Jalal al Din- ''Rumi''

Passion

V.I.P
Staff member
Administrator/e
Regjistruar
Jun 22, 2020
Mesazhe
2,484
Pëlqime
1,818
Pikë
113
Fundi i shekullit XI karakterizohet me konflikte të mëdha politike dhe shoqërore. Selxhukët, shteti më i fortë musliman në atë kohë, ishte lodhur nga problemet e brendshme ndërmjet disa sunduesve muslimanë që luftonin për fron, madje disa herë deri në vrasje të njëri-tjetrit. Kemi edhe disa kryengritje popullore nëpër krahina, disa rebelime të vezirëve, që qendrën e rraskapiti maksimalisht. Roli i halifit ishte rrëgjuar vetëm në fushën shpirtërore-morale. Këtyre rënieve dhe këtij kaosi i dha fund ardhja në skenë të Shtetit Osman në vitin 1299.
Po ashtu, nga jashtë depërtimet e shumta të mongolëve tashmë nuk paraqisnin vetëm incidente, ndërhyrje kufitare, por u ngjanin pushtimeve klasike.
Nga ana tjetër, edhe Perëndimi në këtë kohë vuante nga ndarjet e shumta. Më 1190, gjatë kryqëzatës, vdiq Frederiku. Evropa gufonte nga konfliktet e brendshme dhe ndahej edhe më thellë. Sidomos situata ishte e vështirë ndërmjet Kishës dhe forcave antikishtare Në Lindje Evropës iu ngushtua dominimi, sepse Salahudin Ejjubi e dëboi Evropën (Frankët) nga pjesë të dominuara nga ata.
Edhe Persia ishte në hall, sepse u sulmua nga dinastitë e Lindjes së largët, sidomos nga Turanët. Rrënohet halifati abasit i Bagdadit dhe bota konfigurohet ndryshe nga e kaluara. Intelektualja e njohur botërore Eva de Vitray-Meyerovitch këtë periudhë e quan “Epokë të kaosit dhe të pasigurisë.”


Të dhëna të përgjithshme biografike

Në kohën e problemeve dhe konflikteve të vrullshme në Persi, më 6 rebi’ul-evvel të vitit 604 h. / më 30 shtator të vitit 1207, u lind Mevlana Xhelaluddin RRumiu, emri më i shkëlqyeshëm prej poetëve sufistë në gjuhën persiane, i njohur jo vetëm në Lindje por edhe në Perëndim.
Mevlana RRumiu u lind në qytetin e Belhut, krahina e Horasanit, në veri të Afganistanit. Qytetin e Belhit arabët e pushtuan në vitin 31 hixhrij, gjatë kohës së Osmanit r.a.


Pjesë e Afganistanit - Belhu

Në vitin 617 h./ 1220, qytetin e Belhit e pushtoi Xhingis-kani, lideri i mongolëve, kurse Timur-Lenko, pasardhës i Xhingis-kanit, më 771 e zgjodhi për kryeqytet. Pas invadimit mongol në qytet, ai pësoi humbje të rënda dhe kurrë më nuk u ngrit në shkëlqimin e dikurshëm. Aktualisht qyteti Belh është një qytet provincial, me disa mijë banorë dhe nuk e gëzon famën e tij të dikurshme apo famën e një Rumiu apo një Ibn Sinai (sepse edhe ai e kishte prejardhjen nga ky qytet).
Emri origjinal i Mevlana RRumiut është Muhammed, kurse RRumi nënkupton Bizantin, pjesën lindore të Perandorisë Romake. Disa burime prejardhjen e tij e lidhin me Ebu Bekrin r.a. edhe pse kjo vështirë mund të argumentohet.Ky grup është më i madh se ai Alij. Disa burime të tjera lidhjen e Mevlana RRumiut e lidhin edhe me Aliun r.a. nëpërmjet zinxhirit të shejhëve, prandaj edhe e quajnë Tarikati Alije. Disa autorë këtë e quajnë si sintezë të rrugëve Alije-Bekrije. Ndonëse grupi alij ishte nën ndikimin bektashi, alevi e të tjera, megjithatë ky grup nuk e ndiente veten afër tyre por veten e konsideronte sunit.
Babai i tij Behauddin Veled i njohur si Sultan’ul-ulema (Mbret i dijetarëve) për shkak se gëzonte autoritet të madh në popull sunduesi i Hvarizmit, sulltan Muhammedi, i urdhëroi Behauddinit që të shpërngulet nga qyteti Belh. Ai frikësohej se autoriteti i tij mund t’ia rrezikojë pushtetin. Në këtë kohë Mervlana RRumiu kishte vetëm dymbëdhjetë vjet.Disa thonë se në këtë polemikë është përfshirë jo vetëm sunduesi por edhe dijetari i tij Fahruddin Raziu.Sidoqoftë, në këtë polemikë do të përfshihet edhe vetë mevlana Rumiu, duke e kritikuar përdorimin e tepruar të logjikës në shpjegimin e të vërtetave të fesë. Ai, duke kritikuar dialektikën thotë: “Sikur dielaktika të mund t’a zbulojë vetë të vërtetën e frymës, Rraziu të tërën do ta arrinte; por, këmbët e dialektikëve janë drurëzuar, kurse këmbët prej drurit janë më të luhatshmet.”

Miniaturë e RRumiut nga Hossein Behzad

Një burim tjetër pohon se shpërngulja e familjes së Mevlana RRumiut ndodhi edhe për shkak të invadimit të mongolëve në vitin 1219 në territoret e Hwarizm Shahut. Familja iku nga vendet e përfshira me luftë dhe u vendos në vende më të sigurta, në fillim në Nishapur. Në rrugëtimin e familjes së Mevlana RRumiut pati bredhje të shumta. Ata vizituan pos Nishapurit edhe Kufën dhe Bagdadin.Në Nishapur u takuan me sufiun e madh Feriduddin Attarin. Attari e njohti Mevlana RRumiun dhe ia fali veprën e tij Esrār-Nāmeh - Libri i sekreteve. Mirëpo, këto takime janë të përcjella me shumë misterie, që vënë në dyshim vërtetësinë e ngjarjeve dhe për këtë arsye ne nuk do të lëshohemi në theksim e interpretim.
Më vonë familja e Mevlanës u vendosë në Bagdad, ku do të jenë për gjashtë muajt vijues, pastaj për të shkuar në Mekë, duke e kryer edhe haxhin. Më vonë, ata kthehen në në Damask, ku takohen edhe me një dijetar të madh nga Andaluzia, me Muhjidin Ibn Arebiun. Edhe ai, sikur edhe Attari, te Mevlana RRumiu vërejti një njeri të madh madje ia dha udhëzimet e para në sufizëm.
Pas Damaskut, familja udhëtoi për në qytetin Larend, ku mbeten për shtatë vjetet vijuese.


Zhvillimi fiziko-shpirtëror i Mevlana RRumiut

Në vitin 623 h./1226 Mevlana RRumiu u martua me zonjën Xhevher në moshën e tij 19 vjeçare. Nga kjo martesë kishte dy djemë, Sulltan Veledin dhe Alauddin Çelebiun.Pas vdekjes së gruas së parë Mevlana u martua me gruan e dytë, Kira HAtun, me të cilën kishte djalin Emir Alim dhe vajzën Melike.
Shumë shpejt Mevlana RRumiut i vdiq nëna dhe vëllai i vjetër. Kjo i solli dëshpërim. Por, në këtë kohë ndodhi një e papritur. Një delegacion i sulltanit selxhukian Alauddin Kejkubadi e vizitoi qytetin. Aty dëgjuan ligjërata mjaft tërheqëse. Pas raportimit te sunduesi i tyre edhe për këtë rast, sunduesi e ftoi Behaudinin dhe tërë familjen e tij në Konjë, ku iu bë pritje madhështore. Sunduesi i vendosi ata në pallatin e tij, ku qëndruan përgjithmonë. Aty e kreu detyrën e myftiut dhe muderrisit dhe formoi në rreth të gjerë simpatizantësh. Mirëpo, së shpejti Behauddini, “Mbreti i dijetarëve”, në vitin 628 h./1230 vdiq në Konjë.
Kur i vdiq babai, Mevlana RRumiu kishte vetëm 23 vjet. Krahas gjuhës arabe dhe persiane e mësoi edhe gjuhën greke. Përkundër kërkesave të simpatizuesëve dhe miqve, Mevlana RRumiu nuk e zuri postin e babait.
Në vend të postit ai u dha pas mësimeve sufiste nga nxënësi i babait të tij shejh Burhanuddin Muhakkik Tirmidhiu. Mësuesi i ri ishte i fascinuar me dijen e tij por i sugjeroi që me të ta kalojnë njohjen e halit (gjendjen shpirtërore) dhe fuqinë e oratorisë. Kjo gjendje mësimi e aftësimi zgjati dhjetë vjet. Kur Mevlana RRumiu bëri 33 vjet e zuri postin e babait të tij. Mënyra e shpjegimit të tij në atë kohë ishte kryesisht me dije te jashtme (ilm’ul-dhahir). Thuhet se nga shejh Burhanudini, nga fundi i shoqërimit të tyre, mori autorizimin për irshad, vërtetimin e shkruar (ixhāza) se është pjekur për shejh.
Periudhën vijuese Mevlana RRumiu e kaloi si profesor, duke ligjëruar fikhun të Medresenë Altun-Aba.
Me një rast, deri sa kthehej nga medreseja u takua me një mik me emrin Shemsi Tabrizi, emri i plotë i të cilit është Shemsuddin Muhammed ibn Alij ibn Malek (i lindur rreth 1180). I biri i Mevlana RRumiut, Sulltan Veledi e përshkruan si ”njeri të ditur dhe të urtë, elokuent dhe të formuar.” Shemsi Tabrizi pasonte medhhebin shafi’it, por shprehej me pietet edhe për Ebu Hanifen. Ka studiuar edhe tesavufin, madje në nivele të larta. Si njohës i mirë i ilm’ul-batinit (dijeve të brendshme) ai ndikoi te Mevlana RRumiu, madje aq shumë sa i braktisi ligjëratat në medrese, për t’iu përkushtuar jetës asketike dhe qëndrimit me Shemsi Tabrizin. Kjo gjendje i preki djemtë e RRumiut, nxënësit e tij por edhe qytetarët, të cilët u ankuan te sunduesi kundër Shems Tabrizit, që ai të largohet nga Konja.Në këtë gjendje, Shemsiu u largua nga Konja dhe u vendos në Damask. Në këtë qytet u njoftua me Shejh’ul-Ekber Muhjidin Ibn Arebiun.
Në anën tjetër, Mevlana RRumiu në Konjë ra në dëshpërim të thellë nga largimi i mësuesit të tij shpirtpëror, u izolua nga jeta dhe nuk shkonte në medrese. Për ta shmangur këtë gjenje, Sulltan Veledi shkoi në Damask dhe e ftoi Shemsi Tabirzin që të kthehet. Madje i dërgoi dhurata nga nxënësit, si shenjë e kërkim faljes. Në maj të vitit 1247 Shemsiu u kthye në Konjë. Sërish më vonë, nën trysninë e miqve të RRumiut, Shemsiu do të largohet nga Konja duke mos lëpnë gjurmë dhe për mos ta gjetur kurrë më. Ka mendime se Shmsiu edhe është vrarë. Kjo ndodhi në vitin 645 h./1247.
Nëse do t’i bëhet një analizë e thellë mendimeve të Mevlanës mund të vërehen ndikimet religjioze, etike dhe filozofike të El-Gazaliut, Attarit, ndoshta edhe të Ibn El-Arebiut,por edhe të autorëve të tjerë, që është normale për një intelektual të këtillë. Këtë bukur e shpreh autori jonë dr. Metini: “Ilustrimet e ndryshme të dhëna nga ana e Mevlanës në lidhje me dijen, njohjen, Zotin, gjithësinë prezantojnë një teozofi dhe një sistem të posaçëm teleologjik e artistik-filozofik i cili rrënjët i ka në traditën e bujshme filozofike-artistike të lindjes dhe antikës, kurse degët i zgjaten deri te një numër i madh i sistemeve mendore dhe artistike të mesjetës dhe kohës së re.”


Ngushëllimi në diktimin e Mesnevisë

Mevlana RRumiu pati disa ngushëllime gjatë jetës së tij. Nuk do t’i përmendim të gjitha, por do të ndalemi në ngushëllimin e njohur si: diktimi i veprës së tij të famshme, Mesnevisë. Këtë e bëri me anë të Çelebi Husamedinit për dhjetë vjet. Mendohet se Mevlana RRumiu vetëm pjesën e parë të veprës (Fatihat’ul-Mesnevi) e ka shkruar vetë. Pjesët tjera i ka shkruar Çelebi Husamedini.
Nëse i bëhet analizë jetës së tij, do të dallojmë pesë faza të jetës:
- Arritja e dijeve fillestare (deri në vdekjen e Behaudinit);
- Ecja me sejrus-suluk dhe pjekja për shejhun (deri në vdekjen e Burhanuddinit);
- Pjekuria e trefishtë në kemalijjat (deri në vdekjen e Shemsiut);
- Pikëllimi për Shemsiun nëpërmjet semâ-dhikrit (deri në vdekjen e Salahuddinit) dhe;
- Pikëllimi për Shemsi Tabrizin në Mesnevi (deri në vdekjen e Mevlana RRumiut).

Veprat e Mevlana RRumiut

Si person i gjallë, dinamik dhe meditativ, Mevlana RRumiu i la botës intelektuale disa vepra poetike dhe prozaike. Ai ligjëroi, predikoi, mbajti hutbe, këshilloi. Të gjitha këto, ai i shkroi në një mënyrë të veçantë, impresionuese. Veprat e tij nuk i impresionuan vetëm muslimanët e kohës së tij, por edhe deri sot ato janë tërheqëse. Por, ato e impresionuan edhe lexuesin e jashtëm, jomysliman. Orientalistët qysh herët e identifikuan veprën e Mevlanës dhe përkthyen sidomos Mesnevinë. Ajo u përkthye në shumë gjuhë botërore, si në anglisht, gjermanisht, frëngjisht. Këtë bukur e shpreh intelektuali ynë i njohru F. Shehu: “» Rumi
Vepra e Xhelaluddin Rumiut, paraqet akt dhe më shumë se akt, njohje dhe më shumë se njohje, art dhe me shumë se art, andaj vetëm ballafaqimi sipërfaqësor me gjithë teurgjinë e tij nuk do të mjaftonte…”.
Divani kebir
Divani kebir ose Divani i madh përmban gazele, rubaia (katrene) etj. Është vepër e madhe dhe përmban rreth 40 kupletesh (dyvargjshesh) dhe 21 divanesh. Është në gjuhën greke dhe turke. Ekzxiston bindja se këtë vepër e shkroi me nismë të Husamudin Çelebiut etj. Në këtë vepër ka përdorë pseudonimin Shemsi, në shenjë të respektit për të, prandaj edhe vepra gjendet me emrin Divan- Shemsi-i Tabrizi.

Masnevia e Mevlâna RRumiut (1278);
Tyrbeja në Konjë, Turqi



Vdekja e Mevlana RRumiut
Pas sundimit të Alauddin Kejkubadit gjendja te Selxhukët filloi të degjenerojë në prishjen e rendit dhe të qetësisë, në përçarje dhe probleme shoqërore. Kjo atmosferë e goditi edhe Mevlana RRumiun. Trupi i tij çdo ditë e më shumë rrënohej dhe i dorëzohej sëmundjes. Mirëpo, ai vdekjen nuk e kuptonte si diç tragjike, por si takim me të dashurin, kthim në besëlidhjen primordiale dhe shpëtim prej tëhuajësimit.
Kështu, ai do të ndahet nga kjo botë 5 xhumad’el-ahir të vitit 672 h. / më 17 dhjetor 1273. U varros pranë varrit të babait të tij në Konjë. Iku nga kjo botë për t’u takuar me shumë miq në botën tjetër. Mevlana Rumiu la pas vetes edhe tarikatin mevlevij, edhe pse ai nuk e formoi tarikatin, por këtë e bëri i biri i tij Sulltan Veledi sipas frymës së mësimeve të tij.Varrimin e tij e përjetuan të gjithë, të vegjël e të mëdhenjë, kështu që shumë prej tyre morën pjesë në ceremoninë e varrimit, madje edhe shumë jomyslimanë të vendit. Natën e vdekjes së Mevlanës mevlevinjtë e quajnë Shebi-arus / Nata e dhëndërisë. Gjatë historisë këtë natë e celebrojnë në mënyra të ndryshme.
Në Jeshil Tyrbe, ku është varrosur Mevlana, qëndron i shkruar ky epitaf:
"Kur të vdes, mos e kërkoni varrin në tokë, por e gjeni atë në zemrat e njerëzve."

Mësimet e Mevlana RRumiut pas vdekjes së tij

Çdo ndryshim sjellë rrethana të tjera, kështu që edhe vdekja e Mevlana RRumiut solli rrethana që ndryshme në doktrinën e tij. Tashmë kemi theksuar se Mevlana RRumiu nuk e formoi tarikatin, por i dha ideologjinë. Këtë e bëri i biri Sulltani Veledi, i cili kishte aftësi të mëdha organizative. Ai gjithashtu u kujdes që me aparatin shtetëror të sigurojë kushte materiale por edhe përkrahje politike. Ndihma më e madhe ishte sigurimi i vakëfeve në emër të tarikatit. Po ashtu, në faza të ndryshme filloi edhe shtrirja fizike e tarikatit, duke u shtrirë në afërsi të qendrës, e pastaj edhe më gjerë që në kohën e shekullit XV tarikati ta merr formën e plotë sa i përket traditave, parimeve dhe ritualeve.
Në pamundësi që të lëshohemi në hollësi, do të theksojmë se në aspekt të zbatimit të parimeve sheriatike, mësimi i RRumiut pas vdekjes së tij identifikoi dy krahë:
- Krahu i Veledit, i cili ndiqte në përpikëri normat sheriatike dhe parimet e aspektës, menifestonin shenja devotshmërie dhe;
- Krahu i Shemsiut, i cili nuk kishte konsideratë ndaj rregullave sheriatike dhe ndiqte interpretimet ezoterike.Ky grup ishte në korrelacion me bektashinjtë, patën huazuar disa zakone të tyre, kultivonin disa prirje alevite dhe nuk brengoseshin për pirje alkoolike etj.
Këto dy rryma me variacione të ndryshme do të vazhdojnë edhe më tej, por megjithatë nuk mund të thuhet se janë dy shkolla mendimesh, me specifikat e tyre metodologjike, ideore etj.
Po ashtu, nuk duhet harruar se tarikati mevlevij në aspektin strukturor ka pasur disa shkallë, të cilat arriheshin me angazhim e merita:
- Muhibb-i (ai që dashuron) - është pjesëtar i një shehu, personi që bënë sama’ dhe mban kapelën mevlevite (sikka);
- Dede-ja (ose dervish) - është personi i cili e ka përfunduar shërbimin dhe aftësimin prej 1001 dite në dergjah (teqe).
- Shejh-u (plaku, prijësi, lideri) – është personi që e ka marr ixhazet-namen nga ndonjë shejh dhe e përfaqëson pir-in.
- Halifi (Zëvendësi) - është dervishi i pjekur dhe me përvojë i cili e plotëson vendin e zbrazët të shejhut. Shejhët të cilët nuk janë sejjid (pasardhës të Pejgamberit Muhammed) bartnin saruk (kapelë) të bardhë, sejjidët bartnin saruk të gjelbër, kurse halifët bartnin saruk të mbyllur, zi-kaltër.
Këtu përmendet edhe një ceremoni e quajtur “Ayin-i cem”, e cila zgjaste nga akshami deri në sabah, gjatë së cilës kohë pihej dhe hahej, recitohej poezi, vallëzohej dhe bëhej muzikë. Ceremonia përmbyllej me një fatiha (suren e parë kur’anore).

Përfundim

Mevlana RRumiu është mendimtar, poet e sufi i madh, i cili edhe për së gjalli por edhe për së vdekuri ndikoi te shumë individë dhe grupe shoqërore. Në gjeografinë muslimane do të gjeni pak persona që kanë zgjuar interesimin e të tjerëve për të siç ka zgjuar interesim Mevlana RRumiu. Shekujt XII-XV janë periudha kur ky rend u formua dhe u strukturua, u sistemuan ritet (adabet) dhe parimet (erkanet), kurse Konja ka qenë qendra kryesore e rendit. Nga aty edhe qendrat e tjera muslimane, të interesuarit në to do të marrin atë që u duhej. Tarikati Mevlevij do të zë një vend të rëndësishëm në shoqërinë osmane thuajse gjatë tërë kohës, deri në ditët e sotme. Ky ndikim do të shtrihet edhe në tokat shqiptare dhe në Ballkan në përgjithësi.
Rëndësinë e emrit dhe veprës së tij e çmojnë edhe të tjerët, si UNESKO, e cila në vitin 2006, me rastin e 800 vjetorit të lindjes, viti mars 2006 - mars 2007, u shpall viti Ndërkombëtar i Rumiut, kurse vallja (sama) e tij u fut në listën e trashëgimisë kulturore botërore. Praktikisht, rëndësia e veprës së tij shihet edhe nga fakti se gjatë vitit 1995 poeti amerikan Coleman Barks publikoi një përzgjedhje të veprave të RRumiut dhe nga një autor shumë pak i njohur RRumiu u bë njeriu i dytë më i lexuar në Amerikë (pas W. Whitmanit).




















Unë jam grimca pluhuri në dritën e diellit,
unë jam dielli i rrumbullakët.
Thërrmijave të pluhurit unë u them, ndaluni.
Diellit, i them, vazhdo lëvizjen.
Unë jam mjegulla e mëngjesit,
dhe frymëmarrja e mbrëmjes.
Unë jam era në majë të një korijeje,
dhe shpalosja mbi një shkëmb.
Direku, timoni, timonieri dhe anija,
jam gjithashtu damari i koraleve që mbytet përsipër.
Jam pema me një papagall të mësuar në degët e saj.
Heshtja, mendimi dhe zëri.
Ajri i tingujve melodikë që del nga një fyell,
një xixë guri, një regëtimë përflakjeje
në metal. Jam gjithashtu flaka e qiririt
dhe flutura e natës marrosur rreth saj.
Trëndafili dhe bilbili
përhumbur në aromë.
Jam rendi i tërë qenësisë, galaktika që vërtitet,
mençuria e zhvillimit, lartësia e ngritjes,
dhe rënia deri në zhdukje. Çfarë është,
dhe çfarë nuk është. Ti që e njeh
Xhelaladin -in, Ti, e vetmja njësi
në gjithçka, thuaj se kush
jam unë. Thuaj se unë
jam ti.
 
Top