshe do ta vriste dhe do t'i digjte shtëpinë. Në ato kushte Pashka ofrohet si punonjëse e heshtur.
Në muajt e fundit të 1946 ose të fillimit të 1947, Lekë Berisha, tashmë i njohur dëshmor i atdheut, tërheq mendimin e shefit të Punëve të Brendshme të Pukës dhe kombinon me ish-komandantin e vendit të Iballës, me oficerin Ismail Bare, që të rrinin në gatishmëri deri sa banda "Keqanaj" të fiksohej kur të hynte në shtëpinë e Pashkës.
Kjo, me finesën e dinjitetin që karakterizon gruan shqiptare, kur hyri banda në shtëpi manovron me "Keqanajt". Pasi i qetëson në shtëpi, strehuar në fshehtësi të plotë, diku në bodrum ku kishte bagëti, kishte bindur "kryebanditin", që do të delte me këmesën e saj për të prerë dru në pyllin afër, dru, të cilat do t'i sillte për ngrohje në zjarrin që po fikej. Banditët ishin të qetë, sepse në atë vend aq të thyer, si Aprripa e Gurit, zor t'i vinte mendja ndokujt, që aty, te një zonjë me dy fëmijë në rritje e sipër, do të ishin strehuar banditë.
Oficer Ismail Bare, veshur si fshatar, ishte i gatshëm sapo Pashke Prela e njoftoi se në shtëpi kishte "Keqanajt". Pa një pa dy Pashka u kthye në shtëpi me një ngarkesë drush në krah. Forca të pakta, rreth dhjetë policë e partizanë bashkë të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, të cilët morën iniciativën. Rrethojnë shtëpinë. Pashka çorienton "kryebanditin". Alarmon se dikush lëvrinte rreth shtëpisë. Bile kishte venë re lëvizje njerëzish kur vajti me këmesë tek drutë, prandaj kishte "frikë" se mos rrethohej. Në ato kushte "kryebanditi" çalltisi. Pashka i mbushi rëndë çantat me ushqime: djathë, turshi, bukë, ndërkohë që midis ushqimeve iu kishte futur sende të rënda, madje dhe gurë, me qëllim që kur të dilte nga dera të mos ishte në gjendje të vraponin për t'iu ikur forcave që i kishin rrethuar. "Kryebanditi" doli jashtë. Plasi pushka. Disa u vranë, "kryebanditi" iku në drejtim të lumit Drin.
Kjo ngjarje diktonte marrje masash të reja për sigurimin e jetës së Pashke Prelës. Ju kërkua ta linte shtëpinë dhe të sistemohej diku në qytet, si në Shkodër. Nuk pranoi, me shpresën se nuk e kishin pikasur që Pashka do të kishte qenë "hiekësia", d.m.th sipas gjuhës së vendit, organizatorja e rrethimit dhe asgjësimit të bandës. Pas disa muajsh në Aprripë të Gurit, pikërisht në shtëpinë e Pashke Prelës së Miliskaut ndodhi tragjedia. "Kryebanditi", që i shpëtoi rrethimit kishte konkluduar se Pashke Prela e kishte venë në darën e forcave goditëse sapo kishte dalë nga shtëpia e saj. Hyri befasisht në shtëpi natën. Theri me thika Pashke Prelën në sytë e fëmijëve. Njëri nga fëmijët, Gjuku, iu hodh kriminelit. Ky, i goditur me këmesën pika-pika gjaku, në dorë të Pashkës, prapse prapë mundi të ikte, teksa Pashkën e lëshoi në pellgun e gjakut të saj, ndërkohë që të dy fëmijët ishin strukur ngjitur trupit të nënës së lulëzuar gjithë njolla të kuqe. Prani fshati. Alarmi përfshiu gjithë malësinë. Pashke Prela u qëndis me filigramet e përgjakta të këmesës së saj pika-pika të kuqe. Emri i saj qëndisi bukuritë e atyre maleve të Aprripës së ashpër, por madhështore. Kështu ra më vonë dëshmor për mos t'u harruar kurrë edhe bashkëpunëtori i saj i ngushtë, Lekë Berisha. Nëna e Lekës, Preça Ukaj, nga fshati Mëzi i shtatë bajrakëve të Pukës, e cila ishte e martuar me Berishën, ku kishte lindur djalin e saj të vetëm, Lekën, vazhdoi deri në fund të jetës amanetin e të birit. Madje njihet që në Iballë, Preça Ukaj ka luftuar me armë në dorë, si në kohën e LANÇ-it kundër okupatorit si partizane bashkë me djalin e vet, por edhe kundër bandave, duke u bërë si nënë e vërtetë e gjithë krahinës Pukë-Mirditë ku bënte pjesë.

Jeteshkrimi

Emri: Mark

Mbiemri: Dodani

Ditëlindja: 24 shkurt të vitit 1926, në Naraç të Shkodrës

Arsimimi: Mbaroi shkollën fillore në Orosh të Mirditës.

Më pas mbaron gjimnazin në Tiranë.
Në vitin 1964, kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakul- tetin Histori-Filologji, dega Gjuhë dhe Letërsi. Studimet pasuniversitare i ka përfunduar në vitin 1976, pranë sh kollës së Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Eksperienca:
Ka qenë partizan që në vitin 1943 dhe me përgjegjësi që në kohën e luftës. Ka punuar mbi 35 vjet në organet e Sigurimit të Shtetit
ku ka luftuar kundra bandave. Pas daljes në pensionin e parakohshëm, u atashua si shkrimtar i lirë pranë Kinostudios "Shqipëria e Re". Ka shkruar 3 romane, një monografi, dhjetë novela, disa vëllime me tregime, tre skenarë filmash artistikë dhe pesë skenarë dokumentarësh.

tirana observer
 
Top