EMRAT- Të arrestuarit e ‘Stafetës’, si e shmangte Policinë grupi, një makinë para i shpërqëndronte, drejtuesi i rrjetit me të dashurën…

Kamelia

Moderator/e
Regjistruar
Jun 18, 2020
Mesazhe
173
Pëlqime
18
Pikë
1
Location
Birmingham
TIRANE – Gjashtë personat e arrestuar të shtunën gjatë operacionit “Stafeta”, të dyshuar për trafikimin e marokenëve që ishin futur si klandestinë në Shqipëri, ishin organizuar nga drejtuesi i rrjetit, i cili kishte gjetur edhe mënyrën për të shmangur Policinë.


Ai kishte “punësuar” një lavazhier si shofer të njërës prej makinave, me të cilën bëhej transporti i klandestinëve nga Korça në drejtim të Shkodrës, të cilit i jepte 50 euro për një rrugë.

Ndërsa vetë udhëtonte me një makinë tjetër para tij, bashkë me të dashurën dhe vajzën e saj, në mënyrë të që shmangte Policinë.

Në momentin që shihte ndonjë postbllok Policie në rrugë, ai ndalonte dhe fillonte të pyeste efektivët për ndonjë adresë apo rrugë, në mënyrë që makina tjetër pas tij, ku ndodheshin klandestinët, të kalonte pa u kontrolluar.

Për 9 muaj, të paktën aq sa kanë zgjatur hetimet për këtë grup, kjo skemë kishte funksionuar më së miri, derisa ditën e shtunë u arrestuan në flagrancë nga oficerët e Trafiqeve të Paligjshme të Policisë së Tiranës.

Gjatë operacionit, Policia ndaloi edhe 5 shtetas marokenë, emigrantë të paligjshëm, që po transportoheshin me një prej makinave të personave që u arrestuan.

Policia tha dy ditë më parë se vuri në pranga shtetasit: Ali Osmanaj, 36 vjeç; Aida Velçani, 39 vjeçe;Mentor Isufi, 30 vjeç; Anamaria Bengaj, 20 vjeçe; Ardit Pinderi, 21 vjeç; dhe Melinor Pinderi, 19 vjeç.

Sipas Policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Greqi, Turqi dhe Lindjen e Mesme, për një periudhë 9-mujore kanë organizuar dhe drejtuar veprimtarinë kriminale të trafikimit të personave me origjinë nga Lindja e Mesme në Greqi, Shqipëri, deri në përcjelljen e tyre drejt kufirit me Malin e Zi, Kosovën, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

Gjatë ndjekjes së këtij procedimi penal janë dokumentuar rreth 4 raste të trafikimit të personave nga ky grup dhe sipas të dhënave, këta persona merrnin nga 100-300 euro për çdo emigrant nga Bilishti në Tiranë dhe nga Tirana në drejtim të Kukësit ose Shkodrës.

Ndërsa dje është zbuluar një tjetër rast i trafikimit të klandestinëve nga Policia e Tiranës. Policia tha se specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit D. A., 48 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Llazi Miho”, duke transportuar shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm, të cilëve u kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Po nga veprimet e kryera rezultoi se ky shtetas kishte transportuar me një mjet furgon edhe disa shtetas të tjerë nga vendet e treta, të cilët u gjetën nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të fshehur në një ambient të braktisur.

PANORAMA
 
Top