Dy ministra fals për një patriotizëm fals

Kamelia

Moderator/e
Regjistruar
Jun 18, 2020
Mesazhe
173
Pëlqime
18
Pikë
1
Location
Birmingham
Nga Luciano Boçi

Përsëri Shahinit të arsimit “modern” gjuha dhe letërsia i është bërë “ferrë nëpër këmbë”.
Nuk i mjaftoi testi i maturës i cili nxorri në shesh të gjitha të palarat e situatës së rënduar në sistemin arsimor, të paralajmëruara nga rezultati skandaloz i vendit tonë PISA 2018.

Tani “gjuha”, po i nxjerr Ministres edhe të palarat e mediokritetit politik, por dhe njerëzor, krahas atij profesional.

Dhe çfarëdolloj qyrku të veshë ministrja, atë të qenurit e brishtë, apo më keq atë të qenurit patriote e mbaruar, në emër të unitetit kombëtar, ai nuk e ndihmon t’i fshihet përgjegjësisë për nivelin mjeran të mësimdhënies e mësimnxënies në shkollat tona.

E gjithë fabula false e patriotizmit të saj, është mbështetur në thirrjen dhe shprehjen “Kthehu andej nga ke ardhur”.

Kjo është gota e ujit, ku Besa ndërton më pas gjithë fortunën e ligjërimit të saj patriotiko-akuzues.

Pa asnjë turp për postin që mban, etiketon pa pikë brishtësie, për të cilën Ministri tjetër ai i gazit lotsjellës vinte dorën në gaz e i sulej burrave, opozitën si raciste dhe me sentiment anti-shqiptar. Lleshaj shkon dhe më larg. Shahinit për gjithë këtë i thur një panegjerik pa stil dhe kërkon t’i japë me dorën e tij në fund kurorën e shqiptarizmës. Çfarë komedie?!

Besa e quan të papranueshme e skandaloze t’ia thuash “Kthehu andej nga ke ardhur” një kosovari!?? Por kjo nuk qëndron aspak. Askush nuk ka pasur një qëllim të tillë ndaj kosovarëve, përveç Shahinit. Gjuha shqipe është e qartë në këtë pikë. Shprehja ishte vetëm për Ministren që ka emrin Besa e që rastësisht është nga Kosova. Shahini kërkon të aktualizojë frazeologjinë dhe ta interpretojë me emocionalitet në kuptimin e fjalë për fjalshëm, gjë që është e pamundur. Spekullimi i ministres këtu buron ose nga diabolizmi, ose nga padituria.

Të lutem zonja Ministre, në emër të gjithë maturantëve, kthjellohu e thellohu. Mos shih fantazma me patriotizma fals e protesta maturantësh nga opozita. Personalisht të kam këshilluar: kur nuk di, hesht. Edhe në këtë rast më mirë mos kishe folur, sepse përsëri shpalos nivel të ulët të dijes gjuhësore e letrare. E maturantët nuk ta falin.

Shprehja që ti e tund si flamur, nuk është shprehje gjeografike, është shprehje (njësi) frazeologjike. Ajo nuk ka kuptimin leksikor të kthimit në pikën e nisjes në hartë. Si shprehje ose si përdoret rëndom si njësi frazeologjike, me të cilat gegnishtja dhe shqipja letrare janë shumë të pasura, “Kthehu andej nga ke ardhur” ka kuptimin e thjeshtë të një fjale: LARGOHU. Politikisht e kontekstualisht: JEP DORËHEQJE.

Për të iluminuar pak që ta kesh më të qartë, po të citoj përkufizimin për frazeologjinë: Njësia (shprehja) frazeologjike është njësi gjuhësore me kuptim të mëvetësishëm, e përbërë nga dy ose më shumë fjalë shënjuese (emërtuese), me gjymtyrë e ndërtim të qëndrueshëm, e formuar historikisht e për një kohë të gjatë, që ka vlerën e një fjale të vetme, riprodhohet në ligjërim si njësi e gatshme dhe funksionon në gjuhë si njësi e pandashme.

Madje ajo ka simotër dhe është sinonime me shprehjen “ktheji thembrat nga majat”. Mos vallë dhe kjo të duket anti-shqiptare dhe raciste?

Prandaj zonja Ministre mos loz rolin e të prekurës në sedrën kombëtare. Dukesh keq dhe përsëri ke dështuar. Kësaj here ke dështuar akoma dhe më shëmtuar se kur sulmove pedagogët.

Sado të mbrojë Ministri i gazit lotsjellës je bërë gazi lotndjellës i botës. “Patrioti” tjetër është paksa më i hidhur sepse nën rreshta i mëshon përkatësisë krahinore. Gegnishtja është vlerë e patjetërsueshme e gjuhës, letërsisë, kulturës e pse jo politikës shqiptare.
Zotërimi e përdorimi i saj me vend, është meritë, por krahas kësaj një perfaqësues i shtetit përafron maksimalisht gjuhën letrare.

Më tej Lleshaj, ministri fals i policisë, sepse i brendshëm nuk mund të quhet, i turret me shkop gome të gjithë pedagogëve e kritizerëve, duke derdhur lumin e urrejtjes primitive e shfaqur hapur komplekset e inferioritetit. Për të Besa nuk ka faj dhe burrat na kishin sharë femrën Besë dhe jo ministren. Dredhi ushtarake. Askush nuk e ka me Besën personalisht, e ka ministren që ka emrin Besë e ka me politikat e saj dhe Ramës, me propagandën e shpifur dhe gjendjen mjerane ku e kanë çuar ketu e 8 vite arsimin politikat e qeverisjes. Përgjegjësia dhe e Shahinit dhe e Lleshajt nuk është aq sa ata janë ulur në karrike, 1 apo 2 vite, por aq sa shqiptarët kanë nëpër këmbë këtë qeverisje.
Për Lleshajn që ka në krye një skizoid, por që kërkon me hetim policor parak “skizofrenë”, faji qenka i pedagogëve që kanë nxjerrë të atillë studentë (ka frike elektorale te thojë mësuesë).

Harroi që vetë ka deklaruar se tek çdo polic do shihni fytyrën time. Po dhe e kemi parë shpesh, jo më larg se dje, duke dhunuar në mënyrë shtazarake një qytetar. Siç e pamë Lleshajn, tek dhuna ndaj protestuesve të teatrit dhe siç e kemi parë duke helmuar me gaz njerëzit në protesta. Po ata që hartuan gabim testin, pse nuk janë fytyra e ministres së Arsimit, por janë ish studentët e pedagogëve kritizerë?!

Po pse ky zell i tepruar i Lleshajt për të mbrojtur të pambrojtshmen?!
Filli që i lidh më shumë se patriotizmi fals është helmimi.

E para helmon me padije i dyti helmon me dhunë e gaz. Dhe pa hezitim se po hedh farën e përçarjes që mund ta ulërasë në ndonjë status tjetër Lleshaj, po e them që dhe ky si Besa duhet “të kthehet andej nga ka ardhur”. Që të mos e kapë emocioni patriotik, thjesht po e sqaroj që mos të bjerë në nivelin e Shahinit, duhet TE LARGOHET.

Është më mirë t’i kthehet petkut të ushtarakut. Do ishte më i vlefshëm nën të. Arti ushtarak nuk është art policor e aq më pak ministror.

I indoktrinuar me paranojën e ekzistencës së armikut, që duhet eleminuar pjesë pjesë, nuk mund të drejtosh politikat e sigurisë së brendëshme. Formimi doktrinar e detyron atë që të shohë armiq kudo.

Për të armik janë opozitarët, qytetarët, pedagogët, sepse sipas artit ushtarak të tij i kanë sulmuar “kështjellën” e pushtetit.

Ministrat fals që na “qajnë me lot krokodili” (njësi frazeologjike dhe kjo) nuk mund të na shesin paaftësinë e tyre si patriotizëm.

Patriot e atdhetar je kur bën punën që të është ngarkuar me përkushtim ligjor, ndershmëri dhe dinjitet. Jo kur i shërben padijes, injorancës krimit, hashashit dhe bëhesh kobure e verbër politike për ca vota më shumë, e duke i fryrë gjuhës së urrejtjes primitive ndaj kundërshtarit qoftë ai politik, qytetar apo maturant e pedagog.
 
Top