Ibrahim Kodra [1918-2006]

Uarda

Besimi yt dhe i imi gjykohen çdo ditë.
Staff member
Moderator/e
Regjistruar
Jun 23, 2020
Mesazhe
1,896
Pëlqime
822
Pikë
113
Location
Bornholm Danimarke
Piktori i madh Ibrahim Kodra


Kodra , zanafilla e nje qyteterimi
(mare nga Klan)

Historia e plote e piktorit me te famshem shqiptar. Qe nga lindje ne Ishem e deri tani me rikthimin me nje ekspozite ne moshen 85 vjecare. Kush eshte Ibrahim Kodra. Fati qe i buzeqeshi nga nje takim me mbretereshen Geraldine. Udhetimet ne Shqiperi. Jeta dhe fama italiane. Takimet me Pikason e Elyarin. Gjithshka per te fundmin e kubisteve

Nga Iva Tico



Ibrahim Kodra

Rregullin e perditshem te Ibrahim Kodres nuk ka gje qe ta prishe. Jeton ne te njejtin apartament qe prej tridhjete vjetesh, kryen te njejtat veprime te perditshme, takon te njejtet miq prej vitesh, shkon ne te njejtat bare dhe restorante. Gjithcka vazhdon me te njejtin ritem, sikur koha te mos rrokullosej fare, sikur ditet te mos leviznin nga vendi. Ndoshta edhe vera e ketij viti nuk do te ndryshonte asnje grime ne ditet e saj nese nje dite maji, nje grup pune i Galerise Komebtare te Tiranes nuk do te kishte thyer qetesine e studios se tij. Fteses gati - gati te pashprese se shqiptareve, Ibrahim Kodra cuditerisht i ishte pergjigjur me nje "po" te thjeshte. "Po, jam dakort te vij ne Tirane", kishte thene per cudine e drejtorit te Galerise dhe punonjesve te tij te cilet kishin pandehur se do te ishte e veshtire t'i mbushje mendjen piktorit 85-vjecar te udhetonte drejt Tiranes. Me te njejten lehtesi te asaj "po"-je te pare, do te ecte me pas e gjithe puna. Ne me pak se dy muaj gjithcka do te ishte gati per te sjelle ne Galerine Kombetare te Arteve Ibrahim Kodren. Per te kthyer ne atdhe pas 65 vjetesh piktorin e fundit te kubisteve qe kishte kaluar ne Shqiperi vetem njezete vitet e para te jetes, por gjate gjithe pjeses tjeter te jetes kishte hedhur ne pelhure ato ngjyra te vendlindjes qe ishin ngulitur thelle ne kujtesen e tij nga ato vite te femijerise.

Me largimin nga vendlindja kujtimet e Ibrahim Kodres do te fillonin pak e nga pak ta perzienin peizazhin e Ishmit me legjendat, me kalimin e viteve kujtimet dhe perfytyrimet do te fillonin te ngaterroheshin me njeri tjetrin pa i ndare kufijte se ku fillonte njeri e ku mbaronte tjetri. Dhimbja per nenen qe humbi kur ishte tre vjec, mungesa e nje babai qe me teper sesa ne shtepi gjendej ne udhetimet e tij neper detra, prania e nje njerke qe nuk kujdesej per te, do t'ia benin femijerine nje periudhe te palumtur, nje periudhe qe me teper do t'i kujtohej si nje koke vetmie te plote. Nje femijeri e tille, ku e quante veten "te tepert" e detyroi qe qysh ne moshen tete vjec te largohej nga shtepia duke filluar te kerkonte nje familje mikpritese. Parate e para do t'i fitonte pikerisht ne kete moshe, duke u bere kujdestar lopesh. Nje familje gjermane do ta mirepriste Ibrahim Kodren hera heres ne shtepine e tyre, ne vendin ku ai do te njihte nje menyre tjeter jetese. Ne nje nga keto dreka, ne nje restorant te Mamurrasit, i ndodhi nje tjeter nga ato takimet qe te ndryshojne jeten si me magji. Nje zoteri i cuditshem e grishi te punonte ne dyqanin e vet te cikerrimave ne Patok dhe i premtoi se do ta shkollonte. Endacaku i vogel pranoi menjehere. Mes njerezve qe hynin e dilnin ne dyqanin-lokal, Ibrahim Kodra do te bente njohjen e radhes qe kesaj radhe e ftonte ne nje tjeter familje, ne Durres. Mireberesi, me origjine nga Sarajevo e mbajti fjalen qe i kishte dhene, ne Durres Ibrahim Kodra mundi te futej ne shkolle. Menjehere sa nisi shkollen, iu fut edhe vizatimeve, nje pasioni qe kishte lindur ne vitet e hershme te femijerise kur i ati i kthyer nga nje prej udhetimeve te tij i kishte dhuruar te paren kuti me lapsa. Ndonese nuk kishte marre kurre mesime per vizatimin, Kodra filloi te pikturonte portrete, ne fillim te Ismail Qemalit, te Skenderbeut dhe te Naim Frasherit dhe me pas nisi te skiconte anijet ne liman. Nje italian qe ne qytet kishte nje dyqan, e fton te pikturoje portretet e klienteve te tij. Ishin pikturat e para nga te cilat Ibrahim Kodra do te fitonte para, ndonese ne ate kohe, ende me shpirtin e endacaktut parate nuk para i hynin ne sy. Se paku jo aq sa deshira per te ushtruar vizatimin. Nje nga keta kliente do t'i ndryshonte serish kursin e jetes. Ishte kuestori i qytetit te Durresit. Portretin e kuestorit, punuar nga Kodra rastesisht e kishte pare nje oficer, i cili foli per kete me nenen mbretereshe, qe njihej si nje perkrahese e artisteve. Ajo urdheroi qe piktorion e ri ta shpinin tek ajo. Me nje kostum te ri, qepur enkas per kete takim, Ibrahim Kodra doli perpara nenes mbretereshe e cila i tha qe te ndiqte shkollat ne Tirane dhe me pas do ta nisnin ne Itali per te studiuar ne Akademine e Arteve te Bukura. I tronditur nga kjo kthese e paparashikuar qe po merrte jeta e tij, Kodra mezi sa kishte nxjerre nga goja nje "po" te mekur.

Qe nga koha qe ishte larguar nga shtepia, deri ne diten kur hyri ne Institutin "Naim Frasheri", kishin kaluar vetem dy vjet. Gjate viteve te studimeve, Ibrahim Kodra gjithnje e me teper do t'i jepej edhe sportit, atletikes, hedhjes se diskut dhe te gjyles. Nisi te studionte edhe muzike, ne fillim mandolinen pastaj edhe kitaren ne orkestren e Institutit, nje pasion ky nga i cili nuk eshte ndare edhe sot e kesaj dite.

Ato vjet kane mbetur ne mendjen e Ibrahim Kodres si nje periudhe kohe e jetuar pa andrralla, kishte miq qe e kishin xhepin plot me leke, si princi Sherafedin dhe princi trashegimtar Tati, me te cilet endej sa neper restorante e salla kinemaje. Ne nje nga keto dite, kur maste rruget e Tiranes me xhepat e mbushura me parate e fituara nga shitja e portreteve, do te takohej per te fundit here me te atin. Vite me vone, gjate jetes ne Itali do te perpiqej te lidhej me te me ane te letrave. Por nga shtepia nuk do te merrte kurre pergjigje, derisa do te kuptonte qe ajo dere kishte qene e hapur per te vetem ne vitet e para te jetes se tij.

Mesimet e para te mirefillta ne pikture, Ibrahim Kodra i mori ne shkollen e Odise Paskalit, qe pasi kishte studiuar ne Itali ne vitet njezete ishte kthyer ne Shqiperi dhe kishte themeluar shoqerine "Miqte e Artit". Vitet e kaluara ne kete studio do te kujtoheshin edhe si vite te leximit, vite ku Kodra do te lexonte Tolstoinn, Dostojevskin, Gogolin por edhe Fishten, Nolin, Migjenin, Sami Frasherin dhe do te ilustronte me vizatimet e tij edhe biblen e shqiptareve te asaj kohe, "Sikur te isha djale" e Haki Stermillit. Po ne kete kohe, Kodra do te gjente edhe nje menyre tjeter per te siguruar jetesen, te realizonte reklamat e filmave. Portrete te Greta Garbos, Klerk Gembellit, Carli Caplinit dhe Marlen Ditrihut, te realizuara nga ai do te fillonin te udhetonin neper qytetet shqiptare duke u bere teper te njohura nga shikuesit e asaj kohe. Fati i Ibrahim Kodres ishte parathene te ndryshohej edhe njehere pikerisht nga kinemaja. Maria Denies, nje nga yjet italiane te kohes, gjate vizites ne Tirane ishte pikturuar me kostum kombetar shqiptar nga Ibrahim Kodra. Do te ishte nderhyrja e saj dhe e konsullit italian i cili e shoqeronte, qe pas kaq vitesh pritje, Kodres t'i aprovohej e drejta per studime ne Itali vetem per dy dite. Ne kohen kur lufta e dyte Boterore ishte ne prag, Ibrahim Kodres nuk i dukej sikur shkolla e tij per arte ishte ne harmoni me ate qe po ndodhte por "sic eshte arti nje kontrast vijash dhe formash, ashtu dhe ditet e mia shtyheshin perpara duke kundershtuar fuqishem gjithcka ndodhte rreth meje". Keshtu do ta pershkruante Ibrahim Kodra, vite me pas, ne librin e tij me kujtime, ate udhetim te pare drejt vendit ku do te jetonte pergjithmone.

Mberritja ne Itali do ta bente Ibrahim Kodren qe te kuptonte se po hynte ne nje tjeter bote, Ballkani dhe legjendat tashme i perkisnin te shkuares. Pas nje qendrimi te shkurter ne Bari, Kodra udhetoi drejt Romes ku do te ndodhte i pari ndryshim i rendesishem ne formimin e tij si piktor. Ndersa e mesonin per t'u bere nje piktor akademik, Kodra do te fillonte te terhiqej nga teknikat e Sezanit, por edhe nga teknikat dhe historite e piktoreve te tjere: Mone, Mane, Renuar, Dega. Ne vend qe te riprodhonte ne menyre te persosur realitetin, ai filloi te mendonte se piktura ishte nje siperfaqe e rrafshet e veshur me ngjyra te vendosura ne njefare rregulli. Dhe per kete vendosi se Roma nuk bente per te. Destinacioni i radhes, dhe i fundit kesaj radhe, do te ishte Milano, Akademia e Breras.

Ishte vjeshta e vitit 1938, kur ai arriti ne qytetin ku do te kalonte gjithe pjesen tjeter te jetes. Qe ne muajt e pare te studimeve ne Akademine Mbreterore te Arteve te Bukura, do te perfshihej befas nga lajmi se vendi i tij ishte pushtuar nga Italia. Por nga largesia e Milanos, i dukej se cdo gje po ecte normalisht. Vetem ne vitin 1942 autoritet italiane do t'u jepnin leje studenteve shqiptare per te vizituar atdheun. Ibrahim Kodra ne kete udhetim do te gjente nje Tirane qe kater vjet te shkuara nuk e kishte njohur, ne ish fshatin e dikurshem shpalosej madherisht nje bulevard qe mbyllej perpara ngrehinave ku po ndertohej Universiteti. Ai do te shihte hotel Dajtin qe do t'i dukej nje godine e perkryer. Ndonese me ane te disa miqve te tij morri pjese ne nje nga mbledhjet e Partise Komuniste, Kodra nuk e pelqente "luften politike". Per me teper, duke qene se dera e shtepise aterore i ishte mbyllur, as qe e mendoi se mund te qendronte ne Tirane, nderkohe qe Milano vazhdonte ta grishte me te gjithe ato gjera qe ende mund t'i mesonte.

Pas vitit 1943, me shkeputjen e burses Kodra do te ndiente per here te pare veshtiresite ekonomike. Per here te pare nuk do te mund te jetonte dot vetem nga ajo qe sigurohej nga shitja e pikturave, ato vite kane hyre ne kujtesen e tij si vite te mesimdhenies, jo vetem ne pikture, por edhe ne muzike, madje edhe per sport. Ne vitin 1945, me mbarimin e luftes, Kodra me miqte e tij italiane, me te cilet diskutonin per kubizmin, surrealizmin, abstraksionizmin, formuan nje grup, qe e quajten "Pertej Guernikes". Te gjithe u mbeshteten tek Pikaso, por endrra e secilit ishte te krijonin natyren e vet. Me kete grup, organizuan edhe te paren ekspozite te perbashket. Pasi i kaloi "dalldia" per impresionizimin, Ibrahim Kodra do ta rishikonte qendrimin e tij, ne momentin qe arriti te zbulonte se edhe kubizmi krijohej nga nje gjendje veshtiresie. "Gjithcka ne natyre ka forme katrore, sferike dhe cilindrike", kishte thene Sezani. Kodra e kishte perkthyer: "Tani qe shkaterruam formen, kemi krijuar nje pikture te mbeshtetur tek ngjyra dhe tek drita, duke u perpjekur keshtu te harrojme krejtesisht te shkuaren". Kete mesim do ta bente te vetin gjithe grupi "Pertej Guernikes".

Por ne Itali grupet artstike nuk kane jetegajtesi. Keshtu ne vitin 1947 Ibrahim Kodra do te gjendej ne nje tjeter grupim, ne "Grupin e Vijes", qe e cmonte kubizmin dhe abstraksionizmin si ngjarjet me te rendesishme te historise se arteve te kohes se fundit, por ne te njejten kohe ishin te ndergjegjshem se gjendeshin ne prag te arritjeve te reja.

Nga takimet me te rendesishme me personalitetet e kohes, Ibrahim Kodra kujton nje takim me Pablo Pikason, ne vitin 1948 ne Rome. Me pas do te takohej me te edhe kater here te tjera ne Kane dhe do t'i paraqiste disa nga punet e tij. "Duket se do t'i kene pelqyer, se shpesh perseriste fjalet: qenkan punime te vecanta", shkruan Ibrahim Kodra ne kujtimet e tij.

Pak a shume te njejtin mendim kish ndare edhe poeti i madh francez Pol Elyar. Pas nje vizite ne studion e piktorit nga ishmi, ai do te shkruante ne Gazeten "Unita": "Kodra eshte zanafilla e nje qyteterimi te ri".

Vitet e mepasshme piktori i kujton si vite te veshtira per mbijetesen e artisteve, asokohe ai ende nuk kishte mundur te krijonte nje treg shitjeje, edhe kur shiste dicka, ne shumicen e rasteve bleresi ishte ndonje mik apo ndonje i njohur. Ne ato kohe u ndesh me nje koleksionist te quajtur Boski, inxhinier qe se bashku me nje gjenovez filluan te blinin vazhdimisht tek ai. Te paren ekspozite me punimet e Ibrahim Kodres e celi nje galeri ne Napoli, "Bluja e Prusise", ne vitin 1947. Ne ndryshim nga Pikaso qe me teper shoqerohej me shkrimtare sesa me piktore, miqte e Kodres ishin te gjithfare fushave. Nderkaq shkruante per revisten "Piktura" qe qarkullonte ne Milano dhe nder intelektualet shoqerohej me Alberto Kavalarin, Elio Vitorinin, Masimo Buontempelin, Borgezen, kritikun e artit por edhe Dino Buxatin e Salvatore Kuazimodon. Karriera e Kodres do te bente nje kthese ne vitin 1957. Ne ate vit, Bergamini i dha mundesi te paraqiste nje punim ne galerine e tij ne Korso Venecia. Ekspozita terhoqi nje numer te madh shikuesish, ndersa kritika e trajtoi si ceshtje te dites. Per piktorin shqiptar, kritika nuk do te vononte te shkruante "Kodra ka krijuar nje tjeter bote". Kurse Marko Valseki, do te ishte i pari qe do te vleresonte prejardhjen e rraces ne kete pikture: "Mund te themi se Kodra permes larmise se nje kubizmi te perparuar te viteve pas lufte ka zbuluar fijet e shndritshme te mozaikeve te vjeter bizantine, vezullimin e xhamive te lashta dhe imagjinaten e barinjve qe i shkojne netet ne te perpjetat e Olimpit".

Do te ishte kjo ekspozite qe Kodres do t'i hapte njehere e pergjithmone rrugen e shitjeve. Tregu u zgjerua dhe Kodres nuk i mbetej me kohe per te dhene mesim. Tani do t'i perkushtohej pergjithmone vetem piktures.

Se sa ishin shitur pikturat e Ibrahim Kodres do ta zbulonte keto dy muaj me mire se kushdo ekipi i Galerise Kombetare te Arteve qe do te merrej me organizimin e ekspozites se Ibrahim Kodres. Ideja fillestare ishte te behej nje ekspozite retrospektive: publiku shqiptar te njihej me krijimtarine e piktorit nder vite. Por ndersa pranimi i fteses nga ana e Kodres kishte qene pjesa me e lehte, organizimi i nje retrospektive do te ishte i pamundur. Ne studion e piktorit mungonin pikturat neper vite. Gjithe c'ishte punuar, tashme ishte pjese e koleksioneve private dhe galerive neper bote. Gjithe c'mund te ofronte vete Kodra, ishin vetem punimet e tij me te fundit.

Pikerisht koleksioneve private iu drejtuan edhe organizatoret shqiptare te ekspozites. Mbi njezete punime te realizuara nga Ibrahim Kodra ne vite te ndryshme, do te vijne ne Shqiperi si pjese e koleksionit te nje piktori italian, te quajtur Kasavaro. Jane punime te realizuara qe nga vitet '70 e deri me sot, qe se bashku me pese punime prone e Galerise Kombetare do te ndertojne nje mozaik jo te plote te vepres se shqiptarit te njohur ne bote dhe ende te panjohur ne vendlindje. Ne ate vendlindje qe e la 65 vjet te shkuara per ta mbajtur ngahere brenda pikturave te tij.

Ibrahim Kodra
 

Uarda

Besimi yt dhe i imi gjykohen çdo ditë.
Staff member
Moderator/e
Regjistruar
Jun 23, 2020
Mesazhe
1,896
Pëlqime
822
Pikë
113
Location
Bornholm Danimarke


NË NDERIM TË PIKTORIT TË MADH

POEZI NGA IBRAHIM KODRA

Vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, i shtruar në një spital të Milanos, piktori ynë i madh, "Nderi i Kombit", Ibrahim Kodra. Duke u lutur për të, i sjellim lexuesit tonë disa nga poezitë e tij si shenjë adhurimi.


* * *

…Mes pesimizmit bashkëkohor, kaosit të modernitetit, ndoshta është i vetmi piktor i madh që vizaton buzëqeshjen e njerëzimit, me një naivitet të mençur e koloristikë optimiste, gjithë dritë mesdhetare.


…Kodra, përveç të tjerash, kishte miqësi dhe me dy poetët nobelistë italianë, me Eugenio Montale, kanë botuar dhe një libër së bashku, (50 poezi të Montales me 10 piktura të Kodrës), kurse Salvadore Quasimodo i lutej që të luante në kitarë edhe një herë atë pjesën shqiptare, të cilën Kodra e kishte titulluar "Dhëntë zbresin nga lartësitë e Olimpit". Shkrimtari i shkëlqyer Buzzati, i cili dhe vizatonte, mrekullohej kur Kodra i thoshte: "Dino, po vizaton ashtu siç shkruan."

Ka pirë uiski me Heminguein, ka ndejtur me Kadarenë, të cilin e ka propozuar me shkrim për çmimin "Nobel" si akademik që është, madje dhe i Akademisë Franceze.


Pak veta e dinë që Kodra ka shkruar dhe poezi. Në shqip, por më shumë në italisht. I janë botuar disa dikur në Prishtinë, ku dhe ka shkuar më shpesh e hapur ekspozita…

Duke kujtuar poezitë e tij, kujtojmë zemrën e tij të madhe…


Visar Zhiti






IBRAHIM KODRA

10 poezi




O NËNË


Nuk i ndiej më ledhatimet e tua të ëmbla
ashtu si era e prillit që përkëdhel lulet,
o nënë.
Ku je fshehur?
Nuk e shoh më buzëqeshjen tënde,
sytë e tu, sytë e tu gjithë vëmendje,
që asnjëherë nuk lodheshin
së ndjekuri ecjen time të pasigurt.
Ishe gjithçka për mua.
Fytyra jote: më e bukura
mes muzave.
Dhe flokët e tu
të gjatë e të zinj
mbulonin faqet e gëzueshme,
kur gjoksi ngjallte ngrohtësinë
nëpër venat fëminore.
Tani ku je fshehur?
E freskët në kujtesën time,
rikthehu, o nënë,
të përkëdhelësh fytyrën time të lodhur.


KJO ËSHTË RRUGA


Nën qiellin yllësor
të Pozitanos
një çupëz ngjitej për në Fornilo
me hapa heshtjeje.
Rrugët ishin të mbuluara
me errësirrën e natës.
Dritat lëbyrëse të një makine
ndriçonin
figurën e hajthshme
të vogëlueshes së pjekur parakohe,
flokët e saj të artë shthurur nga era.

Një zotëri avitet,
me gishtin të drejtuar nga mali,
thotë: "Ti që kërkon misterin e dritës,
ja rruga që të çon te Shën Mëria".


NJË MIKU SHKRIMTAR

Qielli i Pozitanos
është mbuluar me retë e freskëta të agut
e ti, duke kundruar aurorën,
mbledh mbi një gjethe
plagët e kohës.


NJË LULE


Mos më thuaj që nuk të kam dashur,
o lule e livadhit të virgjër!
Thuamë që është shuar dielli,
thuamë që toka është në flakë,
thuamë që hëna është ngjethur,
thuamë që qielli është në gjëmë,
thuamë që s'ka më agshole,
por mos më thuaj që nuk të kam dashur…


URA

Në atë ditë të bekuar
vajzat rendnin
nga ura.
Dielli hidhte
rreze nate
për t'i bërë brune.


E PANJOHURA

Ajo ecte drejt majës
e ai zotëri mbeti i hutuar
nga një bukuri kështu aq e natyrshme.
Ishte e panjohur në atë vend
e të gjithë kërkonin emrin e saj.


NJË FYTYRË E FSHEHUR

Ditën e 15 gushtit të '77
mbretëronte heshtja atje.
Djemtë luanin: ping! pong!
nën pishën e sheshit.
Vajza me flokë të gjata
dallgë-dallgë mbi supet e hajthshme
shkëlqente në dritën alabastër.
Duke luajtur me krifën e gjatë
Era e qeshur fshihte
fytyrën e saj vezulluese
si një gur i rrallë orienti.


PËRSHËNDETJA E FUNDIT

Gjatë rrugëve të Palermos
flladi i mëngjezit
xixëllonte mbi gjethet e palmave.
Digjeshin në diell
sheshet e asfalta.
Një vajzë e drojtur
e shtrirë në plazhin e dielltë
vinte nga veriu.
Veshur me ngjyra koloniale,
aq shumë të befta
e gushti mbaronte,
i jepte përshëndetjen e fundit Montrealit
dhe me vendosmëri të pazakontë
merrte rrugën e kthimit,
humbte mes mjegullave të bardha
që dhunonin kaltërsinë e shtrirë
të qiellit mbi qytet.


BESA E SHQIPËRISË

(e shkruar shqip)

Lindi dielli në Kalabri,
u hapën malet me rrëmbim,
tue lënë fushat të lulëzueshme
në blerim.
Arbëreshët u habitën
për bukurinë e Natyrës
e thjeshtë, e pavarur
si ata, që shprehin me zemër
dhe harenë e fytyrës.
Në atë çast të pazakonshëm
u hap qielli menjëherë:
një shqipe e madhe,
tue fluturuar,
tokën mbarë për të zaptuar,
hapi krahët e saj,
tue mbuluar Kosovën dhe Kalabrinë,
Pianën e Palermit
dhe Shqipërinë.
Po i mbronte në zemrën e saj
që të jenë së bashku si përherë,
sepse kanë dhënë në histori
nder e lavdi.
Shqipja në mbrëmje
në qiejt fluturoi
e lartazi shkoi.
Tue fluturuar lartaz nga qielli
dhe, para se të hynte, në hijen e natës
e çojti lart fletën e saj
dhe shkrojti
në qiellin me yj të ARBËRISË:
"BESA E SHQIPËRISË"


KËRKOJ

Kërkoj horizonteve larg
praninë e jetës
të pafundmen…
rrezen diellore,
lëvizjen.

Kërkoj mosarsyet
të pathyeshmet
shkulmet ujore
të pa nisurat.

Kërkoj befasinë
të përkohshmen
të kuptueshmen
kurajon.

Kërkoj lartësimin
të pandryshueshmen,
të pakëmbyeshmen
rebelimin,

Kërkoj të pazakonshmen
të pazëvendësueshmen
të pazgjidhshmen
të pamundurën.

Kërkoj befasinë
të padukshmen
të paarritshmen
zanafillën.


Kërkoj çelësin e gjithësisë
enigmën e ajrit
të puhizës
të agut të dritës.

Kërkoj të mbjell në tokë
filizin e parë
farën e parë
të ardhmërisë.


përktheu Eda Agaj Zhiti
 

Uarda

Besimi yt dhe i imi gjykohen çdo ditë.
Staff member
Moderator/e
Regjistruar
Jun 23, 2020
Mesazhe
1,896
Pëlqime
822
Pikë
113
Location
Bornholm Danimarke
Shuhet piktori Ibrahim Kodra


Piktori i njohur Ibrahim Kodra ndërroi jetë ne vitin 2006 , në Milano, Itali, në moshën 88-vjeçare. I njohur si "Primitivi i Qytetërimit të Ri", ai erdhi në Shqipëri në vitin 1973 dhe 1996, kur mori titullin "Nderi i kombit" dhe më pas në vitin 2003. Ardhja e tij në vitin 1996 në Tiranë u cilësua si "ngjarje e madhe". Çdo vit i jetës së Ibrahim Kodrës numëron me dhjetra ekspozita kolektive dhe vetiake të çelura në galeri dhe muze të ndryshëm në mbarë Italinë, Europë e më gjerë (Paris, Nju Jork, Gjeorgji, Gjermani, etj). Veprat e Kodrës ruhen dhe ekspozohen në muzeun e Vatikanit, Dhomën e Deputetëve, në galeri publike, muze dhe koleksione private në Itali, Zvicër, Danimarkë, Gjermani, Japoni, Angli, Francë, SHBA, Rusi, Australi, Brazil, Argjentinë, Greqi, Shqipëri, Jugosllavi, Kosovë, Iran, etj.

Ibrahim Kodra lindi në Ishëm të Durrësit në vitin 1918. Në vitet 1928-1932, Kodra studioi në Shkollën Tenike "Harry Fultz" (Tiranë) dhe ndoqi kurset e pikturës dhe vizatimit nën drejtimin e skulptorit Odhise Paskali. Në vitin 1938 fitoi një bursë për studime në Itali dhënë nga Mbretëria shqiptare dhe më vonë fiton një bursë nga Qeveria italiane për të filluar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Milano, ku u njoh mirë me neoklasiçizmin. Në vitin 1939 filloi të studiojë në Brera, ku fitoi pjekurinë e plotë artistike për të nisur rrugën e një artisti bashkëkohor. Viti 1944 shënoi hapjen e studios së parë të Kodrës në Milano, ndërsa viti 1947 njohjen e piktorit të ri në botë.

Poeti i njohur francez, Pol Eluar, e admironte krijimtarinë e tij të asaj kohe, duke e konsideruar Kodrën "Primitivi i një qytetërimi të ri". Kodra ka qenë pjesëmarrës në bienalet internacionale përkrah Pikasos, Chagallit, Matisses, Leger-it, Modigliani-t, etj. Ai është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Emri i tij figuron në publikime të rëndësishme italiane dhe të huaja. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë ruhen tri punime të firmosura nga autori dhe që datojnë në vitet 1938-1942. Shumë studiues dhe kritikë të artit pamor pohojnë se Ibrahim Kodra numëron rreth 6 mijë punime në krijimtarinë e tij artistike.
--

Ibrahim Kodra, nga gjithë jeta e tij në Shqipëri ka rrënojat e shtëpisë së lindjes në Ishëm dhe nga 6 mijë tablo, në fondin e Galerisë sonë të Arteve ruhen vetëm dy tablo të viteve 30

Ndërron jetë i fundmi i postkubistëve


E. Demo

Tre muajt e fundit në spital, dhe tre javët e fundit në shtratin e shtëpisë në Milano në “Piazale Lagost 2” ku jetonte prej 30 vjetësh, morën fund dje, në orën 13.00, kur Ibrahim Kodra vdiq, 88 vjeç. Piktorit shqiptar, i thirrur “i fundmi i postkubistëve” nuk ia mori jetën një sëmundje, por të gjitha që shfaqen në moshën që mposht trupin, siç dukej herës së fundit në Tiranë, në verë të vitit 2003 ku artisti ekspozoi me rastin e ditëlindjes. Ibrahim Kodra u lind në Ishëm në 1918. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, ndërpritet kur 20 vjeç largohet nga Shqipëria përgjithmonë me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Por konservatorizmi i Akademisë së Romës nuk i pëlqen dhe aq, edhe pse në dallim nga artistët rebelë të rrymave të ndryshme të modernizmit, një mënyrë e Kodrës për të jetuar pa kokëçarje në atë botë ishte qetësia dhe natyra disi konformiste. Përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Nën drejtimin e Carrà-së, Carpi-it dhe Funi-t, i riu shqiptar nis udhëtimin drejt pikturës. Ekspozon në Romë, Milano, Venecia, Paris, Belograd, Nju Jork, krijon raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Shagall, Matis, Fontana, Guttuso, me poetë, shkrimtarë, kritikë e regjisorë nga Montale dhe Sereni, nga Bertoni tek Munari, dhe Marotta.
Ekspozimi për herë të parë i përmasave të mëdha në Galerinë Kombëtare të Arteve në 2003 solli para publikut dimensionin real të një artisti që për shkak të mbylljes së Shqipërisë ishte shndërruar për artistët këtu dhe në Kosovë në legjendë mbi një postkubist dhe një Uliks shqiptar në Milano që nuk njohu diktaturën, që mbijetoi me art dhe bëri një emër në vitet ‘50-’60.
Kuratorët e Galerisë Kombëtare të Arteve ndërsa zbritën deri në Milano, u gjendën përballë një fakti. Në studion e tij nuk kishte mbetur asnjë pikturë. Rikrijimet e vitit 2003 ishin i vetmi koleksion privat. Ato vepra ishin modelet më përfaqësuese të fazës së fundit të krijimtarisë së Kodrës. Temat historike, simbolike që i gjejmë në figurat e tablove “Muzikantët”, “Arkeologu”, “Shqipëria fantastike”, “Qyteti ideal”. Vepra që kanë krijuar sistemin e tij, të mëvonshëm, një zbulim “high-tech” në pikturën moderne, një eksplorim në sistemin e tij robotik.
Kjo ishte hera e tretë që artisti vinte në atdhe. Pas ftesës së Ismail Kadaresë në vitin ’73 dhe të ish-presidentit Sali Berisha në vitin ’97, Ibrahim Kodra do të hapte në Tiranë ekspozitën personale, ku veç pikturës menaxheri i tij prezantoi dhe projektin urban për një qendër kulturore. Kodra do tregonte se si kishte vizituar Shqipërinë komuniste, në vitin ’74, kur trupi diplomatik qarkullonte me makinë, ndërsa populli me biçikletë. Atë vit pa se populli kishte nisur të kuptonte se ç’ishte regjimi i Enver Hoxhës. Përvoja e tij dhe e miqve piktorë italianë në vitet ’50, i kishte mësuar se çdo të thoshte të ishe piktor i partisë si Cuttuso, në një kohë kur komunistët kishin në dorë kulturën.
Gjithë çfarë ka lënë pas në pikturë Ibrahim Kodra janë rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara. Sipas idesë që u hodh për krijimin e fondacionit “Kodra”, qëllimi ishte gjurmimi dhe identifikimi i të gjitha veprave që janë shpërndarë nëpër botë dhe që as ai vetë nuk di se ku ndodhen, të cilat i ka shitur në ditë të vështira. Një projekt që do të sillte përfundimisht koleksionin e fundit të Kodrës në Shqipëri dhe nëpërmjet tij, krijimin e Fondacionit “Kodra”, u deklarua se kushtonte 15 miliardë lireta. Ky projekt lindi si ide bashkë me “nuova urbanistica”, në vitin 1982, kur lindi edhe “nuova citta”, ose qyteti ideal. Janë një cikël pikturash mbi arkitekturën urbane që Kodra ka realizuar në atë periudhë. Kushti i vetëm për të pasur në Shqipëri koleksionin e veprës së Kodrës, ishte ky projekt.
Në Galerinë Kombëtare të Arteve prej tij ruhen vetëm 2 tablo origjinale të viteve ’30 dhe disa litografi, riprodhime të temës “Shqipëria fantastike”. Vepra e tij është e shpërndarë në vende të ndryshme të botës.
Ndërsa nga gjurmët e jetës së tij të hershme në Shqipëri janë rrënojat e shtëpisë Ishëm, fshati i lindjes që piktorit që në vitet e fundit mori nga vendi i tij atë titullin e shpërdorur “Nderi i Kombit”.




08/02/2006

--
Tregon Fatos Faslliu, shqiptari që u kujdes për piktorin e vetmuar në muajt e fundit të jetës

“Maestro filloi të fliste vetëm shqip”


Elsa Demo

Fatos Faslliu është personi që i ka shërbyer dhe ndenjur për këto tre muaj më afër se kushdo Maestros. Është ai që ngre telefonin e shtëpisë dhe përgjigjet për këtë rast, për humbjen e piktorit Ibrahim Kodra në moshën 88- vjeçare, mesditën e djeshme në Milano. Fatosi tregon se amanet i Maestros ishte që “të pushonte” në Tiranë. Trupi i tij pritet të vijë në atdhe të premten në mbrëmje.
Kodra nuk u martua kurrë dhe nuk la pas ndonjë trashëgimtar. Pasuria e krijimtarisë së tij është jo e vogël dhe e shpërndarë në shumë duar koleksionistësh. Sa ishte gjallë Kodra nuk donte të diskutohej dhe të pranonte idenë e një fondacioni që do të administronte dhe ruante veprën e tij, vlera e të cilës është disafishuar në 20 vitet e fundit.

Zoti Faslliu, si ndodhi vdekja e Ibrahim Kodrës?
Për tre muaj ka qenë i sëmurë rëndë, mirëpo e kaloi periudhën e keqe. Ka pasur disa probleme dhe kohët e fundit filloi të kishte hemorragji në hundë. Tre javët e fundit ishte kthyer nga spitali në shtëpi dhe sot (dje) në orën 13.07 minuta ndërroi jetë.

Kush i ndodhej pranë?
Qysh kur u sëmurë unë i kam qenë afër, qysh më 6 nëntor.

Kur do të bëhet ceremonia e varrimit?
Besoj do të bëhet në Shqipëri. Është konsulli Muçostepa që po kujdeset për këtë. Besojmë se të premten në darkë vjen dhe trupi i tij.

Domethënë Ibrahim Kodra do të varroset në vendlindje?
Jo, besoj në Tiranë dhe për këtë Ministria e Jashtme ka krijuar një shtab.

Këtë dëshironte?
Amaneti i tij ishte që “të pushonte” në Tiranë... Kishte kaq kohë që në spital, kur i rrija afër, iu fliste mjekëve vetëm shqip. I kam shërbyer si përkthyes.

Si njeri i vetmuar që ishte, kush do të merret me administrimin e trashëgimisë së tij?
Ato janë probleme që do të shihen më vonë, dhe që do të zgjidhen kur të hapet testamenti. Ju e dini që testamenti është sekret, nuk është...

Deri në atë moment do të kujdeseni ju?
Jo, jo unë. Unë jam kryetar i shoqatës “Ibrahim Kodra”. Ka dy fondacione me emrin e tij, një në Lugano që drejtohet nga Bexhet Pacolli dhe një në Durrës.

Sa është koleksioni privat i tablove që ka lënë Kodra, edhe pse thuhet se ai vazhdimisht shiste?
Po Kodra ka shitur shumë. Nuk ka pasur mani t’i mbajë tablotë. Por besoj kur të bëhet një inventar për këtë do të dalin dhe shifrat e sakta.

Fondacioni që drejtohet nga zoti Pacolli çfarë merr përsipër?
Këto janë probleme që do të shtjellohen më mirë me ardhjen tonë në Shqipëri, kur besoj do të marrë pjesë dhe vetë zoti Bexhet. Psh asistenca e mjekëve që e kanë kuruar ditë-natë është përballuar nga zoti Bexhet. Riparimi i shtëpisë gjithashtu, e cila ka qenë në gjendjen që edhe mund të vidhej. Janë bërë përforcimet e dyerve, penxhereve, edhe këto janë përballuar nga zoti Bexhet.

A ka lënë piktura të kohëve të fundit?
Fatkeqësisht kohët e fundit maestro ka lënë një numër pikturash të papërfunduara.

Kush ndodhet aktualisht pranë trupit të artistit?
Ka shumë shqiptarë, është i pranishëm dhe konsulli ynë në Milano, z. Muçostepa, unë me gruan time dhe disa miq të maestros.

Konsulli shqiptar në Milano
Muçostepa: Ka vdekur një artist i madh shqiptar
“Për mua ka vdekur një mik dhe një artist i madh i kulturës shqiptare”. Konsulli shqiptar në Milano, Hasan Muçostepa, e shpreh kështu dhimbjen për humbjen e Ibrahim Kodrës. “Unë nuk e kam marrë vesh vdekjen e Kodrës. Unë jetoj me Kodrën prej tre muaj qysh kur ai ishte i sëmurë. Edhe mbrëmë edhe sot kemi qenë me Kodrën. Ai vdiq duke qenë ne pranë tij. Pavarësisht se ishte i vetëm në Itali, nuk e lamë në asnjë moment vetëm. Kështu që Kodra mbylli sytë sot (dje) në orën 13.00. mbas kësaj unë kam njoftuar të gjitha organet e pushtetit lokal në Milano, organe të tjera të shtypit. Ndërkohë kemi përgatitur një ceremoni në shtëpinë e tij, kemi përgatitur kufomën, kanë filluar të vijnë njerëz”. Konsulli Muçostepa thotë se këto dy-tre ditë miq dhe nxënës të tij, piktorë që kanë studiuar në Akademinë e Brerës, do të kenë mundësinë ta përshëndesin për herë të fundit maestron, para se të shkojë në shtëpinë e tij të fundit, në Tiranë ku do të transportohet me avion të premten. Për ceremonitë në Tiranë ai nuk ka marrë ende një komunikim përfundimtar.




08/02/2006
 

Uarda

Besimi yt dhe i imi gjykohen çdo ditë.
Staff member
Moderator/e
Regjistruar
Jun 23, 2020
Mesazhe
1,896
Pëlqime
822
Pikë
113
Location
Bornholm Danimarke
Ibrahim Kodra: Shqiptari me mikprites

Flet studiuesi Ylli Drishti

Mitin, per te cilin kishin degjuar te flitej vetem kafeneve, te ndjerin piktorin Ibrahim Kodra, nje pjese e mire e shqiptareve e kane njohur ne vitin 1996, kur ai erdhi ne Shqiperi, vit ne te cilin iu dha urdheri "Nderi i Kombit". Nje nder ta ka qene edhe studiuesi Ylli Drishti, i cili me pas ka pasur fatin te vizitoje shtepine-studio te piktorit ne Milano, ku njohu shqiptarin mikprites. Nder te tjera ai thote, se atje ka nje arkiv shume te madh, jane te gjitha shkrimet e botuara per te, pas mbarimit te shkolles. Por ajo qe eshte me specifike, eshte nje filmoteke ne ate studio, me te gjitha filmimet per te, e cila medoemos qe duhet te jete pjese e fondit te Galerise se Arteve. Ndersa 2 pengjet e piktorit te madh bashkekohor, jane mosarritja qe te pikturonte fasaden e godines se Kryeministrise, dhe celjen e nje fondacioni shteteror qe te mbante emrin e tij.

Kur e keni takuar per here te pare piktorin Ibrahim Kodra?

Kontakti im i pare me te, ka qene ne vitin 1996 ne Galerine e Arteve, vit ne te cilin atij iu dha urdheri "Nderi i Kombit", nga Presidenti i asaj kohe, Berisha. Ndaj edhe ne Galeri u organizua nje pritje ku ishin prezente personalite te artit, kultures e politikes ne vend. Me pas u be edhe nje pritje me artistet edhe ne galerine T&G, ku ishin prezente po ashtu shume artiste shqiptare. Me pas ne i kemi bere nje interviste te gjate, ne te cilen ai tregoi te gjithe jeten e tij, vecantesi te saj, te cilat ne keto momente marrin nje ngjyrim tjeter. Kjo ne kuptimin e njohjes sone nga afer, pasi gjithmone e kishim njohur me te thena e thashethemet ne kafenete e ndryshme.

Cfare ndryshoi kur ju e njohet nga afer piktorin?

Ai qe nje njeri shume i thjeshte dhe shume i afruar, dhe mbi te gjitha shume dashamires, aq sa thyerja e akullit ishte gjeja me normale ne ato momente. Por keto ishin vetem impresionet e para, pasi ne vitin 2003, Galeria e Arteve e ftoi qe ai te celte nje ekspozite, dhe me kete rast une pata rastin qe te shkoj ne shtepine e tij ne Milano, per te pare me nga afer te gjitha ato piktura dhe jeten e tij, para se ato te ekspozoheshin ne Galeri. Mbi te gjitha per t'u njohur pak me afer me krijimtarine e tij, e cila ishte e mbledhur ne katin e shtate te nje pallati ku ishte edhe shtepia edhe studioja e tij shume e pasur, me shume jete. Dhe ajo qe duhet theksuar me se shumti, eshte fakti se atje ka nje arkiv shume te madh, aty jane te gjitha shkrimet qe jane botuar per te, pas mbarimit te shkolles. Por ajo qe eshte me specifike, eshte nje filmoteke ne ate studio me te gjitha filmimet per te, te cilat s'munda t'i shoh, pasi qendrova pak dite, por kjo eshte nje detyre e shetit shqiptar, qe ne mos origjinalet, te sjelle nje kopje, e cila te jete ne Galeri. Aty eshte kronika e plote e ecurise se tij si artist, vleresimet e kritikes, ndaj edhe duhet te jete pjese e jona, e kombit tone. Ai eshte nje kuriozitet shume i madh edhe per ne si studiues.

Cfare kishte shqiptare ne shtepine e tij?

Gjuha shqipe e tij shume e rrjedhshme, edhe pse shume vite pa e shkelur Shqiperine, eshte deshmia me e madhe per nje shqiptar qe e do vendin e tij, por dhe pse me e rendesishmja, kjo nuk eshte e vetmja gje qe e ben ate shqiptar. Ai ruante me shume fanatizem te gjitha trofete qe kishte marre ne rinine e tij, pasi ka qene nje sportist ne hedhjen e diskut, dhe te tera ato cmime te cilet i jane dhene gjate jetes. Keto tregojne mbi te gjitha me se miri, shqiptarin qe ai mbante brenda vetes.

Po ne vitin 2003, c'kujtime ruani prej tij?

Kur erdhi per ekspoziten ne Tirane, deshira e pare qe ai pati, ishte te pikturonte nje prej institucioneve tona, dhe zgjodhi Kryeministrine. Por kete pikture nuk mundi ta beje kurre, pasi ishte shume vape ne ate kohe dhe do te kthehej ne shtator per te. Ne fakt shendeti nuk e lejoi qe te kthehej. Tjeter deshire e tij qe krijimi i nje fondacioni shteteror qe te mbante emrin e tij.

Mendoni se keto jane edhe 2 pengjet e tij?

Mendoj se po, pasi duke qene se ai nuk ka te aferm, mendoi qe e gjithe ajo pasuri ne studion e tij dhe ne jeten e tij artistike, te ishte e Shqiperise. Dhe besoj se ne kete pike shteti yne do te beje dicka ne kete drejtim, pasi ato cka ai ka lene, i takojne kultures sone kombetare. Sikunder u mbajt amaneti i tij, qe eshtrat e tij te prehen ne Shqiperi, do te ishte nje arritje qe deshira e tij te mos mbetet vetem e tille.

Cila ishte vecantia e tij si njeri?

Ishte shume i thjeshte dhe shume i dashur, duke pasur parasysh qe ai eshte nje artist shume i madh, per jeten e te cilit kishte materiale ne dhjetra dosje. Komunikimi me te ishte shume i mire dhe ne kohen qe une qendrova ne Milano, pritja e tij ishte mbreselenese, dhe sidomos ne vendet tek te cilat ishin varur pikturat e tij. Ai ishte nje mik per te gjithe, dhe ne kete drejtim ishte me shume shqiptar se te gjithe, per te dhene nje ngrohtesi sic dinte vetem ai. Ishte nje njeri i mrekullueshem.

Ju jeni studiuese, nje vleresim per vepren qe ai la pas?

I pari shqiptar qe perqafoi pikturen bashkekohore evropiane, per t'u shnderruar ne nje nje perfaqesues te denje te saj. Ai kaloi ne artin bashkekohor me nje natyrshmeri, duke e perqafuar avanguarden e artit evropian.
 

Uarda

Besimi yt dhe i imi gjykohen çdo ditë.
Staff member
Moderator/e
Regjistruar
Jun 23, 2020
Mesazhe
1,896
Pëlqime
822
Pikë
113
Location
Bornholm Danimarke
Udhëtimi i fundit i Ibrahim Kodrës

8 Shkurt Vizita e tij e fundit në Shqipëri ka qenë në korrik 2003, kohë kur realizoi ëndrrën e tij për të vizituar vendlindjen, si dhe hapi ekspozitën e tij "Retrospektivë" në Galerinë e Arteve në Tiranë, ekspozitë që përfshinte 20 vepra të zgjedhura nga viti 1951 deri në ditët e sotme, si: "Kompozicioni" - 1951, "Muzikanët" - 1961, "Lufta për pushtet" - 1972, "Lufta për paqe" - 1995, "Shqipëria fantastike" – 1997, etj.

Piktori i njohur shqiptar me famë botërore, Ibrahim Kodra është ndarë dje nga jeta në moshën 88-vjeçare, në shtëpinë e tij në Milano të Italisë. Kodra kishte disa vjet që ishte i sëmurë dhe mjekohej, ndërkohë që muajt e fundit ka qenë i shtruar edhe në spital. Ibrahim Kodra ka lindur në vitin 1918 në Ishëm të Durrësit. Ai edukohet në oborrin e Mbretit Zogu I, duke u bërë edhe një kampion sportiv kombëtar. Në 1938 shkon në Itali me një bursë studimi në Akademinë e Breras në Milano. Prej asaj kohe ai ka qëndruar në Itali, duke u kthyer në një ikonë të pikturës bashkëkohore italiane dhe më gjerë. Veprat e Kodrës gjenden në Vatikan, në muzetë dhe koleksionet private në Itali, Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Danimarkë, Francë, Britani e Madhe, Japoni, Rusi, Shtetet e Bashkuara, Greqi, Australi etj. Vizita e tij e fundit në Shqipëri ka qenë në korrik 2003, kohë kur realizoi ëndrrën e tij për të vizituar vendlindjen, si dhe hapi ekspozitën "Retrospektivë" në Galerinë e Arteve në Tiranë, ekspozitë që përfshinte 20 vepra të zgjedhura nga viti 1951 deri në ditët e sotme, si: "Kompozicioni" - 1951, "Muzikanët" - 1961, "Lufta për pushtet" - 1972, "Lufta për paqe" - 1995, "Shqipëria fantastike" – 1997, etj. "Kur vi në Shqipëri më duket se vi në shtëpinë time, ose e thënë ndryshe si në parajsë. Nuk ka vend më të bukur se ky. Sot, në qoftë se kam një farë emri ia dedikoj vendit tim, popullit, njerëzve që më edukuan dhe bënë që unë të ecë përpara", kështu është shprehur në këtë vizitë Kodra, ndërkohë që një vend të veçantë i ka kushtuar edhe figurës së Nënë Terezës, të cilën e ka barazuar me një engjëll.

Jeta në Itali

Ibrahim Kodra nis studimet në Brera të Milanos, Itali, në vjeshtë të vitit 1938. Fëmijëria e tij ka qenë e vështirë dhe kur ishte vetëm tetë vjeç ikën nga shtëpia dhe punon si dizenjator për një tregtar në Durrës, deri në momentin që nga dogana e këtij qyteti përfundon në oborrin e Mbretit Zog. Aty njeh nënën mbretëreshë, e cila i jep mundësinë të studiojë në shkollat e Tiranës, së bashku me princërit Tati dhe Sherafin. Pikërisht ajo e dërgon në Itali me një bursë studimi, në përfundim të liceut. Duke u nisur nga Durrësi me miq të tij, Kodra mbërrin në Itali, ku qëndron në Milano. Ishte koha e Italisë fashiste. Në Brera ai ndjek kurset nga maestro Carpi, e më pas ndjek leksionet e professor Carrà, më pas vazhdon ato të Messina-s. Kalon provimin e pranimit me Aldo Carpi, për të vazhduar studimet në atë akademi, ku ndiqnin studimet vetëm artistët “me prirje për t'u bërë shumë të famshëm”. Pas luftës ai merr pjesë në lëvizjet artistike më domethënëse me grupe të tilla, si "Përtej Guernikës" (1945) dhe "Linjë" (1947). Po atë vit, Pol Elyar viziton studion e tij, duke e përcaktuar "le primitif d'une nouvelle civilitatio".

Ekspozitat

Në vitin 1948 merr pjesë në Romë në Konferencën Ndërkombëtare të paqes dhe me atë rast njihet me Pikasonë, me artin e të cilit do të mbetet thellësisht i lidhur. Të panumërta janë ekspozitat e tij personale dhe kolektive, mes të cilave kujtojmë: Galeria “Bergamini” në Milano (1957), Galeria “Cèzanne” në Kanë (1958), Galeria “Senatore” në Shtutgard (1959), “Muzeu i Ulmës” (1961), Galeria “Studio F22” në Pallatin mbi Vaj (1974), binjakëzim Milano-Frankfurt në Frankfurt (1984), Galeria “LaTela” në Palermo (1988), “Muzeu i shtetit të Tbilisit” (1989), Napoli (1992), Sanremo (1996), “Kodra dhe Teatri Massimo” (1996) etj.

Çmimet

Mes çmimeve të shumta dhe nderimeve të marra, kujtojmë "Medaljen e Artë" të Akademisë Franceze në 1972, çmimin "Nder i Kombit", nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë në 1996, në Tiranë etj. Veprat e Ibrahim Kodrës janë të ruajtura përveçse në Vatikan dhe pranë dhomës së deputetëve në Romë, edhe në muze të shumtë e në galeri, si edhe në koleksione private në të gjithë botën. Kodra ka jetuar e punuar në Milano, ndërsa kalonte një pjesë të vitit në Pozitano, vend që e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi”. Një pjesë tjetër të kohës e ka kaluar në Siçili, e mbi të gjitha në Açireale, në Palermo dhe në Alkano, ku kohët e fundit së bashku me maestron Evola ka realizuar një skulpturë me titullin “Guri i jetës”.

Vlerësime

Hysen Devolli


Me Ibrahim Kodrën jam njohur që në vitet '38-'39, para se të shkonte në Itali për studime. Në ato vite ('35-'37) ka punuar në kinema "Nacional" dhe më vonë iku në Itali. Gjatë luftës, kur erdhi për pushime nga Italia, pruri një seri punësh, të cilat i la tek im vëlla, i cili kishte një dyqan që iu dogj dhe fatkeqësisht këto punë i humbën. Ibrahimi bën rezonancë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit. Në vitin 1942 shkova në Itali, e takova në Milano dhe shkuam bashkë në galerinë "Brera", ku kishte hapur një ekspozitë retrospektivë profesori i tij. Pas kësaj e kam takuar edhe më vonë. Vlerat e tij si piktor janë të sanksionuara. Para tri-katër ditëve gjeta një kartolinë të tij, që ma kishte çuar në vitin 1973. Më kujtohet që çdo vit më çonte në studion time një kalendar me punët e tij, derisa studioja ime u sekuestrua në vitin 1961. Kur vinte në Shqipëri takohesha gjithmonë. Mbaj mend se takimi i fundit me të ka qenë në studion T&G, ku e takova bashkë me Kel Kodhelin dhe Sadik Kacelin. Njeri jashtëzakonisht i mirë, human dhe me një kulturë jashtëzakonisht të gjerë, të pasur. Një artist i kompletuar.

Ksenofon Dilo

Ibrahim Kodra është një ndër piktorët, i cili e ngriti lart dhe i dha emrin pikturës tonë në perëndim. Një nga figurat e shquara të artit bashkëkohor modern të gjysmës së dytë të shekullit XX, njihet kryesisht për stilin e tij që përfshihet në "postkubizëm", që merr shkas nga një traditë vendëse dhe nga një art popullor, gjë që duket në ornamentikën e tij, që e bën të shquhet e veçohet si artist, duke pasur dhe karakter ballkanik e shqiptar. Cilësi botërisht të njohura, që si artist shqiptar i bën nder artit dhe pikturës sonë në botë. Humbja e tij është një humbje e madhe për artin tonë.

Zef Shoshi

Ibrahim Kodra është një nga piktorët shqiptarë, personalitete të diasporës që ka ekspozuar në shumë vende të botës. Pikaso dhe Pol Elyar e kanë cilësuar si "primitivi i Ballkanit". Një nga artistët modernë të shekullit XX, që ka lënë gjurmë në historinë e artit italian dhe botëror me stilin e tij artistik dhe figurativ, veçori që e dallojnë nga piktorët e tjerë. Përdor elementë dekorativë të thjeshtëzuar të formës.

F.SHQIPTAR
 

Uarda

Besimi yt dhe i imi gjykohen çdo ditë.
Staff member
Moderator/e
Regjistruar
Jun 23, 2020
Mesazhe
1,896
Pëlqime
822
Pikë
113
Location
Bornholm Danimarke
Një vit nga ikja e mjeshtrit të madh të pikturës shqiptare dhe europiane

Pol Elyar: "Kodra është primitivi i një qytetërimi të ri"
"Shtëpia e jonë në kodrën e Ishmit ishte e rrethuar me kumbulla. Në pranverë oborri rrethohej me një shkumë lulëzimi të bardhë. Kur e shihje në largësi ky shkumëzim dukej sikur ishte pjesë e dallgëzimit të detit". Kështu do të shprehej 13 vjet më parë, në një intervistë, mjeshtri i madh i pikturës shqiptare, Ibrahim Kodra.

Ibrahim Kodra, i cili ndërroi jetë në 7 shkurt të vitit të kaluar, prehet në Ishëm të Durrësit, vetëm disa qindra metra larg vendit ku lindi. Varri i tij ndodhet pranë kalasë 500-vjeçare të Ishmit, pikërisht aty ku nisi udhëtimin e gjatë drejt majave të artit. Mjeshtri i madh i pikturës shqiptare dhe europiane mbylli sytë në moshën 88-vjeçare në Itali, në spitalin "Fatebene fratelli" të Milanos, qytet ku jetonte prej më shumë se 70 vitesh.

Nderimi
Drejtori i departamentit të kulturës në bashkinë e Durrësit, Emilian Metaj, tha se tashmë në qendrën e kulturës "Aleksandër Moisiu" të qytetit bregdetar është përgatitur salla ku do të ekspozohen 126 punime, vepra të autorëve bashkëkohorë italianë. Veprat e autorëve nga vendi fqinj janë një homazh për mjeshtrin Kodra dhe një dhuratë për qytetin e Durrësit.

Metaj tha se rikonstruksioni i plotë i pallatit të kulturës mundësoi përshtatjen e një salle ekspozimi të përhershme për këto punime, nga të cilat 113 në pikturë dhe 13 në skulpturë. Sipas tij bashkia e Durrësit ka nisur procedurat për emërtimin e një rruge të qytetit me emrin e Ibrahim Kodrës si dhe për ngritjen e një busti në nderim të tij.
"Mjeshtri i madh i pikturës i përket jo vetëm Ishmit ku lindi dhe Durrësit ku kaloi vitet e rinisë, por të gjithë kombit", tha Metaj, duke nënvizuar se vonesat në nderim të piktorit Kodra duhen kapërcyer sa më shpejt.

Nostalgjia
Ibrahim Kodra u lind më 22 prill të vitit 1918 në Ishëm. Në një nga intervistat e pas viteve ’90 ai kujtonte me nostalgji fëmijërinë dhe vendlindjen e tij. "Në fëmijni më pëlqente të futesha në det me sy hapur" do të kujtonte Kodra në intervistën e 13 viteve më parë. Detin e vendlindjes do ta cilësonte si pelenën e tij, të cilin e kishte brenda vetes, "si të thuash qarkullim të madh dhe të vogël të gjakut". Artisti i madh, për të cilin poeti i shquar francez, Pol Elyar do të shkruante "Kodra është primitivi i një qytetërimi të ri" kishte ardhur rrallë në atdhe, por kjo nuk e kishte penguar për një lidhje të përhershme me Ishmin ku lindi, si dhe me Durrësin, qytetin që i hapi rrugët e botës.

Ishmi
Kohë më parë Kodra ka treguar për udhëtimin e tij të parë nga Ishmi drejt Durrësit dhe botës. Lundroi me një anije të vogël tregtare, ku djaloshi nga Ishmi mori me vete motivet e diellit dhe peshkatarëve, lulëkuqeve dhe detit të pafund. Në librin-intervistë të Abdulla Tafës "Kodra, një univers" mjeshtri e përkufizon Durrësin si qytetin e sugjestioneve. "Udhës mund të kalojë i përpjestuar në kohra. Njëra këmbë mund të shkelte të sotmen, ndërsa tjetra mbi dy mijë vjet lashtësi. Aq të shumta ishin rrënojat arkeologiike", shprehej Kodra.

Në një nga bisedat e tij me Piktorin e Merituar Agim Faja në Shijak, Kodra do të thoshte se fati kishte dashur që ai të kthehej në Shqipëri pak herë. Në vitin 1942 ai udhëtoi për herë të parë nga Italia drejt vendlindjes, më pas në vitet 1973, 1996 dhe udhëtimi i fundit në vitin 2003.

Fëmijëria
Mjeshtri i madh i cilësonte marrëdhëniet me vendlindjen shumë herë më komplekse. Në intervistën dhënë studiuesit, Kodra i rikthehet dhe një herë fëmijërisë dhe "shansit të lumtur" siç e përkufizon ai fatin. Vizatimet e djaloshit Kodra në rrugët e qytetit të Durrësit befasuan atëherë dhe oborrin mbretëror shqiptar, që kërkoi ta shihte djaloshin nga Ishmi në vilën mbretërore, mbi kodrën e Durrësit.

Pas kësaj, universi i Kodrës do të kishte brenda dhe Tiranën, ku mjeshtrat e mëdhenj Paskali dhe Buza do të bëheshin profesorët e tij të parë. Ai kujtonte vitin 1938, kur sapo kishte mbaruar shkollën teknike dhe liceun artistik të drejtuar nga mjeshtri Odise Paskali. "Ishte një çast i ngrirë, pezull. Si ai që quhet, as në qiell, as në tokë".

Vizatimi me kostum kombëtar i Maria Denis, një prej aktoreve më të njohura italiane, e cila kishte ardhur në Tiranë për të promovuar një film të saj, i çeli Ibrahim Kodrës rrugën drejt artit të madh. Do të nisej për në atdheun e arteve të bukura pa harruar asnjëherë vendlindjen, të cilën e përmend vazhdimisht. Jo më kot ai shprehej "ngjyra ime përfaqësuese është e kaltërta. Me të gjitha variacionet aty gjen detin magjik të Ishmit. Kokrriza e dheut të vendlindjes është qeliza artistike e krijimeve të mia".



Koha Jonë
E Marte 6 shkurt 2007
 

Uarda

Besimi yt dhe i imi gjykohen çdo ditë.
Staff member
Moderator/e
Regjistruar
Jun 23, 2020
Mesazhe
1,896
Pëlqime
822
Pikë
113
Location
Bornholm Danimarke
Dyzet piktura origjinale të Kodrës drejt Shqipërisë

Së shpejti në Durrës do të hapet muzeu “Ibrahim Kodra”. Fatos Faslliu, kryetar i fondacionit, njëkohësisht kurator i testamentit të piktorit, thotë se në të do të ekspozohen veprat origjinale të Kodrës, sende personale, foto autentike, letërkëmbimi me personalitete dhe bibliografia e plotë

Muzeu për maestro Kodrën do të promovohet së shpejti në Durrës. Fatos Faslliu, kryetar i fondacionit “Ibrahim Kodra”, njëkohësisht kurator i testamentit të piktorit, nuk di të thotë me saktësi pas sa javësh, por siguron se brenda vitit do të ketë një ceremoni prezantuese. Detajet u bënë të ditura nga hapësira që do të shfrytëzohet për muze, dhuruar nga biznesmeni durrsak Jashar Arrëza, që ndodhet në katin e dytë të një godine te Tregu Industrial në Durrës. Faslliu shpjegon se janë ende në fazën përgatitore, ndonëse rreth 70% e materialeve që do të shfrytëzohen për muzeun ndodhen në Durrës.

“Brenda pak ditësh do të mbërrijnë në muze rreth 40 vepra origjinale të Kodrës në pëlhurë, letër, bronz dhe qeramikë. Janë pronë e fondacionit dhe do të shoqërohen me certifikatat e autenticitetit”, thotë Faslliu. Sipas tij, muzeu është konceptuar për një ekspozim modern dhe bashkëkohor, duke synuar të kthehet në një shembull për janonin. Muzeu i Durrësit do të shënojë të tretin në radhë pas atij të Milanos dhe Luganos, duke përmbushur dëshirën e Kodrës për hapjen e muzeve privatë që do të mbanin emrin e tij. Si fillim janë dy kuratorë, Elena Pontiggia, profesoreshë në Breschia dhe Shyqyri Nimani, një nga njohësit e mirë të Kodrës, që do të kujdesen për mënyrën e ekspozimit në këtë muze. Përveç pikturave origjinale, në të do të ekspozohen objekte personale dhe dokumente origjinale. “Ne kemi thuajse gjithë bibliografin e plotë kushtuar maestros. Janë rreth 80 libra, përfshirë këtu edhe katalogë, të cilët në tërësinë e tyre përbëjnë një historik të rrugëtimit artistik të maestros. Do të sjellim dokumente origjinale që nuk janë ekspozuar më parë, siriografi nga më të spikaturat, litografi, qeramikë, bronz etj. Pjesë e ekspozimit do të jenë edhe fotografi autentike të realizuara nga dy studio të mëdha në Milano: “Da Brescia” dhe ‘Nord’”, thotë Faslliu. Pjesë e këtij ekspozimi do të jenë edhe objekte private që Ibrahim Kodra i përdori sa qe gjallë. Do të jenë penelat me të cilët pikturoi format trekëndëshe ku mbante bojërat, do të jetë kitara e dashur për të, certifikata e lindjes, shallët e famshëm të tij, medaljet që ka fituar ndër vite, bocete të lëna në copa gazetash apo edhe letërkëmbimi me personalitete të famshëm të botës dhe shqiptarë. Një skicë që mjeshtri Kodra i ka bërë shtëpisë së tij në Ishëm, së cilës sot i gjenden vetëm disa gurë themeli, do ta dhurojë vetë Fatosi për muzeun. Sipas Faslliut, muzeu do të pasurohet herë pas here, ndaj ai e ka shfrytëzuar këtë prezantim për t’u bërë thirrje donatorëve shqiptarë për të ndihmuar në pasurimin e këtij muzeu. Madje thirrja e parë do t’i shkonte vetë Kryeministrit Berisha, i cili ka dhuratë firmën e fundit që maestro Kodra shënoi në letër para se të vdiste. Aktin e parë të dhurimit e kanë bërë dy koleksionistë italianë, të cilët kanë dorëzuar nga një vepër të Kodrës për muzeun. Në këtë rast, Faslliu thotë se do t’i dërgojnë edhe një kërkesë Galerisë së Arteve në Tiranë. “Do të ishte mirë që veprat që ka galeria të bëheshin të ekspozueshme për publikun në ambientet e muzeut”, thekson Faslliu. Në fakt, përvoja e munguar e muzeve privatë në Shqipëri, apo dështimi i atyre pak që nisën, të bën skeptik në këto raste. Por Faslliu thotë se do të mundohet që ky muze, kushtuar një prej piktorëve më të njohur shqiptarë, të gjejë edhe mbështetje institucionale. “Të hapësh një muze është impenjim i madh e kërkon gjithashtu kosto financiare. Ne do të kërkojmë të sensibilizojmë institucionet shqiptare publike dhe private, sidomos Bashkinë e Durrësit dhe Ministrinë e Kulturës për të ngritur një muze që të jetë shembull në rajon”, thotë Faslliu. Ai thotë se nuk përjashtohet një shkëmbim i mundshëm i materialeve mes tre muzeve të Kodrës e po ashtu edhe qarkullimi i muzeut të Durrësit në Prishtinë, Ohër, Pogradec e në qytete të tjera të hapësirës shqiptare. Administrimi i këtij muzeu mbetet ende i paplotësuar në detaje, por kryetari i fondacionit shpjegon se do të funksionojë me biletë, me kosto më të ulët për studentët dhe të moshuarit. Edhe në këtë pikëpamje, Faslliu thotë se në të ardhme do të kërkojnë ndihmën e bashkisë që ky muze të promovohet te turistët. Nisur nga praktika botërore, një ide e tij është tërheqja e vizitorëve, të cilët me një biletë të vetme mund të vizitojnë Muzeun Arkeologjik, Amfiteatrin dhe muzeun “Ibrahim Kodra”. Të gjitha këto mbeten për t’u përcaktuar, ndërkohë që Fatos Faslliu premton se faza e parë e përurimit do të jetë shumë e afërt.

Shqip - 23/10/2010
 

Uarda

Besimi yt dhe i imi gjykohen çdo ditë.
Staff member
Moderator/e
Regjistruar
Jun 23, 2020
Mesazhe
1,896
Pëlqime
822
Pikë
113
Location
Bornholm Danimarke
Kodra, nga puna e parë në 1938, tek e fundit në 2006

Hapet sot në GKA, ekspozita retrospektive e mjeshtrit.
Kuratori Shima tregon si i mblodhi 60 vepra nga galeri të ndryshme në Itali e Shqipëri.
Në sallën e ekspozitave të përkohshme të Galerisë Kombëtare të Arteve hapet sot ekspozita e piktorit Ibrahim Kodra, e titulluar “Shqipëria Fantastike”. Janë rreth 60 vepra, që kuratori Rubens Shima i ka qëmtuar nëpër koleksione e galeri, në Itali e Shqipëri. Nuk ka qenë e thjeshtë që t’i bindje, megjithatë, disa nga punët më të mira të mjeshtrit, të cilat datojnë që nga fillimet e krijimtarisë së tij e deri tek ato të fundit, ekspozohen për herë të parë për publikun. Ekspozita organizohet në bashkëpunim me fondacionin “Ibrahim Kodra” në Milano, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Për realizimin e kësaj ekspozite kuratori ka përzgjedhur vepra nga koleksioni i fondacionit “Ibrahim Kodra” në Milano (Itali), vepra nga koleksioni iKozma Dashit (Shqipëri), vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, si dhe vepra nga koleksione të ndryshme private, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kuratori Shima e ka konceptuar në formën e një ekspozite retrospektive, e cila na mundëson ta njohim Kodrën në tërësinë e tij, që kur vizatonte qendrën e Tiranës, deri te pikturat kubiste e postkubiste, me të cilat ai do të prezantohej pas viteve ’70. Në këtë ekspozitë paraqitet puna e parë e Kodrës, që i përket vitit 1938, pronë e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe ajo e fundit e tij, realizuar në vitin 2006, e cila ndodhet pranë fondacionit “Kodra” në Milano.
“Shqipëria fantastike” është një përzgjedhje punësh të Ibrahim Kodrës, të cilat i keni nxjerrë nga galeri dhe koleksione në Itali e Shqipëri. Sa e vështirë ka qenë të vini deri këtu?
Nuk ka qenë e thjesht. U bënë vite tashmë që interesohem për punën e Kodrës, e kam ndjekur atë në Milano. Prej një viti jemi në kontakt me koleksionistë të ndryshëm, me galeristë që kanë punë shumë të mira nga Kodra, dhe duhet thënë që shumë nga koleksionistët nuk janë shumë të lehtë për t’u bindur. Dhe në këtë rast ata ia kanë besuar punët e tyre Galerisë Kombëtare të Arteve. Ndërkohë, kam parë interesin gjithnjë në rritje të koleksionistëve privatë shqiptarë. Më vjen mirë që kanë arritur të koleksionojnë disa nga veprat më përfaqësuese të piktorit. Gjithashtu kam punuar kryesisht me punët e fondacionit “Kodra”, pjesën më të mirë të koleksionit në Milano, por po aq i rëndësishëm sa koleksioni i këtij fondacioni, është edhe ai i koleksionistëve shqiptarë, të cilat përbëjnë 60% të kësaj ekspozite.
Mbi ç’koncept është ngritur kjo ekspozitë?
Sipas konceptit tim, kjo është një ekspozitë retrospektive historike, me qëllim që njerëzit ta njohin të plotë Kodrën, jo

Puna e parë e Ibrahim Kodrës, viti 1938, ndodhet në GKA.
vetëm atë që shfaqet nga vitet ’70 deri në fund të jetës së tij, që përfaqësohet në shumicën e herëve nga piktura totemike, që kanë në qendër totemin, idhullin. Në këtë rast kam dashur që ekspozita të fillojë me punën e parë të Kodrës, të cilën e ka realizuar që në kohën kur ka qenë nxënës në shkollën e vizatimit në Tiranë. Pra, ekspozita fillon me një peizazh nga Tirana, i vitit 1938 dhe mbyllet me pikturën e fundit të mjeshtrit, para se të ndahej nga jeta.
Si do ta klasifikonit veprën e Kodrës sipas periudhave?
Kodra ka shumë periudha në krijimtarinë e tij, tendenca, por dhe artistë që influencojnë mbi të. Kodra është një personazh i cili zhvillohet pas Luftës së Dytë Botërore. Jemi në atmosferën mitike të Akademisë së Breras, ku ai ishte nxënës i disa prej piktorëve më të rëndësishëm të kohës së pas Luftës II Botërore, si Carra, Funi e Carpi etj. Gjykoj që vepra e Kodrës ka kaluar nëpër disa periudha të ndryshme. Periudha e parë vjen pasi ai asimilon të gjithë klasikët në Akademinë e Breras, bie në kontakt me artistët italianë të Breras. Kemi një frymë surrealiste, deri diku post-Cezanne të Kodrës së hershëm, pastaj shihen influencat nga Sironi. Më pas Kodra fillon të mendojë mbi atë që më vonë do të quhej “mrekullia e pajtimit”, i imazheve që vijnë nga Parisi, si një qendër e madhe arti, nga Picasso dhe imazhet që vinin nga vendi i tij i origjinës. Pra, ajo nënshtresë e Kodrës që lidhet me një lloj kulture orientale, bizantine, ikonografike merret me shumë zgjuarsi nga Kodra dhe pajtohet me imazhet që vijnë nga Parisi, për t’i dhënë jetë asaj lloj pikture që ne njohim sot si kubiste, apo postkubiste.
Thatë se keni kohë që merreni me këtë ekspozitë, ju vetë ç’keni zbuluar nga Kodra?

Puna e fundit e vitit 2006, ndodhet në fondacionin “Kodra” në Milano
Nuk është hera e parë që vepra e Kodrës ekspozohet në Shqipëri, por jo në një ekspozitë retrospektive, historike. Për aq kohë sa Kodra ishte gjallë, u krijua ideja e një artisti disi jokomunikativ, pak arkaik, por kur kam lexuar intervista të Kodrës dhënë gazetarëve, që tashmë dhe ata nuk jetojnë më, apo kur kam parë kontrata e letërkëmbime të Kodrës. Kam parë një personazh shumë kompleks, poliedrik, me shumë informacione dhe një mjeshtër i vërtetë në negocimin me galeritë.
Po Kodra nuk ka vetëm piktura, por edhe punë në skulpturë, apo qeramikë…, shohim që nuk i keni paraqitur në këtë ekspozitë…
Me vetëdije të plotë kam përjashtuar nga kjo ekspozitë postimazhin, apo riprodhimin e imazhit të Kodrës. Ai ka shumë kontrata me galeri, apo me subjekte të ndryshme komerciale për prodhimin e posterave, pjatave të qeramikës, kartolinave, skulpturave të limituara etj. I gjithë ky material nuk më ka interesuar për këtë ekspozitë, sepse nuk kam asnjë lloj interesi për të shfaqur para publikut planbizneset e një artisti si Kodra. Këto janë më se normale për një artist me emër, për ta përshtatur veprën e tij për tregje të ndryshme.
Si ka qenë marrëdhënia juaj me fondacionin “Kodra”?
Kemi pasur një marrëdhënie shumë korrekte. Pas shprehjes së interesit të Galerisë Kombëtare dhe të timin personal për të ndërtuar këtë ekspozitë, kam gjetur një dëshirë bashkëpunimi dhe gjej rastin ta falënderoj, sepse një njeri i vetëm ka bërë një sakrificë relativisht të madhe për ta mbajtur në këmbë këtë fondacion dhe për të ruajtur me një farë fanatizmi ato pak vepra që ruhen nga Kodra.

Panorama
 
Top